Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar procedurat për blerjen e pajisjeve anti-tank nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajmi është konfirmuar për The GeoPost nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.
Armët PANZERFAUST 3 pritet t’i dorëzohen së shpejti FSK-së, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse kundër mjeteve të blinduara.
Paralelisht, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.
Përveç sistemeve të artilerisë Hawkeye, kontrata trivjeçare parasheh edhe furnizimin e FSK-së me ambulanca, kamionë për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse, të nevojshme për funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe zhvillimin e kapaciteteve të qitjes indirekte.
Nga AM General, zëvendëspresidenti ekzekutiv për Zhvillim Biznesi, John Chadbourne, deklaroi se shitja e sistemit HUMVEE Hawkeye për Kosovën është dëshmi e përkushtimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake.

Sistemi HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila lejon integrimin e topit 105 mm mbi platformën HUMVEE, duke mundësuar vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e shpejtë të sistemit në më pak se 90 sekonda, çka rrit ndjeshëm mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik.
Vitet e fundit, Kosova ka përshpejtuar procesin e armatosjes, kryesisht përmes blerjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.
Nuk është hera e parë që Kosova bashkëpunon me AM General, pasi në vitin 2018 vendi pranoi 51 automjete ushtarake amerikane të tipit Humvee.
Kosova ndodhet në procesin dhjetëvjeçar të shndërrimit të FSK-së në ushtri, i cili ka nisur më 2018. Ky proces është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa NATO vazhdon të insistojë që FSK-ja të fokusohet në mandatin e saj fillestar, si reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka rritur vazhdimisht buxhetin e mbrojtjes.
Për vitin aktual, buxheti për këtë sektor arrin në 207.8 milionë euro, duke reflektuar prioritetin strategjik që i jepet sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare./TheGeoPost.

Ekonomia e Putinit nën presion: Bursa ruse në rënien më të rëndë që nga viti 1997
Paunoviq me pagë drejtoreshe në një institucion të mbyllur në Kosovë
Veteranët paralajmërohen të shmangin Serbinë pas publikimit të emrave të pjesëtarëve të UÇK-së
Rudolph: Nëse Radoiçiq shkon në Gjermani, sigurisht se do të ndalohet
Si e ka riformësuar agresioni rus arkitekturën e sigurisë në Evropën Qendrore?
“E dua kulturën e kafesë”, “U qetha falas”, studentët e huaj pëlqejnë Kosovën