Tre shtetet baltike shkyçën rrjetet e tyre të energjisë nga rrjeti rus i energjisë të premten, thanë operatorët e rajonit.
Estonia, Letonia dhe Lituania kanë ndërprerë kështu lidhjen e tyre me një rrjet të transmetimit të energjisë elektrike të epokës sovjetike që lidh Rusinë, Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.
Tre anëtarët e BE-së do të lidhen me rrjetin sinkron të Evropës kontinentale, i cili mbulon shumicën e vendeve evropiane nga Portugalia në perëndim deri në Ukrainë dhe Turqi në lindje dhe është pjesë e një plani për integrimin më të ngushtë të vendeve në Bashkimin Evropian dhe rritjen e sigurisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të flasë në një ceremoni më 9 shkurt për të festuar kalimin në sistemin e BE-së, tha zyra e saj më 7 shkurt.
“Ne kemi arritur qëllimin për të cilin jemi përpjekur për kaq gjatë. Tani jemi në kontroll,” tha ministri lituanez i Energjisë Zygimantas Vaiciunas në një konferencë shtypi.
Menjëherë pas mbylljes, punëtorët letonezë përdorën një vinç për të arritur në linjat e tensionit të lartë në Vilaka, 100 metra nga kufiri rus dhe i prenë ato. Ata shpërndanë telat e prera si suvenire për vëzhguesit brohoritës.
“Ne nuk do ta përdorim më kurrë. Ne po ecim përpara,” tha ministri letonez i Energjisë Kaspars Melnis.
Planet për të shkëputur shtetet baltike nga rrjeti i transmetimit IPS/UPS janë diskutuar për dekada, por kanë marrë vrull pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Moska në 2014.
Rrjeti ishte lidhja e fundit e mbetur me Rusinë për të tre vendet, të cilat rifituan pavarësinë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe iu bashkuan Bashkimit Evropian dhe NATO-s në 2004.
Rreth 1.6 miliardë euro (1.65 miliardë dollarë amerikanë) u investuan në projektin për sinkronizimin e rrjeteve elektrike të vendeve baltike dhe Polonisë./RFE/

Duriq: Radoiçiq dhe Veselinoviq janë dy kriminelët më të mëdhenj në Serbi
Sputnik përhap dezninformata për Bondstillin, thotë se Serbia, Rusia dhe Kina duhet të japin pëlqimin
Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
Mali i Zi dëbon drejtuesin e rrjetit rus ‘Ribar’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i përcjell drejt Beogradit
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan