Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Falimentimi i politikës së brendshme dhe të jashtme të Vuçiqit

The Geopost December 21, 2025 5 min read
Share the news

Viti 2025 u shndërrua në vitin e “faturave politike” për regjimin e Aleksandar Vuçiqit, i cili gjatë 13 viteve në pushtet kishte akumuluar pasoja të rënda si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Krahas erozionit të thellë të mbështetjes së brendshme, që ka tronditur themelet e stabilitetit të regjimit, Vuçiqi u përball edhe me kolapsin e politikës së tij të jashtme, e ndërtuar deri tani mbi katër shtylla kryesore, por që brenda një kohe shumë të shkurtër përjetoi një implodim të plotë.

Se ky vit do të ishte fatal për Vuçiqin, e kisha paralajmëruar në një shkrim të botuar më 28 shtator në gazetën e përditshme Danas, duke u mbështetur në informacione që vinin nga qendra të rëndësishme vendimmarrjeje, si Brukseli dhe Uashingtoni. Këto vlerësime bazoheshin në zhvillimet e parashikuara në Bosnje dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe në Ukrainë.

Megjithatë, disa elemente të këtyre skenarëve u ndryshuan ose nuk u realizuan plotësisht për tri arsye kryesore: fitorja e Donald Trumpit në SHBA, e shoqëruar me interes më të kufizuar për rajonin dhe një qasje tjetër ndaj luftës në Ukrainë; paqëndrueshmëria politike në Kosovë dhe gjendja e zgjatur teknike e institucioneve gjatë pothuajse gjithë vitit; si dhe tragjedia e shembjes së tendës në Novi Sad, e cila shkaktoi tronditjen më të madhe politike në vend që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet.

Çarjet e para serioze në politikën e jashtme të shumëreklamuar të Serbisë u shfaqën në fillim të majit, gjatë debaklit të vizitës së Vuçiqit në Shtetet e Bashkuara. Në atë rast, kreu i regjimit në Beograd pretendoi probleme shëndetësore dhe u kthye me nxitim në Serbi pas një fluturimi disaoresh përtej Atlantikut.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, Vuçiqi kishte tentuar pa sukses, nën një emër të rremë, të hynte në një aktivitet donatorësh të Partisë Republikane, me synimin për t’u takuar me Donald Trumpin. Meqë pjesëmarrja e liderëve të huaj shtetërorë në ngjarje të tilla është e paligjshme, duket se shërbimet kompetente reaguan, ndërsa Vuçiqi, për të shmangur një skandal edhe më të madh, u detyrua të largohej me ngut drejt Beogradit.

Fakti që, pavarësisht premtimit, Vuçiqi kurrë nuk e shpjegoi publikisht se çfarë ndodhi realisht në Florida, e bën të qartë se i gjithë episodi mori përmasa të padurueshme turpi dhe sikleti, si për të personalisht, ashtu edhe për shtetin e Serbisë.

Në këtë rast, Vuçiqi dëshmoi edhe një herë atë që kam theksuar prej kohësh, madje edhe në periudhën kur isha anëtar i SNS-së: presidenti i Serbisë është mjeshtër i inxhinierisë politike, por thellësisht i pashkolluar politikisht. Duke e parë botën nga këndvështrimi i një manovruesi të vogël ballkanik, ai injoroi plotësisht faktin se në vitin 2020 kishte nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit në prani të Donald Trumpit, por nuk zbatoi asnjë nga pikat e saj.

Ai nuk realizoi diversifikimin energjetik, nuk arriti një marrëveshje përfundimtare me Kosovën dhe nuk e zhvendosi ambasadën e Serbisë në Jerusalem. Veprime të tilla e largojnë çdo vend në periferi të interesit amerikan, gjë që përbën një pasojë serioze dhe afatgjatë për politikën e jashtme të Serbisë.

Duke luajtur kartën e rikthimit të Donald Trumpit në pushtet, Aleksandar Vuçiq u mbështet te njerëzit e gabuar në Uashington, si Richard Grenell dhe Rudolph Giuliani, të cilët nuk arritën të sigurojnë pozitat e pritshme në administratën e re amerikane. Këta individë, të afërt me Vuçiçin, rezultuan të jenë figura dytësore, pa peshë reale në qarqet vendimmarrëse të elitës politike amerikane.

Goditjen përfundimtare për pozitën e Vuçiqit në Shtetet e Bashkuara e dha zhvillimi më i fundit, kur kompania e Jared Kushnerit hoqi dorë nga ndërtimi i një hoteli luksoz në qendër të Beogradit, në lokacionin e ish-“Shtabit të Përgjithshëm”, për shkak të një afere korruptive.

Ky vendim vulosi perceptimin negativ ndaj Vuçiqit në Uashington: ai tashmë shihet si një aventurier politik që e ka përfshirë familjen e presidentit Trump në një skandal korrupsioni, pa pasur asnjë projekt serioz të gatshëm për realizim.

Situata bëhet edhe më e pafavorshme për Beogradin, duke qenë se administrata e re amerikane nuk e konsideron rajonin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të lartë. Për pasojë, Uashingtoni është i gatshëm t’ua lërë zgjidhjen e çështjeve rajonale aktorëve të tjerë me ndikim, në radhë të parë Gjermanisë dhe Turqisë.

Pikërisht me këto dy fuqi, Serbia po e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë gjuhë të përbashkët, duke ushqyer pritshmëri të gabuara se interesat e tyre do të përputhen me ato serbe, në vend që të pranojë realitetin e raportit të forcave me shtete shumë më të fuqishme.

As në Moskë dhe as në Pekin, Vuçiqi nuk gëzon një pozitë më të mirë. Përfshirja aktive e Rusisë në protestat njëvjeçare në Serbi, mungesa e një marrëveshjeje afatgjatë për furnizimin me gaz dhe qëndrimi hapur armiqësor ndaj Serbisë në çështjen e NIS-it dëshmojnë se Vuçiqi nuk ka as mbështetjen dhe as mirëkuptimin e Kremlinit.

E ngjashme është situata edhe me Kinën, e cila ka pezulluar pothuajse plotësisht investimet e saj në Serbi. Vetëm gjatë vitit 2025, investimet kineze pësuan një rënie drastike prej 94 për qind.

Në një konfigurim të tillë gjeopolitik, e vetmja hapësirë ku Serbia e Vuçiqit ende mund të kapet pas një “fije shprese” mbetet Bashkimi Evropian. Megjithatë, i vetëdijshëm se për regjimin e tij nuk ka vend në një shtet anëtar të BE-së të ndërtuar mbi sundimin e ligjit, Vuçiqi ka intensifikuar propagandën antievropiane.

Kjo politikë kulmoi me propozimin për anëtarësimin e njëkohshëm të të gjitha vendeve të rajonit në BE – një ide që në thelb është antievropiane dhe e dizajnuar për të dështuar, me qëllim që përgjegjësia t’i faturohet Brukselit.

Në fund të këtij viti të trazuar, është e qartë se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit dhe regjimit të tij kleptokratik, nuk ka më asnjë perspektivë reale. Vendimet kyçe që do të merren në muajt në vijim e bëjnë të domosdoshëm një presion të brendshëm dhe ndërkombëtar për formimin e një qeverie tranzitore, e cila do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një orientim të qartë gjeopolitik./TheGeoPost.

Autor: Dragan Šormaz

Tags: Aleksandar Vuçiq Serbia

Continue Reading

Previous: Serbia nën kthetrat e Rusisë për NIS-in: SHBA kërkon shkëputjen e Beogradit nga nafta ruse
Next: Edhe një tjetër dron rus gjendet i rrëzuar në Turqinë Veriperëndimore

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit 3 min read
  • Lajme
  • Siguri

Raporti i CEPA-s: Rusia po zhvillon “luftë në hije” në Evropë, rritet rreziku i përshkallëzimit

The Geopost April 5, 2026
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë 11 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë

The Geopost March 27, 2026
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit 3 min read
  • Lajme

Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

The Geopost March 26, 2026
Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë

The Geopost January 30, 2026
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi 3 min read
  • Botë
  • Lajme

Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ​​ruse si mjet militarizimi

The Geopost January 28, 2026
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999

The Geopost January 27, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.