Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka reaguar ashpër ndaj idesë që Ratko Mladiq të varroset në Serbi me nderime shtetërore, duke e cilësuar një veprim të tillë si njohje të drejtpërdrejtë të përgjegjësisë së Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Në një deklaratë të publikuar në gjuhën serbe, Stojkoviq argumenton se Mladiqi nuk ka qenë zyrtar i Republikës së Serbisë dhe, sipas tij, nuk ka pasur shtetësi serbe. Megjithatë, ai thotë se varrosja e tij me nderime shtetërore do të krijonte përshtypjen se ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpskas ka qenë pjesë e aparatit shtetëror të Serbisë dhe se ka vepruar në përputhje me urdhrat e saj.
“Varrosja e Ratko Mladiqit me nderime shtetërore të Republikës së Serbisë do të ishte pranim direkt i Serbisë për bashkëpjesëmarrje në gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë”, ka shkruar Stojkoviq.
Sipas tij, një vendim i tillë do të nënkuptonte de facto se Serbia e konsideron Mladiqin si “njeriun e saj” dhe, rrjedhimisht, se krimet për të cilat ai është dënuar do të mund të interpretoheshin si krime të organizuara nga shteti serb.
Mladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpskas, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Dënimi i tij u konfirmua në vitin 2021 nga Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale.
Stojkoviq ka kritikuar veçanërisht ministrin e Drejtësisë të Serbisë për mbështetjen e mundshme të një ceremonie të tillë, duke përdorur gjuhë jashtëzakonisht të ashpër ndaj tij.
Avokati thotë se nderimet shtetërore për Mladiqin do të kishin edhe një dimension politik dhe moral, pasi, sipas tij, do të dërgonin mesazhin se Serbia nuk është e interesuar për pajtim, por për glorifikimin e një figure të dënuar për krime të rënda.
“Ne nuk na intereson pajtimi – na intereson gjaku”, është një nga mesazhet që Stojkoviq pretendon se do të përcillej përmes një varrimi shtetëror.
Ai paralajmëron se një veprim i tillë do të ishte veçanërisht fyes për familjet e viktimave dhe do të mund të shihej si mohim i vuajtjeve të tyre.
Ratko Mladiqi është një nga figurat kryesore të luftës në Bosnje e Hercegovinë. Ai u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas më shumë se 15 vjetësh në arrati, dhe më pas iu dorëzua Tribunalit të Hagës.
Stojkoviq e përmbyll reagimin e tij me paralajmërimin se dhënia e nderimeve shtetërore një komandanti të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera do të ishte jo vetëm një akt simbolik, por edhe një sinjal për të ardhmen dhe mënyrën se si Serbia e trajton trashëgiminë e luftërave të viteve 90-ta.

Mujanoviq: Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë kundër interesave të Kosovës dhe Bosnjës
BE-ja e shqetësuar për praninë e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së, kërkon drejtësi për Banjskën
Instituti Boshnjak në Sarajevë anulon koncertin e muzikantëve rusë për shkak të organizatorëve kontroversë
Ish-aktivisti i SNS-së së Vuçiqit: Banditë të paguar, blerje votash dhe para në dorë për operacione politike në Serbi
Stefanoviq: Opozita duhej t’i hapte rrugë Listës së Studentëve përballë regjimit të Vuçiqit
Kosova diskuton me SHBA-në blerjen e helikopterëve Black Hawk