Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Serbia mbetet pas Malit të Zi, regjimi i Vuçiqit i kushtoi miliarda euro nga BE-ja

The Geopost July 3, 2026 4 min read
Share the news

Mali i Zi po konsolidon pozicionin e tij si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia po mbetet gjithnjë e më prapa në procesin e integrimit, duke rrezikuar të humbasë dhjetëra miliarda euro fonde evropiane, vlerësojnë ekspertët.

Sipas raportimit të Nova, Komisioni Evropian po përgatit një paketë financiare prej 3.2 miliardë eurosh për Malin e Zi në kuadër të buxhetit të ri shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034. Paketa bazohet në pritshmërinë që Podgorica të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2028.

Dokumenti pritet të miratohet nga Kolegji i Komisionerëve javën e ardhshme dhe, ndonëse nuk garanton anëtarësimin, konsiderohet një sinjal i qartë se Brukseli e sheh Malin e Zi si vend me perspektivë reale për t’u bërë pjesë e bllokut gjatë ciklit të ardhshëm buxhetor.

Sipas propozimit, Mali i Zi do të ketë qasje në 1.99 miliardë euro përmes Planit Kombëtar dhe Rajonal të Partneritetit, 277 milionë euro nga Politika e Përbashkët Bujqësore, 592 milionë euro për programet e punëve të brendshme, 37 milionë euro për programet e bashkëpunimit ndërkufitar Interreg, si dhe fonde shtesë nga programe të tjera të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, Serbia nuk përfiton aktualisht nga këto mekanizma financimi, ndërsa procesi i integrimit të saj ka mbetur pothuajse i ngrirë.

Jelica Minić nga Lëvizja Evropiane në Serbi vlerëson se, nëse Serbia do të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian gjatë të njëjtës periudhë, do të përfitonte rreth 3 miliardë euro në vit nga fondet evropiane, ndërsa kontributi i saj në buxhetin e BE-së do të ishte rreth 750 milionë euro në vit.

“Sipas parashikimeve të buxhetit të BE-së për periudhën 2028–2034, Serbia do të kishte një fitim neto prej rreth 2.2 miliardë eurosh në vit. Në total, kjo do të nënkuptonte rreth 21 miliardë euro ndihmë të parimbursueshme për reforma dhe zhvillim gjatë shtatë viteve”, tha Minić.

Ajo shtoi se Serbia aktualisht përfiton vetëm 200 deri në 300 milionë euro në vit përmes Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA), që do të thotë se fondet do të ishin shtatë deri në dhjetë herë më të larta në rast të anëtarësimit.

Sipas saj, Serbia po mbetet pjesë e asaj që e quan “vrimë e zezë” e integrimit evropian, së bashku me Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përparojnë përmes zbatimit të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Minić paralajmëron se fondet që fillimisht ishin paraparë për vendet që nuk ecin përpara në procesin e integrimit mund të rialokohen tek kandidatët më të suksesshëm.

“Kështu, Serbia rrezikon të humbasë rreth 1.5 miliardë euro vetëm për shkak të rialokimit të fondeve”, theksoi ajo.

Ekspertja nënvizoi se problemi nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, por edhe me mbështetjen e qytetarëve për integrimin evropian.

Sipas saj, në Shqipëri pothuajse nuk ka kundërshtim ndaj anëtarësimit në BE, ndërsa në Mal të Zi mbështetja publike lëviz ndërmjet 75 dhe 81 për qind. Në Maqedoninë e Veriut ajo varion nga 65 deri në 70 për qind, ndërsa në Serbi mbështetja ka rënë në rreth 40 për qind, pothuajse sa edhe numri i qytetarëve që kundërshtojnë anëtarësimin.

Ndërkohë, Mali i Zi vazhdon të mbyllë kapituj negociues dhe të avancojë drejt anëtarësimit, ndërsa Serbia prej vitesh nuk ka hapur asnjë kapitull apo grup të ri negociues.

Në raportet e saj të rregullta, Komisioni Evropian ka shprehur vazhdimisht shqetësime për sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian vlerësoi gjithashtu se ndryshimet e fundit në sistemin gjyqësor përbëjnë hap prapa për pavarësinë e drejtësisë.

Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, paralajmëroi në muajin maj se Brukseli ka pezulluar pagesat në kuadër të Planit të Rritjes për Serbinë.

“Për momentin kemi ndaluar të gjitha pagesat sipas Planit të Rritjes sepse Serbia ka mbetur prapa në fushën e gjyqësorit. Derisa këto mangësi të korrigjohen, nuk do të ketë mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, përpara anëtarësimit kërkohet përputhshmëri e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Serbia nuk mund të vazhdojë të ulet në dy karrige. Në një moment do të duhet të zgjedhë drejtimin e saj”, deklaroi Kos.

Kritika të ashpra ka adresuar edhe Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), e cila fajëson drejtpërdrejt qeverinë e Aleksandar Vuçiqit për stagnimin e vendit.

“Nën sundimin e Partisë Progresive Serbe, Serbia ka mbetur e bllokuar në propagandë, reforma të rreme, krim dhe korrupsion, ndërsa Mali i Zi po siguron qasje në fondet evropiane. Qeveria e Vuçiqit po i kushton Serbisë jo vetëm lirinë dhe institucionet, por edhe dhjetëra miliarda euro që mund të investoheshin në rrugë, spitale, shkolla, bujqësi, energji dhe paga”, thuhet në reagimin e PSG-së.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, mungesa e reformave, përplasjet me Brukselin dhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian po e lënë Serbinë gjithnjë e më larg anëtarësimit, ndërsa vendet e tjera të rajonit po përfitojnë nga mbështetja financiare dhe politike e BE-së.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Bashkimi Evropian BE Serbia

Continue Reading

Previous: Trump publikon shifrat – kush sa shpenzon për mbrojtjen në NATO?
Next: Kriza e karburantit në Rusi kalon në nivel kombëtar, rriten tensionet ekonomike

Si dezinformon portali Novosti për stërvitjet e rregullta ushtarake në Kroaci 3 min read
  • News

Si dezinformon portali Novosti për stërvitjet e rregullta ushtarake në Kroaci

The Geopost July 5, 2026
Gazetari gjerman Brey: Si mediat serbe, pa kontekst, riprodhojnë narrativat e Kremlinit 3 min read
  • Ballkan
  • News

Gazetari gjerman Brey: Si mediat serbe, pa kontekst, riprodhojnë narrativat e Kremlinit

The Geopost July 4, 2026
KE përsërit zhgënjimin ndaj Serbisë për mosndëshkimin e përgjegjësve të sulmit në Banjskë 1 min read
  • Ballkan

KE përsërit zhgënjimin ndaj Serbisë për mosndëshkimin e përgjegjësve të sulmit në Banjskë

The Geopost July 4, 2026
Opozita në Serbi kërkon reagim nga shteti për posterët kundër shqiptarëve në Krushevc 2 min read
  • Ballkan
  • News

Opozita në Serbi kërkon reagim nga shteti për posterët kundër shqiptarëve në Krushevc

The Geopost July 4, 2026
Rusia mbështetet te studentët për të kompensuar humbjet në rritje në Ukrainë 3 min read
  • Botë
  • News

Rusia mbështetet te studentët për të kompensuar humbjet në rritje në Ukrainë

The Geopost July 4, 2026
Vendim historik: Gjykata Speciale për agresionin rus do të bëhet në Holandë 2 min read
  • Botë
  • News

Vendim historik: Gjykata Speciale për agresionin rus do të bëhet në Holandë

The Geopost July 4, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.