Doran Vojka, analisti i çështjeve ndërkombëtare, ka qenë i ftuar në Euronews Albania, ku ka folur për zhvillimet e fundit në rajon. Vojka tha se hyrja e Kosovës në NATO dhe kërkesa e kongresmenëve që është publikuar së fundmi lidhet edhe me gjendjen aktuale të gjeopolitikës.
“Nuk ka rastësi në politikë, nuk ka lëvizje të pamenduara nga SHBA. Ka një lëvizje në unison të plotë, një lëvizje ushtarake nga ana e ushtrisë dhe një lëvizje nga ana civile dhe nga ana e politikës amerikane, aty ku u bashkua me kërkesën e kongresmenëve”.
“Dua të kthehemi pak te realiteti. Për realitetin do të isha më i rezervuar. Përsa i përket kësaj të futjes së Kosovës në NATO në këto aspekte afatshkurtra, dhe e them këtë sepse, duke marrë parasysh që ajo fryma në SHBA, ajo fryma e politikanëve, nuk është një frymë për zgjerimin e NATO-s por për daljen nga NATO. E shohin si diçka negative. Të gjitha këto kërkesa kanë ardhur nga Trump sepse NATO-n e shohin si barrë. Një mundësi pse kjo lëvizje është e shpejtë ndoshta ndodh edhe për faktin e luftës me Iranin. Një prej bankave më të mëdha, JP Morgan, thotë se rezervat do të zgjasin deri në mes të majit. Një prej arsyeve që po i kushtohet vëmendje Kosovës është se aty mund të pasojë ai baruti i mbajtur i lagur në Ballkan.” – tha analisti Doran Vojka.
E ftuar në një lidhje live nga Uashingtoni për emisionin “Balkan Talks”, edhe publicistja dhe gazetarja Keida Kostreci komentoi nismën e tre kongresmenëve amerikanë për paraqitjen e një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas Kostrecit, çdo veprim i këtij lloji në SHBA ka rëndësi të veçantë, sidomos kur mbështetja vjen në mënyrë dypartiake.
“Çdo rezolutë në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, aq më tepër kur kemi një grup anëtarësh të kongresit nga të dyja partitë, është diçka e rëndësishme sepse sjell fokusin tek ajo që mbetet ‘themra e Akilit’ në Ballkan,” u shpreh ajo.
Megjithatë, gazetarja theksoi se përtej simbolikës politike, duhet parë me realizëm mundësia e zbatimit të një nisme të tillë, duke marrë në konsideratë pengesat ekzistuese brenda aleancës.
“Duhet të kemi parasysh sa realiste është një gjë e tillë, duke qenë se katër vende anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën dhe vendimmarrja në NATO bëhet me konsensus,” theksoi Kostreci, duke nënvizuar se një proces i tillë do të jetë dhe kompleks.
Ajo shtoi se dinamika globale dhe prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndikojnë drejtpërdrejt në këtë çështje.
“Duhet parë gjithashtu sa interes ka administrata amerikane të merret me këtë temë, duke pasur parasysh zhvillime të tjera si tensionet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e ndërlikuara me disa vende të NATO-s,” u shpreh ajo.Ndryshe, Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Ajo gjithashtu është aktualisht duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të zgjasë deri më 2028.
Për më tepër, Kosova nuk është as pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, i cili shërben si rrugë për çdo vend që dëshiron të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.
Pranimi i një anëtari të ri kërkon njëzëshmëri brenda aleancës, prandaj edhe rezoluta e paraqitur nga kongresistët i kërkon Uashingtonit t’i nxisë këto katër vende anëtare ta njohin shtetin më të ri në Evropë.

Kosova ndjek SHBA-në në Gazë
Finlanda thotë se dyshohet se një dron shkeli hapësirën e saj ajrore
Trump hedh dyshime mbi propozimin e ri të paqes të Iranit
Forcat e NATO-s nisin stërvitjet në shkallë të gjerë ‘Amber Shock 26’ në Poloni
A do të zhvillohet samiti i NATO-s në vitin 2028?
Lufta me dronë në Ukrainë ka rishkruar tashmë të ardhmen e NATO-s