Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, paralajmëron se trupat ruse “do të ndërmarrin operacione edhe më të mëdha” në Ukrainën lindore, ndërsa tha se forcat e tij do të jenë gati dhe “do të kundërpërgjigjen”.
Në një fjalim të shpërndarë natën e së dielës, presidenti Zelenskyy tha se ditët në vazhdim do të jenë po aq vendimtare sa çdo ditë tjetër në luftën gjashtëjavëshe.
Ai tha gjithashtu gjatë një interviste me emisionin “60 Minutes” të rrjetit CBS, që u transmetua të dielën, se mbijetesa e Ukrainës varet nga shtimi i dërgesave të armëve nga Shtetet e Bashkuara dhe se i ka dhënë presidentit të amerikan Joe Biden, një listë të asaj që i nevojitet Ukrainës.
“Ai e ka listën”, tha zoti Zelenskyy. “Presidenti Biden mund të hyjë në histori si njeriu që qëndroi krah për krah me popullin ukrainas që fitoi dhe zgjodhi të drejtën për të pasur vendin e tij. (Kjo) gjithashtu varet nga ai”.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, po takohen të hënën për të diskutuar një raund tjetër sanksionesh kundër Rusisë.
Në Moskë, po qëndron kancelari austriak Karl Nehammer për një takim me udhëheqësin rus Vladimir Putin, vizita e parë e tillë nga një udhëheqës evropian që kur zoti Putin filloi agresionin në Ukrainë në fund të muajit shkurt.
Presidenti Biden do të bisedojë të hënën me kryeministrin indian Narendra Modi. Ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë të ushtrojnë trysni ndaj Rusisë me sanksione, duke përfshirë industrinë energjetike të vendit, India ka mbajtur një qëndrim neutral, duke vazhduar blerjet e naftës dhe gazit rus dhe duke abstenuar gjithashtu nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha të hënën se forcat ruse vazhduan të bombardojnë rajonet Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore dhe se forcat ukrainase “zmbrapsën disa sulme që çuan në shkatërrimin e tankeve, automjeteve dhe pajisjeve të artilerisë ruse”.
Ministria ngriti shqetësimet për më shumë sulme pa dallim nga forcat ruse që paraqesin rrezik më të lartë për civilët.
Konflikti ka detyruar rreth një të katërtën e 44 milionë banorëve të Ukrainës të largohen nga shtëpitë e tyre dhe Kombet e Bashkuara raportojnë se më shumë se 4.5 milionë refugjatë janë larguar nga vendi.

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH