Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë
  • News

Komandantët ukrainas i tregojnë Senatit mësime për luftën me dronë

The Geopost August 8, 2026 6 min read
Share the news

Kjo nuk ishte hera e parë gjatë pushtimit të plotë rus të Ukrainës që zyrtarë ukrainas shkuan në Uashington për të kërkuar armë, municion dhe mbështetje financiare. Por këtë herë mesazhi ishte dukshëm ndryshe.

Sipas ligjvënësve, organizatorëve dhe pjesëmarrësve të intervistuar nga REL, dy komandantë ukrainas të njësive të dronëve nga vija e frontit vizituan Kongresin më 29 korrik, jo për të kërkuar më shumë ndihmë, por për të shpjeguar se çfarë mund të mësojnë Shtetet e Bashkuara nga gati pesë vjet luftime në luftën e parë në botë me përdorim në shkallë kaq të gjerë të dronëve.

Dreka me dyer të mbyllura e Komitetit Drejtues të Republikanëve në Senat, e kryesuar nga senatori i Floridës, Rick Scott, mblodhi pothuajse të gjithë senatorët republikanë për një informim jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si ka ndryshuar lufta gjatë më shumë se katër vjetëve të luftimeve në Ukrainë.

Takimi përkoi me vizitën e presidentit Volodymyr Zelensky në Uashington dhe u zhvillua në kohën kur Kievi dhe Uashingtoni po negociojnë një marrëveshje më të gjerë bashkëpunimi për dronët, pasi nënshkruan një kornizë fillestare më herët gjatë kësaj vere.

REL ka mësuar se prezantimi, i cili zgjati rreth 30 minuta, u përqendrua më pak te armët e veçanta dhe më shumë te mësimet operacionale që Ukraina ka nxjerrë përmes përshtatjes së vazhdueshme në fushëbetejë.

Komandantët përshkruan se si sistemet pa pilot e kanë transformuar luftën, shpjeguan se si dronët e kanë izoluar Krimenë pa ofensiva të mëdha tokësore, folën për rolin e Iranit, Koresë së Veriut, Kinës dhe aktorëve të tjerë që mbështesin Rusinë dhe argumentuan se përvoja e Ukrainës ka rëndësi shumë përtej luftës aktuale – përfshirë për sigurinë e brendshme të SHBA-së dhe konfliktet e mundshme të ardhshme që mund të përfshijnë Iranin apo Tajvanin.

Disa pjesëmarrës thanë se përfundimi më i rëndësishëm i takimit nuk ishte vetë teknologjia ukrainase e dronëve, por qasja ushtarake që qëndron pas saj.

“I ftova këtu dy komandantë ukrainas që të shpjegojnë se çfarë kanë bërë me teknologjinë e dronëve dhe mënyrën e tyre të luftimit, dhe vërtet duhet t’i admirosh”, tha Scott, duke shtuar se ishte i impresionuar nga cilësia e operatorëve ukrainas.

Scott kujtoi se njëri prej komandantëve kishte treguar se një forcë prej rreth 2.000 pjesëtarësh kishte shkatërruar pajisje ushtarake ruse me vlerë prej afro 15 miliardë dollarësh.

Një komandant tjetër, i cili udhëheq një njësi që merr vetëm një pjesë të vogël të buxhetit të mbrojtjes së Ukrainës, tha se forca e tij i kishte shkaktuar Rusisë rreth 30 për qind të humbjeve në fushëbetejë përmes sistemeve autonome, operatorëve shumë të trajnuar dhe përshtatjes së vazhdueshme.

“Njerëzit që operojnë dronët komunikojnë drejtpërdrejt me ata që e ndërtojnë teknologjinë”, tha Scott. “Ka përmirësime të vazhdueshme, ditë pas dite.”

Vlerësimi se përparësia më e madhe krahasuese e Ukrainës nuk është prodhimi, por kapitali njerëzor, pasqyron një ndryshim më të gjerë që po ndodh në Uashington.

Për vite të tëra, debati ishte përqendruar te pyetja se sa shpejt Shtetet e Bashkuara mund ta armatosnin Ukrainën. Gjithnjë e më shumë ligjvënës tani besojnë se SHBA-ja duhet të përvetësojë edhe mësimet nga përvoja e Ukrainës në fushëbetejë.

Scott bëri një krahasim të theksuar mes kapaciteteve të dy vendeve për prodhimin e dronëve.

“Ukraina do të prodhojë mbi pesë milionë dronë këtë vit. Ne do të prodhojmë më pak se 100.000”.

Sipas tij, sfida është po aq institucionale sa edhe teknologjike.

“Duhet të marrim vendime më shpejt në kompleksin tonë ushtarako-industrial… Duhet të përqendrohemi tek ajo që është e rëndësishme tani, jo pas pesë vjetësh.”

Ky ndryshim në qasje ishte i qëllimshëm, sipas Alik Kasmanit, drejtor për strategji në Institutin Peace Through Strength, i cili ndihmoi në organizimin e takimit në Senat.

“Ky udhëtim nuk kishte të bënte me paraqitjen e një kërkese”, tha Kasman. “Ishte më shumë për atë që Ukraina mund të ofrojë”.

Kasman pranoi se takimet nuk sollën ndonjë zotim formal.

“Të marrësh një zotim nga një politikan është pothuajse si të shkosh në Hënë”, tha ai me shaka.

Në vend të kësaj, sipas tij, qëllimi i delegacionit ishte t’i bindte vendimmarrësit se Ukraina nuk duhet të trajtohet më thjesht si përfituese e ndihmës ushtarake.

“Vizioni im personal është që, në vitin e pestë të luftës, Ukraina të mos shihet si një lypëse që kërkon ndihmë”, tha ai. “Ukraina duhet të shihet si partnere.”

Revolucioni ukrainas i dronëve, sipas Kasmanit, u përshpejtua pasi vonesat në ndihmën ushtarake amerikane në fund të vitit 2023 dhe fillim të vitit 2024 e detyruan Kievin të kërkonte alternativa më të lira ndaj armëve konvencionale.

Sipas tij, fakti që Rusia më pas e përvetësoi gjerësisht përdorimin e dronëve, pavarësisht rezervave të mëdha të municioneve tradicionale, dëshmon se sistemet autonome janë bërë pjesë qendrore, dhe jo vetëm plotësuese, e luftës moderne.

Rëndësia e kësaj shkon përtej Ukrainës. Kasman argumentoi se operacionet e fundit amerikane në Lindjen e Mesme kanë nxjerrë në pah dobësi në vetë strukturën e forcave të SHBA-së.

Përdorimi i raketave përgjuese Patriot, që kushtojnë miliona dollarë, kundër dronëve që kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë është ekonomikisht i paqëndrueshëm, tha ai.

“Llogaria nuk del”.

Sipas Kasmanit, Ukraina mund të ofrojë diçka më të vlefshme sesa teknologji të veçanta.

“Nuk është vetëm teknologjia. Është ekspertiza praktike, ekosistemi përreth saj – e gjithë kjo.”

Bill Cole, themelues i Institutit Peace Through Strength dhe një tjetër organizator i takimit, tha se informimi në Senat ishte ndërtuar rreth një koncepti: “doktrina”.

“Lufta moderne nuk ka të bëjë me dronin”, tha Cole për Radion Evropa e Lirë. “Ka të bëjë me ndryshimin e doktrinës”.

Sipas Cole, komandantët ukrainas theksuan se në fushëbetejën e sotme kryhen rreth 10.000 misione me dronë çdo ditë, duke i detyruar ushtritë të heqin dorë nga ciklet e prokurimit që zgjasin me vite dhe të përdorin modele operacionale që evoluojnë brenda javësh.

Komandantët përshkruan një cikël pothuajse të pandërprerë të shkëmbimit të informatave mes operatorëve në vijën e frontit, zhvilluesve të softuerit dhe prodhuesve, duke mundësuar që sistemet të modifikohen në kohë reale ndërsa ndryshojnë taktikat ruse.

Pikërisht ky model, dhe jo ndonjë platformë e veçantë, u paraqit si eksporti më i vlefshëm që mund të ofrojë Ukraina.

Cole argumentoi se shumë ushtri perëndimore vazhdojnë të përqendrohen në blerjen e pajisjeve të reja, ndërkohë që duhet të rikonceptojnë mënyrën se si luftojnë forcat e tyre.

“Mund të të duhet të blesh diçka duke e ditur se pas tre muajsh do të jetë e vjetruar”, tha ai.

Diskutimet u zhvilluan në kohën kur Rusia po e intensifikon presionin edhe përtej kufijve të Ukrainës.

Më 6 gusht, kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, Roger Wicker, paralajmëroi se incidentet me raketa dhe dronë rusë që përfshinin Poloninë dhe Rumaninë pasqyronin përpjekje të qëllimshme për ta frikësuar NATO-n, duke argumentuar se Moska “kupton vetëm forcën dhe imponimin e një kostoje”.

Edhe republikanë të tjerë mbështetën argumentin se bashkëpunimi me Kievin tashmë është bërë i ndërsjellë.

“Ukraina ka qenë shumë mbresëlënëse… veçanërisht në teknologjinë e dronëve”, tha për Radion Evropa e Lirë senatori John Curtis nga Utah. “Fakti që kemi mundësinë të ndajmë njohuritë tona me ta dhe të mësojmë prej tyre tregon se si aleatët mund të bashkëpunojnë në mënyrë që përfitimi të jetë i ndërsjellë”.

Kasman paralajmëroi se vonesat në zbatimin e një partneriteti më të gjerë SHBA-Ukrainë për dronët do të kishin pasoja që shkojnë shumë përtej Evropës Lindore.

“Çdo vonesë është shumë e dëmshme”, tha Kasman.

Tags: Rusi SHBA Ukraine

Continue Reading

Previous: BE-ja do të përdorë 1.4 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse për të financuar mbështetjen për Ukrainën
Next: Dronët detarë ukrainas godasin portin e Jaltës në Krime

Dronët detarë ukrainas godasin portin e Jaltës në Krime 1 min read
  • Botë
  • News

Dronët detarë ukrainas godasin portin e Jaltës në Krime

The Geopost August 8, 2026
BE-ja do të përdorë 1.4 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse për të financuar mbështetjen për Ukrainën 2 min read
  • Botë
  • News

BE-ja do të përdorë 1.4 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse për të financuar mbështetjen për Ukrainën

The Geopost August 7, 2026
Gjenden mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në Zubin Potok 3 min read
  • Ballkan
  • News

Gjenden mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në Zubin Potok

The Geopost August 7, 2026
Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin 8 min read
  • News

Lidhjet e lëvizjes ruse të ekstremit të djathtë me Ballkanin

The Geopost August 7, 2026
Senatorët kërkojnë që SHBA-ja të rivendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska 3 min read
  • Ballkan
  • News

Senatorët kërkojnë që SHBA-ja të rivendosë sanksione ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska

The Geopost August 7, 2026
Gjermania vendos mbrojtje të reja në aeroporte – synohet neutralizimi i dronëve 1 min read
  • Botë
  • News

Gjermania vendos mbrojtje të reja në aeroporte – synohet neutralizimi i dronëve

The Geopost August 7, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.