NATO Secretary General Jens Stoltenberg speaks to the media during a joint news conference with the President of the Council of Ministers of Bosnia and Herzegovina Borjana Kristo, in Sarajevo, Bosnia, Monday, Nov. 20, 2023. (AP Photo/Armin Durgut)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se situata e sigurisë në Ballkan mbetet e brishtë, derisa theksoi se ka potencial për tensione në Kosovë e Bosnjë.
Shefi i NATO-s i bëri këto komente pas takimit që pati të premten me kryeministrin malazez Milojko Spajiç në Bruksel, nga ku dënoi shpërthimin e dhunës në Kosovë vitin e kaluar duke thënë se NATO reagoi me shpejtësi duke dërguar një mijë trupa shtesë për të ndihmuar KFOR-in që të zbatojë mandatin e tij, raporton The Geopost.
“Shpërthimet e dhunës vitin e kaluar në Kosovë ishin të papranueshme. NATO u përgjigj me shpejtësi, duke dërguar 1,000 trupa shtesë dhe mjete të blinduara. Jemi të përkushtuar të sigurohemi që KFOR-i vazhdon ta përmbushë mandatin e vet sipas OKB-së”, tha Stoltenberg.
Kryeministri i Malit të Zi, Spajiç, vendi i të cilit është anëtarësuar në NATO para shtatë vjetësh, tha se Podgorica e kupton se prania e NATO-s në rajon sjell siguri dhe stabilitet.
“Mali i Zi e kupton se shumë zhvillime globale kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme që tërheq, me të drejtë, vëmendjen e aleatëve. Por ne nuk duhet të harrojmë rajonin. Nënvizoj edhe njëherë rëndësinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në rajon, sepse kjo është një garanci e fortë e paqes dhe stabilitetit. Unë pres që kjo të rikonfirmohet në takimit e nivelit të lartë të ardhshëm të NATO-s në Uashington”, tha Spajiç.
Përgjatë vitit 2023 ka pasur disa herë shpërthime të dhunës në Kosovë. Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë nga një sulm terrorist që u organizua dhe financua nga Serbia dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me grupin e udhëhequr nga Milan Radojiçiq, që atëherë ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që mbështetet nga pushteti i Aleksandar Vuçiqit.
Të vrarë mbetën edhe disa pjesëtarë të grupit, gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.
Në muajin maj, të paktën 25 persona u lënduan gjatë përleshjeve të protestuesve serbë në Zveçan, në pjesën veriore të Kosovës, me ushtarët e KFOR-it. Ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani tha se u lënduan 11 pjesëtarë italianë të KFOR-it, 3 prej të ishin në gjendje të rëndë.
Situata e tensionuar në Kosovë u zhvillua pasi kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat e pjesës veriore ku shumica e banorëve janë serbë pas zgjedhjeve lokale që serbët i bojkotuan.
Pas kësaj, Vuçiq vendosi ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake dhe urdhëroi njësitë ushtarake të afrohen më pranë kufirit me Kosovën.
Analistët thonë se lufta në Ukrainë i ka shtuar aktivitet e Moskës për të ripërtërirë ndikimin në Ballkan të cilin mundohet ta shfrytëzojë për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Shefi i NATO-s foli edhe për anëtarësimin e Suedisë në NATO, një proces që po zgjat për një vit e gjysmë, duke thënë se kjo do të forconte aleancën ushtarake ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë.
Ai e përshëndeti vendimin e Turqisë për të miratuar kërkesën e Suedisë, ndërsa tha se pret që Hungaria ta bëjë këtë në fund të muajit të ardhshëm.
“Unë jam absolutisht i sigurt dhe kam besim tek Hungaria se miratimi i anëtarësimit të Suedisë do të bëhet sapo të mblidhet parlamenti në fund të shkurtit”, tha shefi i NATO-s, Stoltenberg.
Suedia, së bashku me Finlandën, braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mosangazhimit për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e NATO-s, pas agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022./The Geopost/

Duriq: Radoiçiq dhe Veselinoviq janë dy kriminelët më të mëdhenj në Serbi
Sputnik përhap dezninformata për Bondstillin, thotë se Serbia, Rusia dhe Kina duhet të japin pëlqimin
Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete
Mali i Zi dëbon drejtuesin e rrjetit rus ‘Ribar’ dhe bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i përcjell drejt Beogradit
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës
Zaharova flet për ndërhyrje të huaja, ndërsa dokumentet dëshmojnë ndikimin rus në zgjedhjet në Ballkan