Udhëheqësi i lëvizjes opozitare serbe Savo Manojloviq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se po shmang thirrjen e zgjedhjeve të reja për shkak të frikës nga humbja e mbështetjes popullore.
Sipas Manojloviçit, koalicioni qeverisës nuk gëzon më shumicën reale të votuesve dhe për këtë arsye autoritetet po përpiqen të shtyjnë procesin zgjedhor duke manipuluar perceptimin publik dhe duke fituar kohë.
“Regjimi e di se nuk ka më shumicë. Në vend që të pranojë falimentimin politik, ai vazhdon t’u premtojë qytetarëve se zgjidhja është afër, duke përsëritur vazhdimisht të njëjtin skenar”, deklaroi ai.
Lideri i lëvizjes (Shko-Ndrysho), e krahasoi situatën e qeverisë me një debitor që shtyn vazhdimisht shlyerjen e borxheve, duke argumentuar se çdo skenar që ndjek aktualisht pushteti do të përfundojë me largimin e tij nga skena politike.
Akuza për propagandë dhe fshehje të ngjarjeve të 15 marsit
Manojloviq kritikoi gjithashtu ashpër mënyrën se si, sipas tij, mediat pranë qeverisë po raportojnë për protestat dhe aktivitetet e opozitës dhe studentëve.
Ai pretendoi se po zhvillohet një fushatë propagandistike për të mohuar dëshmitë e protestuesve lidhur me përdorimin e një arme akustike, të njohur si “top sonik”, gjatë demonstratave të mbajtura më 15 mars.
Sipas tij, përpjekjet për të bindur opinionin publik se mijëra persona kanë përjetuar ose raportuar të njëjtën ngjarje në mënyrë të rreme përbëjnë “fyerje të inteligjencës së qytetarëve”.
Manojloviq paralajmëroi se, sipas opozitës, autoritetet po ndërtojnë një bazë ligjore për të justifikuar masa të mundshme kundër organizatave opozitare dhe grupeve studentore kritike ndaj qeverisë.
Deklaratat e liderit opozitar vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme politike në Serbi, ku opozita dhe organizatat studentore kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë për kufizim të hapësirës demokratike dhe presion ndaj kundërshtarëve politikë.

Hulumtimi zbulon lidhjet e pronarit të Euronews me Orbanin dhe Vuçiqin, ish-gazetarët flasin për presion politik
Lista Studentore vizitojnë manastiret në Kosovë, nuk dallojnë në deklarime me regjimin e Vuçiqit
Plani amerikan për sigurinë e Evropës: Çfarë mund të ndryshojë për Kosovën?
“Lista e Studentëve” kërkon hetim ndaj Vuçiqit për lidhjet me rrjetet kriminale në Serbi
Analisti gjerman: Pas Vuçiqit, Dodiku është partneri më i vlefshëm i Moskës në Ballkan
“Një milion njerëz do të dalin me arkivolin tim”, kolumnisti serb tallet me kërcënimet e Vuçiqit