Ukraina u bëri thirrje të mërkurën banorëve që jetojnë në zonat e pushtuara nga Rusia pranë termocentralit bërthamor Zaporizhia të largohen nga zona për shkak të sigurisë.
“U bëj thirrje banorëve të qarqeve ngjitur me termocentralin bërthamor të Zaporizhias… evakuohuni! Gjeni një mënyrë për të arritur në territorin e kontrolluar nga Ukraina,” tha zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk në platformën Telegram.
Në një postim të veçantë në Telegram, kryebashkiaku ukrainas në mërgim i Enerhodarit, tha se centrali ishte nën zjarr të vazhdueshëm nga forcat ruse dhe qyteti nuk kishte furnizim me energji elektrike.
Si Moska ashtu edhe Kievi kanë akuzuar për javë të tëra njëri-tjetrin për bombardimin e centralit bërthamor, më i madhi në Evropë, duke rrezikuar një fatkeqësi bërthamore të ngjashme me atë në uzinën e Çernobilit në vitin 1986.
Të martën, Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, tha se sulmet e vazhdueshme në termocentralin bërthamor të Zaporizhias janë “të papranueshme” dhe kërkoi që të krijohet një zonë e çmilitarizuar brenda dhe përreth objektit. Zoti Grossi dhe një ekip inspektorësh të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore vizituan centralin javën e kaluar.
“Po luhet me zjarrin dhe diçka shumë, shumë katastrofike mund të ndodhë,” paralajmëroi zoti Grossi gjatë një video-konference në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Kjo është arsyeja pse në raportin tonë ne po propozojmë krijimin e një zone mbrojtëse dhe sigurisë bërthamore të kufizuar në perimetrin e vetë centralit”.
Por as Moska dhe Kievi nuk u angazhuan menjëherë për propozimin e zotit Grossi, duke thënë se duhej të dinin më shumë detaje.
Guvernatori rajonal ukrainas Valentyn Reznichenko tha se qyteti i Nikopolit, në bregun e kundërt të lumit Dnieper nga centrali bërthamor, u godit të mërkurën nga raketat ruse dhe artileria e rëndë.
“Ka zjarre, ndërprerje dhe incidente të tjera në uzinë që na detyrojnë të përgatisim popullsinë lokale për pasojat e rrezikut bërthamor,” tha zoti Reznichenko. Ditët e fundit, zyrtarët kanë shpërndarë pilula jodi për banorët për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre në rast të rrjedhjes së rrezatimit.
Në zhvillime të tjera, luftime të ashpra u njoftuan në veri, pranë qytetit të Kharkivit; në lindje, në rajonin industrial të Donbasit; dhe në jug, në rajonin Kherson, ku Ukraina ka nisur një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë tokat e pushtuara nga rusët në ditët e para të luftës./VOA

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH