Nga Gentian Doçi
Të gjithë kemi dalë nga “Manteli” i Gogolit. Kjo thënie e Dostojevskit perfaqëson rëndësinë e krijimtarisë së Nikolaj Gogolit në historinë e letërsisë ruse. “Manteli” është një tregim i shkurtër i Nikolaj Gogolit, që konsiderohet si një nga tregimet e shkurtra më të mirë të të gjithë kohërave, shkrimtarit ukrainas që shumicën e veprave të tij i ka shkruar në gjuhën ruse. Në këtë tregim, Akaki Akakievici është një nëpunës i cili punon pareshtur, por nuk është shumë i njohur në departamentin e tij. Ai kishte përzemër një mantel të vjetër dhe për këtë, ai shpesh bëhej objekt talljeje nga kolegët e tij më të rinj në moshë. Pas presionit të vazhdueshëm të mjedisit të tij të punës, ai dërgon mantelin e tij tek një rrobaqepëse, e cila e këshillon të blejë një të ri dhe se ai nuk mund të rregullohej. Sapo ai blen një mantel të ri, atë e grabisin. Nga pikëllimi i madh për mosgjetjen e mantelit, ai sëmuret dhe si pasojë, Akaki Akakievici sëmuret dhe vdes. Pas vdekjes së tij, në rrugët e Peterburgut flitej për një fantazmë që merrte mantelët e të tjerëve.
“Manteli” i liderëve serbë është Vojislav Shesheli dhe sheshelizmi. Vojislav Sheshel është ish kreu i Partisë Radikale Serbe, një kriminel i dënuar lufte dhe njihet si luftënxitësi më i madh gjatë luftërave të viteve ’90. Për shkak të luftënxitjes së tij të zellshme, ai ishtë dënuar për krime lufte, pasi gjykata e Hagës vendosi se ai kishte kërcënuar sigurinë publike të popullatës kroate në Hrtkovc dhe në disa qytete të tjera në Serbi. Politikanë si Shesheli e ateherë Milloshevici, bëjnë pjesë te elita komuniste e dështuar jugosllave, që kur pa dështimin e komunizmit, iu kthye kundër e u bënë nacionalistët më të egër duke e mohuar ideologjinë që i përkisnin deri dje. Milloshevici dhe Sheseli plotësonin njëri-tjetrin në skenën politike të trazuar të asaj kohe. Me radikalizmin e tij, Shesheli ishte asi nën mëngë i Milloshevicit kur ai bisedonte me bashkësinë ndërkombëtare, duke iu thënë se po su morët vesh me mua, ekziston një opsion më radikal se unë.
Idetë shesheliane etnonacionaliste, shoviniste dhe ekspansioniste kanë qenë ideologjia sunduese politike gjatë viteve tek liderët serbë, që nga vitet e 90-ta e deri në ditët e sotme. Për shkak të retorikës së tij nacionaliste, nxitjes për luftë, vënies në panik të popullit të tij dhe arrogancës së tij te tejskajshme, retorika per Serbinë e madhe, në gjuhën serbe është inkorporuar folja “seseljovati”, e cila mund të përkthehet si “shesheloj”. Arroganca e tejskajshme e tij mund të dallohet edhe në retorikën e politikanëve të sotëm të Serbisë. Aleksandar Vucic, Ana Brnabic, Boshko Obradovic e Milica Gjurgjevic Stamenkovski janë përfaqësuesit kryesorë të sheshelizmit në skenën politike aktuale serbe.
Vucici “sheshelon” duke mohuar genocidin e Srebrenicës, masakrën e Recakut, duke quajtur Albin Kurtin si “mbeturinë terroriste”, duke i quajtur politikanët kroatë si “ustashë” etj. Atij i vjen më së shumti natyrshëm të “sheshelojë”, sepse ai në fakt është nxënësi politik i Sheshelit, duke aderuar në partinë e tij në fillimet e viteve të 90-ta dhe duke bërë thirrjen se “për 1 serb të vrarë, do vriten 100 muslimanë”. Boskoja dhe Milica janë politikanë që i përkasin ekstremit të djathtë të spektrit politik, që shpesh të kujtojnë Musolinin dhe Hitlerin me deklaratat e tyre. Përvec se është anti-perëndimor e pro-rus, Boshko dhe partia e tij “Dveri”, ka një orientim neo-fashist, mes të tjerash edhe duke u shprehur kundër marrjes së materialit riprodhues nga shtetet e tjera, që “geni serb” të mos modifikohet. Milica dhe Boshkoja janë pjesë të një të koalicioni politik dhe së bashku kanë 32 deputetë ne parlamentin e Serbisë, që do të thotë, që këto ide shoviniste dhe shesheliane kanë përkrahje tek segmente të caktuara të popullsisë serbe.
Ana Brnabic, pavarësisht se e re dhe gjatë viteve të 90-ta ka qenë e vogël në moshë, shpeshherë ka treguar se doktrina e Sheshelit është e gdhendur thellë në mendimin e saj politik, duke trashëguar ksenofobinë dhe arrogancën e lartë të tij. Para disa vitesh ajo i quante shqiptarët si “njerëz të dalë nga pylli” dhe sa herë i jepet rasti, popullin kroat e quan popull “ustash”. Arroganca e tejskajshme shesheliane u shfaq edhe kur ajo po i përgjigjej ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorne Rhode, që kishte deklaruar që barrikadat duhet të hiqen deri në ditën e Krishtindjeve. Ajo iu përgjigj: “Deri në cilat Krishtlindje? Tonat apo tuajat? Që ta dijmë” duke aluduar në kalendarin gregorian dhe justinian dhe faktin se serbët i festojnë Krishtlindjet me datë 7 janar dhe jo në 25 dhjetor. Ajo gjithashtu shtoi se babagjyshi do e ketë të vështirë të kalojë, duke pasur në mend barrikadat e vendosura. Kjo arrogancë dhe mungesë e empatisë është kryekëput shesheliane.
Liderët serbë nuk mund të jetojnë politikisht pa mantelin sheshelian, ashtu si Akaki Akakievici i Gogolit nuk mund të jetojë pa mantelin e tij. Sapo Akaki Akakievici ndërron mantelin, ai nuk e gëzon dot, për shkak se ja vjedhin. Në kontekstin e liderëve serbë, manteli politik sheshelian është një mburojë e tyre dhe njëfarë garant i votës dhe jetëgjatësisë së tyre politike. Ata rralleherë kërkojnë të ndërrojnë mantelin e vjetër e të arnuar politik të tyre. Kryeministri serb me një orientim më properendimor, Zoran Gjingjic, i ekzekutuar me 12 mars 2003 për shkak të pikëpamjeve të tij, mund të shihet si një përpjekje për të ndërruar mantelin sheshelian të politikës serbe, por që në fund “u vodh” nga mundësia për të veshur një mantel të ri demokratik e pro-perëndimor, përpjekje e cila, i mori dhe jetën. Dostojevski kishte thënë “Të gjithë kemi dalë nga “Manteli” i Gogolit, por në rastin e liderëve serbë, ata të gjithë kanë dalë nga manteli i Sheshelit.