Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Lajme

Vuçiq sfidon Perëndimin, rreshtohet hapur me Maduron edhe pas arrestimit

The Geopost January 7, 2026 6 min read
Share the news

“Shok i madh”… Kështu e përshkruanin zyrtarët e Serbisë deri së fundi liderin tashmë të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduron.

Ndërsa rrëzimin e tij në një aksion amerikan e vlerësuan si “të drejtën e forcës” dhe “të drejtën e më të fortit”.

“Konstatimi nuk ishte kështu kur, në vitin 2022, Rusia e filloi luftën në Ukrainë”, tha për REL-in Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi.

Beogradi zyrtar mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë dhe vazhdoi të mbajë lidhje me Moskën.

Serbia forcoi marrëdhëniet me Venezuelën dhe regjimin e saj autoritar, ndërkohë që ky vend, i afërt me Rusinë, ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Maduro u arrestua së bashku me bashkëshorten e tij më 3 janar në një aksion të SHBA-së në Venezuelë, nga ku u transferuan në Nju Jork, ku do të përballen me akuza për trafik droge.

Një ditë pas këtij aksioni, Vuçiq tha se po shembet rendi i vjetër botëror dhe se asnjë rregull nuk vlen, duke vlerësuar se dominon e drejta e forcës dhe se “kush është më i fortë, ai shtyp”.

Ndërsa, fjalë më të rënda, siç tha ai, nuk u përdorën për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Vlerësimet e presidentit të Serbisë për Jelica Miniq, nga Lëvizja Evropiane, janë pjesërisht rezultat i interesave në marrëdhëniet dypalëshe “ashtu siç i sheh ai”.

“Dhe pjesërisht frikë se Serbia po jep mjaft arsye në skenën ndërkombëtare, të cilat mund të shfrytëzohen për ndonjë ndërhyrje të re, të këtij apo atij lloji, kundër regjimit të tij”, shtoi ajo.

Vuçiq më 5 janar deklaroi se i kupton interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe se e respekton jashtëzakonisht shumë si presidentin Donald Trump, ashtu edhe SHBA-në, por se Serbia nuk ka alternativë tjetër përveçse të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështetën aksionin amerikan, duke deklaruar se bëhet fjalë për një regjim narko-kriminal dhe se Maduro është diktator që nuk erdhi në pushtet falë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Departamenti amerikan i Shtetit deri në publikimin e këtij teksti nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me reagimin e presidentit të Serbisë ndaj rrëzimit të Maduros.

Aksionin e SHBA-së e dënuan Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se aksioni ushtarak amerikan përfaqëson një “precedent të rrezikshëm”.

Shumë aleatë të Uashingtonit, edhe pse deklaruan se nuk kanë simpati për Maduron apo regjimin e tij, paralajmëruan për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Rrëzimin e Madurit e përshëndetën venezuelianët që jetojnë në mërgim.

Miqësia për shkak të Kosovës

Zyrtarët në Serbi vitet e kaluara kanë deklaruar se Serbia dhe Venezuela janë “miq të vërtetë”.

Miqësia buronte nga refuzimi i Venezuelës për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa në forcimin e lidhjeve, Serbia dhe Venezuela në mesin e vitit 2023 nënshkruan Marrëveshjen për heqjen e vizave.

Duke komentuar reagimin e presidentit të Serbisë, Jelica Miniq vlerësoi se “Maduro konsiderohej ‘mik’ dhe aleat për shkak të afërsisë së regjimeve”.

Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, Serbia është një vend me demokraci të dëmtuar, ku cenohen liritë qytetare dhe ushtrohet presion mbi mediat e pavarura.

Qëndrimi ndaj legjitimitetit të Maduros

Serbia, pavarësisht sanksioneve të BE-së, disa prej të cilave i ka mbështetur edhe vetë, nuk e ka vënë në dyshim legjitimitetin e Maduros.

Njëkohësisht, ajo mbështeti deklaratën politike të BE-së me të cilën vihet në dyshim procesi zgjedhor i 28 korrikut 2024 dhe thuhet se Maduro nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, por gjithashtu pati përfaqësuesin e saj në inaugurimin e tij.

Kryetarja e Parlamentit, Ana Bërnabiq, mori pjesë në janar të vitit2025 në inaugurimin e Maduros në Karakas, ku ai filloi mandatin e tretë gjashtëvjeçar.

Bërnabiq deklaroi atëherë se Venezuela, si “mike e madh e Serbisë”, ndihmon që qëndrimi për paprekshmërinë e kufijve të ndahet nga një numër i madh vendesh të Amerikës Latine dhe vendeve të Karaibeve.

Beogradi, ndër të tjera, llogarit edhe në këtë grup vendesh në luftën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Mosnjohjen e Kosovës e theksoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një bisede telefonike me Maduron në gusht të vitit 2025.

Atëherë ai e quajti atë mik të madh të Serbisë, duke shprehur bindjen se në vitet që vijnë do të vazhdojnë të kultivojnë këtë “miqësi të çmuar”.

Gjithashtu, në qershor 2025, në Beograd mbërriti zëvendësministrja venezueliane e Punëve të Jashtme për Evropën dhe Amerikën e Veriut, Andrea Gabriela Korao Faria.

Ajo mori pjesë në takimin e parë për planifikimin e pjesëmarrjes ndërkombëtare në Ekspozitën e Specializuar Ekspo, që do të mbahet në Beograd në vitin 2027.

Sanksionet ndaj Venezuelës

Ndërsa Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, forconte marrëdhëniet me Venezuelën, Brukseli vendoste sanksione ndaj regjimit atje.

Sanksionet u vendosën në fund të vitit 2017 dhe më pas u plotësuan.

Kështu, Këshilli Evropian më 15 dhjetor i zgjati edhe për një vit masat ekzistuese kufizuese duke pasur parasysh situatën në Venezuelë.

Siç mëson jozyrtarisht REL-i, Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, u harmonizua me këtë vendim.

Vendimi u mor në dritën e veprimeve të vazhdueshme që minojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe represionit ndaj shoqërisë civile dhe opozitës demokratike.

Kjo, siç u njoftua, përfshin edhe ngjarjet pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut 2024.

Serbia me disa vendime për sanksionet e BE-së ndaj Venezuelës është harmonizuar, ndërsa me disa të tjera jo.

Në fuqi janë edhe sanksione të gjera amerikane, të cilat, ndër të tjera, janë të përqendruara ndaj individëve të lidhur me regjimin e Nikolas Maduros, si dhe ndaj sektorit të naftës së Venezuelës.

Kthesë e Serbisë drejt SHBA-së?

Kritikat ndaj aksionit të SHBA-së janë shpërndarë edhe nga tabloidet proqeveritare në Serbi.

Nga mbështetja për Trumpin, e cila u reflektua edhe në vendosjen e billbordeve me mbishkrimin “Trump, serb”, tani shkruajnë për “shpërbërjen e të gjitha ligjeve dhe logjikës”.

E pyetur nëse vlerësimet e presidentit të Serbisë mund të ndikojnë në marrëdhëniet me SHBA-në, Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane theksoi se aty tashmë ekzistojnë probleme serioze.

“Edhe Serbia ka një vend të veçantë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, të dhjetorit 2025, ku me akt ekzekutiv parashikohet politika e mëtejshme ndaj rajonit tonë”, tha ajo.

Në Ligjin për autorizimin e mbrojtjes kombëtare, të cilin Trumpi e ka nënshkruar së fundi, përmenden edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për integrimin e tyre euroatlantik dhe uljen e varësisë energjetike nga Rusia.

Në këtë ligj shprehet gjithashtu shqetësim për gjendjen e demokracisë në Serbi, por përcaktohet edhe se Serbia dhe Kosova duhet të synojnë arritjen e përparimit të menjëhershëm lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Po ashtu theksohet se SHBA-ja duhet të vazhdojë të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohet në njohjen reciproke.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundi ka pranuar se në vend të përparimeve të mëdha të pritura nga administrata e Trumpit, kanë ardhur vendime që nuk janë në interes të Serbisë.

Tags: Aleksandar Vuçiq Kosova Nicolás Maduro Serbia

Continue Reading

Previous: Gjatë festimit të Krishtlindjeve ortodokse, serbët shfaqin simbole nacionaliste provokuese në Graçanicë dhe Shillovë
Next: Ponosh: Retorika e Vuçiqit për luftën është vetëm për shkak të vitit zgjedhor

Dodik ndjek retorikën e Vuçiqit, e quan “kërcënim” bashkëpunimin Kosovë–Shqipëri–Kroaci 7 min read
  • Ballkan

Dodik ndjek retorikën e Vuçiqit, e quan “kërcënim” bashkëpunimin Kosovë–Shqipëri–Kroaci

The Geopost April 17, 2026
Vuçiq del hapur pro Kremlinit, pajtohet me Lavrovin se BE-ja po e kthen Serbinë në “zonë tampon” kundër Rusisë 4 min read
  • Ballkan

Vuçiq del hapur pro Kremlinit, pajtohet me Lavrovin se BE-ja po e kthen Serbinë në “zonë tampon” kundër Rusisë

The Geopost April 17, 2026
Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë” 2 min read
  • Ballkan

Vuçiq vazhdon me pretendime për Kosovën: S’kemi qëllim të përdorim armë për “atë që i përket Serbisë”

The Geopost April 16, 2026
Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë 3 min read
  • Ballkan
  • Siguri

Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, hedhin poshtë pretendimet e Serbisë

The Geopost April 16, 2026
Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së 3 min read
  • Ballkan
  • News

Narrativat ruse dhe ndikimi në Serbi: Mesazhe që nxisin mosbesim ndaj BE-së

The Geopost April 16, 2026
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska 4 min read
  • Ballkan

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska

The Geopost April 15, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.