Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Qeveria: Sulmet ndaj policëve të Kosovës inkurajohen nga vetë Vuçiqi

The Geopost July 1, 2026 3 min read
Share the news

Qeveria në detyrë e Kosovës konsideron se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën se Millan Radoiçiq nuk është kriminel, po inkurajon sulmet ndaj policëve të Kosovës.

“Deklarata e Vuçiqit tregon që ai e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe që sulmet ndaj policëve të Kosovës nuk paraqesin krime për Serbinë dhe ato kësisoj inkurajohen nga vetë kreu i shtetit atje”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.

Në fillim të javës, Vuçiq deklaroi se Radoiçiq – i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023 – ndaj të cilit është lëshuar njoftim i kuq nga Interpol-i, nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim.

“S’keni thënë pse Millan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha udhëheqësi serb.

Ndonëse ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës, Radoiçiq është i lirë në Serbi, me adresë të regjistruar në Beograd. Serbia nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë ndaj tij.

Megjithatë, ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Interpol-i, me kërkesë të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Manxhuka tha se Qeveria në detyrë e Kosovës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të dënojë “këtë degradim të mëtutjeshëm në sjellje të shtetit të Serbisë”.

“Deklarime të tilla dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërruar mendje karshi Republikës së Kosovës dhe se kjo mendësi paraqet rrezik për paqen në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Zëdhënësi shtoi se për Kosovën ka qenë e qartë që sabotimi dhe luftimi i sundimit të ligjit në veriun, e banuar me shumicë serbe, “organizohet dhe dirigjohet nga Serbia”.

“Fakti që ky grup [që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit] u organizua, ushtrua, përgatit dhe në fund u fut nga Serbia në Kosovë, por edhe u armatos me armë zyrtare të shtetit të Serbisë, të dëshmuar edhe evidentuar në provat e gjetura në terren, tregon qartë se Serbia ishte mbrapa dhe sipër”, tha ai.

Kosova e konsideron sulmin në Banjskë si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Por, Beogradi mohon çdo përfshirje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë dhe në mesin e 45 personave të akuzuar është edhe Radoiçiqi, i cili përshkruhet si “kreu i grupit terrorist”.

Për këtë rast, më herët gjatë këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre persona: dy prej tyre me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.

Të akuzuarit e tjerë ndodhen në arrati dhe për ta Kosova ka lëshuar fletarrestime përmes Interpol-it. Kosova vazhdimisht kërkon që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë. Në kohën e sulmit në Banjskë, Radoiçiqi ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndërkaq i kërkojnë Beogradit që të ndjekë penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Tags: Aleksandar Vuçiq Milan Radoiçiq Serbia

Continue Reading

Previous: Akuzat për lidhje të politikës serbe me krimin e organizuar, gazetarët dhe ekspertët: Shteti i ndërthurur me botën kriminale
Next: Diplomati amerikan merr detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën

Kandiq: Paunoviq është nga Peja dhe i njeh krimet – deklaratat e saj tregojnë se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur 2 min read
  • Ballkan

Kandiq: Paunoviq është nga Peja dhe i njeh krimet – deklaratat e saj tregojnë se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur

The Geopost July 16, 2026
Si e komentojnë serbët në Kosovë deklaratën e ministres Paunoviq për “spastrimin etnik”? 6 min read
  • Ballkan

Si e komentojnë serbët në Kosovë deklaratën e ministres Paunoviq për “spastrimin etnik”?

The Geopost July 16, 2026
Sondazhi i ri në Serbi – Lista Studentore kalon SNS-në e Vuçiqit 1 min read
  • Ballkan

Sondazhi i ri në Serbi – Lista Studentore kalon SNS-në e Vuçiqit

The Geopost July 16, 2026
Jovanoviq: Iu kërkoj falje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, asnjë njeri normal s’e mendon atë që e tha ministrja Paunoviq 2 min read
  • Ballkan

Jovanoviq: Iu kërkoj falje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, asnjë njeri normal s’e mendon atë që e tha ministrja Paunoviq

The Geopost July 16, 2026
Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq 1 min read
  • Ballkan

Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq

The Geopost July 16, 2026
Deklarata e Ramës për Kosovën ‘nervozon’ Beogradin, Vuçiq: Realiteti nuk është i lehtë për ne 2 min read
  • Ballkan

Deklarata e Ramës për Kosovën ‘nervozon’ Beogradin, Vuçiq: Realiteti nuk është i lehtë për ne

The Geopost July 16, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.