Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka të vendosura 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë pranë vijës kufitare me Kosovën, duke e krahasuar këtë situatë me veprimet e Rusisë para aneksimit të Ukrainës.
Në një intervistë për emisionin “Talking With” të televizionit polak TVP World, Maqedonci ka thënë se, përveç pozicionimit të kapaciteteve ushtarake pranë kufirit, Serbia po mbështet edhe grupe kriminale në Kosovë, me synimin për të destabilizuar vendin.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë kërcënim jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Serbia po mbështet gjithashtu grupet kriminale në Kosovë, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera kriminale, me qëllim që të destabilizojë Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, të kërcënojë edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të paraqitet si një aktor i rëndësishëm dhe të ndjekë interesat e saj hegjemoniste ndaj të tjerëve”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës e shohin me shqetësim pozicionimin e kapaciteteve ushtarake dhe policore serbe përgjatë kufirit, duke e cilësuar këtë si një element të kërcënimit të sigurisë.
“E shohim se Serbia, përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, po e ekspozon Kosovën edhe ndaj kërcënimeve, duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë së forcave ushtarake dhe policore serbe të vendosura pranë vijës kufitare me Kosovën. Kjo na ngjan me atë që bëri Rusia para aneksimit të Ukrainës”, ka thënë ministri.
Krahasimi me Rusinë i referohet vendosjes së kapaciteteve ushtarake pranë territorit të një shteti fqinj, përpara veprimeve që mund të cenojnë sigurinë dhe integritetin e tij territorial.
Deklaratat e Maqedoncit vijnë në një kontekst të tensioneve të vazhdueshme të sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa çështjet e sigurisë kufitare dhe ndikimit të grupeve kriminale mbeten ndër temat kryesore të diskutimit në rajon.

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe”
Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?
Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit!
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit
Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së
Studentët në protestë në Nish, Demokratët Evropianë: Vuçiqi po ndjek gjurmët e Orbanit