Pas më shumë se një dekade dominimi në skenën politike të Serbisë, Partia Progresive Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit ka pësuar humbje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura të dielën, më 25 tetor, sipas rezultateve paraprake të bëra publike nga vetë Vuçiqi.
Nga selia zgjedhore e SNS-së, Vuçiq ka pranuar se koalicioni i tij, “Serbia e Bashkuar”, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të vazhduar qeverisjen.
“Bazuar në mostrën, është e qartë se i humbëm këto zgjedhje”, ka deklaruar Vuçiq.
Sipas të dhënave paraprake të prezantuara prej tij, lista e mbështetur nga studentët ka siguruar rreth 130 mandate në parlamentin serb, ndërsa SNS-ja dhe aleatët e saj kanë marrë rreth 105 mandate.
Vuçiq ka bërë të ditur gjithashtu se, sipas këtyre projeksioneve, asnjë listë tjetër zgjedhore nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim parlamentar.
Nëse këto rezultate konfirmohen nga institucionet zgjedhore, ato do të shënonin një ndryshim të madh politik në Serbi, duke i dhënë fund shumicës parlamentare të forcës politike që ka dominuar pushtetin për më shumë se një dekadë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u zhvilluan në një atmosferë tensionesh politike dhe protestash, ndërsa lëvizja studentore u shfaq si sfiduese e pushtetit të SNS-së.
Sipas të dhënave të paraqitura, në listat zgjedhore ishin të regjistruar 6,451,292 votues, ndërsa procesi u organizua në 8,392 qendra votimi.
Prej tyre, 29 qendra votimi ishin në institucione për ekzekutimin e sanksioneve penale, ndërsa 93 vendvotime u organizuan jashtë Serbisë, në 37 shtete, për 102,147 votues të regjistruar.
Qytetarët me të drejtë vote sipas sistemit zgjedhor serb nga Kosova votuan në 60 vendvotime të organizuara në Rashkë, Tutin, Vranjë dhe Kurshumli.
Procesi zgjedhor u monitorua nga 16,271 përfaqësues vëzhguesish, përfshirë përfaqësues të 26 organizatave vendase dhe 57 organizatave të huaja. Në mesin e tyre ishin 622 vëzhgues ndërkombëtarë.
Pranimi i humbjes nga Vuçiqi përbën një zhvillim të rëndësishëm politik, por rezultatet përfundimtare dhe përbërja e re e parlamentit mbeten në pritje të konfirmimit zyrtar.
The GeoPost

“Frika po rritet” – deputetja britanike kërkon reagim nga Londra dhe Brukseli për situatën në Serbi
Çfarë presin banorët e veriut të Kosovës nga zgjedhjet në Serbi?
Ushtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika?
Automjetet e Xhandarmërisë për shpërndarjen e protestave para Presidencës së Serbisë
Avokati serb u bën thirrje Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës të hetojnë dyshimet për blerje votash nga partia e Vuçiqit
Vuçiqi mobilizon votuesit nga Kosova për SNS-në, 100 euro për votë dhe shpenzimet e paguara