Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka dënuar mundësinë që Serbia të organizojë funeral me nderime shtetërore dhe ushtarake për ish-komandantin e Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid.
Plenkoviq, i cili ndodhet në Slloveni për Forumin Strategjik të Bledit, tha se kishte dëgjuar për mundësinë e një ceremonie të tillë, por se ende nuk ishte marrë një vendim përfundimtar.
“Mladiq është një kriminel lufte, i cili ishte komandant në Knin dhe përgjegjës për krimet më të rënda në Shkabrnja dhe pjesë të tjera të Kroacisë”, deklaroi Plenkoviq.
Duke folur për pasojat e mundshme politike të një vendimi të tillë, kryeministri kroat e lidhi çështjen drejtpërdrejt me aspiratat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Është sikur po i mbyllin dyert e Bashkimit Evropian për veten e tyre”, tha ai.
Plenkoviq shtoi se për këtë çështje kishte diskutuar edhe me disa pjesëmarrës të tjerë të Forumit Strategjik të Bledit, pa bërë të ditur identitetin e tyre.
Debati u rikthye pas deklaratës së ministrit serb të Drejtësisë, Nenad Vujiq, i cili tha se Mladiqi do të varrosej me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.
Megjithatë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e mohoi më vonë se ishte marrë një vendim i tillë. Ai tha se vendimi për funeralin dhe ceremoninë e varrimit ende nuk ishte marrë nga familjarët e Mladiqit.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpska, u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u shpall përfundimisht fajtor nga mekanizmi gjyqësor i Kombeve të Bashkuara në vitin 2021 dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Në të njëjtën linjë, Kroacia kishte reaguar edhe më herët ndaj një tjetër rasti që përfshinte Malin e Zi. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i kishte dërguar mesazh ngushëllimi familjes së Mladiqit pas vdekjes së tij.
Ministria e Jashtme e Kroacisë e kishte dënuar këtë veprim, duke vlerësuar se akte të tilla janë të papajtueshme me rrugën evropiane të Malit të Zi.
The GeoPost

Dyshime se mund të ketë manipulime, Parlamenti Evropian emëron vëzhgues për zgjedhjet në Serbi
Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, thotë Zelensky
Dosja e përgjimeve: Vuçiq i lidhur me bosin e drogës, dha garanci edhe për lirimin e tij nga burgu
Eurodeputeti kroat: Asnjë politikë s’e ndryshon faktin historik që Kosova, Kroacia e Bosnja ishin viktima të agresionit serb
Kallas: Rusia nuk do ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet, Evropa do të vazhdojë ta mbështesë Kievin
Lazar Radulloviq e quan Listën Serbe organizatë kriminale: Mund të më vrisni, por nuk mund të më frikësoni