Ukraina ka rënë dakord për kushtet e marrëveshjeje të rëndësishme minerale me Shtetet e Bashkuara, sipas një burimi të qeverisë ukrainase që ka folur për skynews.
Marrëveshja, pasi të nënshkruhet, mund të hapë një partneritet të ri afatgjatë midis Kievit dhe administratës së presidentit, Donald Trump pas disa javësh tensionesh në rritje.
Burimi tha se dokumenti pritet të nënshkruhet “shumë shpejt”.
Kjo madje mund të ndodhë gjatë një takimi ballë për ballë midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe homologut amerikan.
Marrëveshja përcakton kushtet për krijimin e një fondi të ri për të investuar në mineralet e Ukrainës, materialet e rralla dhe burimet e tjera natyrore të vlefshme.
Ajo nuk përmban më kërkesën fillestare të Shteteve të Bashkuara për të drejtën mbi 500 miliardë dollarë (395 miliardë paund) nga të ardhurat e mundshme të këtyre burimeve.
Trump e sheh marrëveshjen për mineralet me Ukrainën si një mënyrë të drejtë për të rikuperuar miliarda dollarët që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit – përmes armëve dhe mbështetjes financiare – për të ndihmuar forcat e armatosura në luftën e tyre kundër pushtimit të plotë të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Dokumenti gjithashtu nuk përfshin një angazhim nga Uashingtoni për t’i dhënë Ukrainës garanci sigurie pas ndonjë marrëveshjeje armëpushimi me Vladimir Putinin – diçka që Kievi e kërkon me ngulm dhe ka insistuar për të.
Detaje më të hollësishme mbi partneritetin e ri pritet të përcaktohen në diskutimet e ardhshme.
Të dyja palët kanë “rënë dakord mbi një marrëveshje kornizë për mënyrën e krijimit të një fondi që do të mbushet me një pjesë të mineraleve” dhe burimeve të tjera natyrore, tha burimi qeveritar, duke folur në kushte anonimiteti.
“Kjo është një lëvizje politike për të siguruar që të ardhurat nga burimet të përdoren për sigurinë dhe rindërtimin e Ukrainës”, tha burimi.
Fondi do të përbëhet nga paratë amerikane që do të investohen në burimet natyrore të Ukrainës, ndërsa fitimet do të ndahen mes Uashingtonit dhe Kievit, sipas informacioneve të disponueshme.
Financial Times raportoi për herë të parë lidhur me arritjen e marrëveshjes. Sipas gazetës, versioni final i marrëveshjes ishte i datës 24 shkurt.
Ndryshe, Bashkimi Evropian raportohet se i kishte ofruar një marrëveshje rreth këtyre mineraleve. /Telegrafi/

“Mblidhnin vota për SNS-në e Vuçiqit”, avokati Niniq ngre kallëzim penal ndaj tetë zyrtarëve të BIA-s
Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi