Eksperti britanik i sigurisë dhe luftës informative, Keir Giles, ka paralajmëruar se manipulimi i informacionit nga Rusia mbetet një nga kërcënimet më serioze për demokracitë perëndimore, pavarësisht zhvillimeve teknologjike dhe përpjekjeve shumëvjeçare për ta kundërshtuar atë.
Në një intervistë për platformën EUvsDisinfo, Giles thekson se, ndonëse perceptimi publik mund të jetë se situata ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit, në thelb Rusia po përdor të njëjtat teknika të vjetra, të fuqizuara nga teknologji të reja si inteligjenca artificiale, rrjetet sociale dhe interneti.
“Sot nuk jemi në një moment krejtësisht të ri. Ajo që ka ndryshuar është shpejtësia dhe shkalla me të cilën Rusia mund të zbatojë teknikat që ka përdorur gjithmonë”, thotë Giles.
Ai nënvizon se shoqëritë perëndimore ende nuk janë mbrojtur mjaftueshëm ndaj disa metodave bazë të manipulimit informativ, veçanërisht për shkak të mënyrës se si funksionojnë mediat perëndimore. Sipas tij, Rusia vazhdon të shfrytëzojë sjelljen e pandryshuar të mediave për të ndërtuar narrativa të rreme që shpesh pranohen pa verifikim.
Si shembull, Giles përmend të ashtuquajturin “plan paqeje i Trumpit” për Ukrainën, i cili u paraqit nga një pjesë e mediave perëndimore si një nismë reale, pavarësisht se nuk ishte as plan, as për paqe dhe as i lidhur realisht me ish-presidentin amerikan.
“Rusia është ende në gjendje të shtypë butonat e duhur për të krijuar një realitet të ri të perceptuar, nga i cili audiencat më pas duhet të ‘rikuperohen’”, vlerëson ai, duke shtuar se kjo dëshmon mungesën e mekanizmave bazë mbrojtës ndaj manipulimit informativ.
Rreziku kryesor: ndërtimi i një realiteti alternativ
Sipas Giles, kërcënimi kryesor nuk qëndron vetëm te shtrembërimi i fakteve individuale, por te ndërtimi i një kuadri të tërë logjik që ndikon mënyrën se si njerëzit marrin vendime.
“Dezinformimi më i dëmshëm nuk ka të bëjë me të dhëna të veçanta, por me krijimin e kornizës mendore brenda së cilës këto të dhëna marrin kuptim”, shpjegon ai, duke iu referuar koncepteve si “kontrolli refleksiv” apo “transferimi i imazhit”.
Një nga shembujt më të qartë, sipas tij, është fushata afatgjatë e Rusisë për frikësimin bërthamor, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në politikat perëndimore, veçanërisht në kufizimin fillestar të mbështetjes për Ukrainën pas pushtimit të plotë rus.
Demokracitë duhet të reagojnë më vendosmërisht
Giles thekson se zbutja e këtyre cenueshmërive nuk kërkon domosdoshmërisht rregulla të reja, por zbatim më të fortë të atyre ekzistuese. Ai nënvizon rëndësinë e vendimeve politike për të alokuar burime, për të forcuar kundërzbulimin, për të ndjekur penalisht agjentët e ndikimit dhe për të investuar në edukimin mediatik.
“Nuk kemi ende një kuptim të përbashkët dhe të unifikuar për natyrën e kërcënimit”, paralajmëron ai.
Sa i përket edukimit mediatik, Giles thekson se shembujt si Finlanda dëshmojnë se shoqëritë mund të bëhen më rezistente ndaj dezinformimit, por se Perëndimi ka humbur kohë të çmuar.
“Koha më e mirë për ta bërë këtë ishte para dhjetë vjetësh. Koha e dytë më e mirë është tani”, thotë ai.
Narrativat ruse ende funksionojnë
Edhe pse pushtimi i Ukrainës ka dëmtuar rëndë imazhin e Rusisë, Giles vlerëson se fushatat për ta paraqitur Moskën si mbrojtëse të “vlerave tradicionale” vazhdojnë të kenë ndikim në segmente të caktuara të shoqërive evropiane.
“Kontradiktat brenda dezinformatave ruse nuk janë më dobësi, por avantazh”, shprehet ai, duke shtuar se Rusia nuk kufizohet më nga një ideologji e vetme dhe mund t’u përshtatet audiencave të ndryshme.
Në fund, Giles prek edhe raportet Rusi–Kinë në fushën e manipulimit të informacionit, duke theksuar se ndonëse ka ngjashmëri në qasje dhe interesa të përbashkëta për dobësimin e Perëndimit, nuk ka prova të mjaftueshme për një bashkëpunim të gjerë dhe të strukturuar mes dy vendeve./TheGeoPost.

Konferenca e USEUCOM fokus te kërcënimet hibride dhe mbrojtja e Evropës
Shumica e gjermanëve janë pro rritjes së ndihmës për Ukrainën
“Washingtoni ka dhënë afat deri në qershor për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës”
Nga dezinformimi te spiunazhi – veprimet hibride të Rusisë kundër Polonisë
Moldavia dënon tre persona për planifikim të trazirave pas trajnimeve në Serbi dhe Bosnje
Zelensky: Rusia i ofroi SHBA-së paketë bashkëpunimi ekonomik prej 12 trilionë dollarësh