Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.
Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D. akuzohen për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin ose dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjes së veprës terroriste, armëmbajtjes pa leje dhe spiunazhit.
Aktakuza tregon se J.V. dhe D.V., së bashku me persona të panjohur, kishin vendosur rreth 20 kilogramë TNT brenda kanalit, të cilin më pas e aktivizuan përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni. Si pasojë, u dëmtua rëndë struktura e kanalit, u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm, u rrezikua prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc iu shkaktua dëm financiar prej 376,774.70 eurosh.
Prokuroria ka bërë me dije se J.V. akuzohet edhe për spiunazh, pasi kishte vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara për përdorim në aktivitete kundërligjore në Kosovë. Hetimi u realizua në bashkëpunim me partnerë evropianë.
Pas shpërthimit, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë. Ndërkohë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq ishin të njohur më parë si dy nga tre të akuzuarit.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar shpërthimin si akt terrorist, ndërsa Serbia e ka mohuar çdo përfshirje. Pas ngjarjes, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishte prova që lidhnin drejtpërdrejt Beogradin me shpërthimin, duke theksuar se hetimi ishte ende në zhvillim dhe përfshinte edhe agjentë të FBI-së.
Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, e cila furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike për ftohjen e termoelektranave, është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës./TheGeopost.

FAZ: Programi i Listës Studentore për Kosovën mund të nxisë konflikte dhe ta izolojë Serbinë
Pas Vuçiqit, çfarë do të thotë qeveria e re në Beograd për Milorad Dodikun?
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH
“Kundërgoditja po vjen”: Ish-aktivisti serb paralajmëron për planet e Vuçiqit pas humbjes
A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore
Kandiq: Vuçiq e pranoi humbjen, por nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën