Bjellorusia ka trajnuar veteranët afganë dhe irakianë të luftës për të kryer sulme të armatosura në kufirin polak, ka paralajmëruar një ish-bashkëpunëtor i regjimit.
“Kriza e migracionit po përdoret nga (presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër) Lukashenko për të futur në territorin e BE-së njerëz që kanë përvojë (ushtarake) dhe që kanë marrë përsipër trajnime në territorin bjellorus për të realizuar akte terroriste,” Pavel Latushka, ish-ambasadori i Bjellorusisë në Francë dhe Polonia dhe ish-ministri i kulturës, tha për EUobserver.
Ai foli rreth përleshjeve të përshkallëzuara midis emigrantëve dhe rojeve kufitare polake, të cilat shkaktuan alarm ndërkombëtar të hënën (8 nëntor).
“Më pas, Lukashenko do të nxis një konflikt ushtarak lokal në kufirin me BE-në dhe ndërkohë do t’i shesë botës fotografinë për një krizë humanitare, për të cilën duhet të fajësohen evropianët”, Latushka, i cili iku në Varshavë pasi iu bashkua lëvizjes pro-demokraci në Bjellorusi, tha.
“Kjo është një formë e propagandës së epokës naziste,” tha ai.
Veteranët afganë dhe irakenë u zgjodhën dhe u dërguan në Bjellorusi midis korrikut dhe shtatorit, vuri në dukje ai.
Ata u trajnuan në një bazë pranë fshatit Opsa, në Bjellorusinë veriperëndimore, që i përkiste Departamentit të Masave të Veçanta Aktive të Komitetit Shtetëror të Kufirit të Bjellorusisë ‘Osam’, shtoi ai.
Trajnimi u krye me ndihmën e forcave speciale të Bjellorusisë nga brigada “Marjina Horka”, e cila kishte luftuar në Afganistan në vitet 1980, dhe me këshilltarët e inteligjencës ushtarake ruse “GRU”, shtoi Latushka.
“Atje u trajnuan qytetarë irakianë (baza Osam), tani ata po trajnojnë afganë nga territori i Taxhikistanit, të cilët kanë përvojë luftarake. Sigurisht, nuk janë dhjetëra njerëz që trajnohen, por njësi individësh,” tha ai.
“Ata po përgatisin përleshje në kufirin Bjellorusi-BE me përdorimin e armëve,” shtoi ai.
Roli i Rusisë
Ndërkohë, përmendja e oficerëve të GRU-së së Rusisë nga Latushka në kampin e trajnimit në Bjellorusi erdhi mes akuzave polake se Kremlini kishte organizuar krizën kufitare.
“Lukashenko është kontraktori, por ai e ka drejtorin e tij, i cili është presidenti rus Vladimir Putin,” tha të martën në parlamentin polak kryeministri i vendit, Mateush Moraviecki.
“Cila është loja e Rusisë? Rusia synon të destabilizojë BE-në … ata duan një instrument ndikimi dhe shantazhi kundër Evropës,” shtoi ministri i brendshëm polak Mariusz Kamiński.
Por nga ana e tij, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se BE-ja duhet të paguajë Bjellorusinë për kujdesin ndaj emigrantëve që ka sjellë nga Lindja e Mesme, nëse donte pushim.
“Pse, kur refugjatët vinin nga Turqia, BE-ja siguroi financim që ata të qëndronin në republikën Turke? Pse nuk është e mundur të ndihmohen bjellorusët në të njejtën mënyrë?”, tha Lavrov për shtypin në Moskë, duke iu referuar marrëveshjes BE- Turqi për refugjatët sirianë, si marrëveshje që kap vlerën e miliarda eurove.

Deputeti i Bundestagut gjerman: Ndërhyrja e NATO-s në ’99-ën ndali gjenocidin e Millosheviqit në Kosovë
Ulja e orëve të gjuhëve të huaja në shkollat ruse si mjet militarizimi
“Nuk e bënë shqiptarët” – Si u vra Milosh Vlashkoviqi në Mazgit nga dy ushtarë serbë, teksa grabisnin shtëpitë në vitin 1999
Rusia sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, propagandat pro-Kremlin i kthejnë vuajtjet në armë psikologjike
Bisedimet në Abu Dhabi përfundojnë me plane për raundin tjetër – Zelensky e quan takimin ‘konstruktiv’
Trump thotë se gjithë të përfshirët në vjedhjen e zgjedhjeve në SHBA do të ndëshkohen – sytë sërish nga Vuçiqi