Bashkimi Evropian të mërkurën ka shtuar edhe 160 oligarkë dhe ligjvënës rusë në listën e sanksioneve. Sanksionet kanë në shënjestër kripto-asetet dhe sektorin detar. Këto masa janë vazhdimësi e ndëshkimeve të bllokut ndaj Moskës e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Blloku evropian po ashtu tha se tri banka bjelloruse do të largohen nga sistemi i mesazheve SWIFT, për shkak të mbështetjes së Minskut për sulmin e Kremlinit ndaj Ukrainës.
“Ne po shtrëngojmë edhe më tej sanksionet në përgjigje ndaj agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrianës”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratën e BE-së u tha se 146 anëtarë të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus dhe 14 oligarkë të lidhur me Kremlinin dhe familjarët e tyre, janë futur në listën e ngrirjes së aseteve dhe kufizimeve të lëvizjes.
Në mesin e të sanksionuarve është miliarderi Andrei Melnichenko që merret me prodhimin e qymyrit, drejtori i kompanisë së fluturimeve Aeroflot, Mikhail Poluboyarinov dhe Dmitry Pumpyansky, i cili ka në pronësi tubacione të gazit.
Po ashtu, të sanksionuar janë edhe miliarderi Dmitry Mazepin dhe djali i tij, Nikita, i cili është ngasës në Formulën 1 dhe i cili së fundmi është larguar nga ekipi i tij, Haas.
BE-ja ka sanksionuar edhe dhëndrin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Alexander Vinokurov.
Në sanksionet e bllokut evropian janë vendosur edhe kufizime ndaj kriptovalutave, me qëllim që të sanksionuarve t’iu pamundësohet që të përdorin ato për të shmangur sanksionet.
BE-ja ka paralajmëruar se do të vendosë sanksione të tjera nëse Moska nuk i jep fund luftës në Ukrainë.
Përveç një sërë masash të ndërmarra nga BE-ja, edhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë edhe ndalimin e importit të gazit, naftës dhe energjisë ruse.

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara