Influencuesja ruse Victoria Bonya, e njohur për përmbajtje të lehtë në Instagram, i befasoi 13 milionë ndjekësit e saj me një video të pazakontë ku iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin, duke thënë se në Rusi “të gjithë kanë frikë” – nga blogerët e deri te guvernatorët.
Videoja, e publikuar më 14 prill, arriti rreth 20 milionë shikime dhe mbi një milion pëlqime, duke ndezur debat në rrjetet sociale në një vend ku kritikat ndaj pushtetit dhe debati politik mbahen nën kontroll të rreptë.
“Vladimir Vladimiroviç, ata kanë frikë prej teje… Nuk mendoj se duhet të kemi frikë prej teje”, tha Bonya në videon gati 20-minutëshe. Megjithatë, ajo shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Putinit, duke sugjeruar se zyrtarët “nuk e informojnë” presidentin për problemet reale në terren. Lufta në Ukrainë nuk u përmend.
Bonya foli për çështje të përditshme dhe ankesa qytetare, përfshirë përmbytjet në Dagestan, ndotjen në bregdetin e Detit të Zi, therjen e bagëtive dhe lidhjet e bllokuara ose të ngadalta të internetit.
Reagimet erdhën në një moment kur, sipas sondazheve të opinionit në Rusi, popullariteti i Putinit po shënon rënie. Qendra Shtetërore Ruse për Kërkimin e Opinionit Publik raportoi se miratimi për Putinin kishte rënë në 67.8%, niveli më i ulët që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.
Sociologu rus në mërgim, Igor Eidman, i tha Shërbimit Rus të Radios Evropa e Lirë se rezultatet mund të lidhen edhe me kufizimet në internet, ndërsa autoritetet ruse përpiqen të shtypin mendimet kundërshtare.
“Është marrë një vendim politik për të izoluar Rusinë dhe përdoruesit rusë të internetit nga interneti global, për të ndjekur kursin e ndjekur nga Kina ose Irani”, tha ai.
Ndërkohë, Kremlini ka pranuar se ndërprerjet masive të internetit në celular, që prekën miliona qytetarë, janë të përkohshme. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi më 14 prill se kufizimet do të hiqen kur “të kalojë nevoja për këto masa”.
Në të njëjtën kohë, presioni ndaj blogerëve pro-luftës që kritikojnë mënyrën si po zhvillohet fushata ushtarake ruse po vazhdon. Më 13 prill, kanali Telegram i Aleksandr Vaskovskyt njoftoi se ai ishte ndaluar për “diskreditim të ushtrisë” pasi kishte shkruar për korrupsionin në autoritetet pushtuese ruse në Donetsk. Ai u lirua të nesërmen, por tha se do të përballet me akuza në gjykatë.
Në një rast tjetër, mbështetësi i njohur i Kremlinit, Ilya Remeslo, u shtrua në spital psikiatrik më pak se dy ditë pasi publikoi kritika të ashpra ndaj luftës dhe vetë Putinit.
Bonya, e cila jeton në Monako, dhe influencuesja Aiza, që ndodhet në Bali, mund të mendojnë se janë jashtë rrezikut të drejtpërdrejtë nga masat represive. Megjithatë, pas valës së reagimeve, Bonya publikoi më 15 prill një video ku u distancua nga çdo rol opozitar, duke thënë se nuk ka “asgjë më shumë për të thënë”.
Më 16 prill, ajo deklaroi se, sipas saj, Peskov kishte thënë se videoja e saj ishte parë në Kremlin dhe se problemet e përmendura po “trajtoheshin”.
The GeoPost

Trump: Pranoni marrëveshjen ose Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran
Ministri i Jashtëm boshnjak kritikon ashpër Serbinë: Po fshihni kriminelët
Hoxha-Gjuriq me qëndrime thelbësisht të ndryshme për Kosovën, Shqipëria hap konsullatë në Bujanoc
Ish-diplomati amerikan: Moska po rikthen taktikat sovjetike pas stagnimit në frontin e luftës
Qendra ruse “humanitare” në Nish si mbulesë për ndikim: Beogradi thellon bashkëpunimin me Moskën pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimi
Nga Moska te Brukseli: A po ndryshon drejtimi i Hungarisë?