Një vrasje e ndodhur më 16 qershor 1999 në fshatin Mazgit, pranë Obiliqit, është rikthyer në vëmendje pas më shumë se dy dekadash.
Oficeri i policisë në pension, Milosh Vlashkoviq, u vra me 16 plumba, ndërsa sipas dëshmive dhe dokumenteve hetimore, për krimin dyshohen dy rezervistë të Ushtrisë Jugosllave, të cilët ende nuk janë përballur me drejtësinë.
Një i afërm i Vlashkoviqit, që jeton jashtë Serbisë, ka deklaruar për portalin Nova se familja fillimisht kishte dyshime se vrasja ishte kryer nga shqiptarë lokalë, por më vonë doli se autorët e dyshuar ishin pjesëtarë të forcave rezervë të Ushtrisë Jugosllave.
Sipas rrëfimit të tij, pas vrasjes familja kishte marrë një telefonatë të pazakontë nga shqiptarë të fshatit Mazgit, të cilët u betuan për bukë e kripë se asnjë banor shqiptar nuk kishte lidhje me krimin dhe se familja e viktimës mund të vizitonte varrin e tij sa herë të dëshironte.
Ngjarja ndodhi vetëm një javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, në një kohë kur Ushtria Jugosllave po tërhiqej nga Kosova, ndërsa banorët shqiptarë po ktheheshin gradualisht në shtëpitë e tyre.
Fshati Mazgit ishte pothuajse i zbrazët atë ditë, kur u dëgjuan të shtënat fatale.
Sipas dëshmive, dy rezervistë të stacionuar në fshatin e afërt Milloshevë kishin dalë pa leje dhe kishin nisur grabitje. Gjatë një prej tyre, ata hasën dy vëllezërit Shala, të cilët kishin shkuar për të kontrolluar shtëpinë e tyre. Njëri prej tyre kërkoi ndihmë nga fqinji i tyre, Milosh Vlashkoviq.
Vlashkoviqi, i veshur civil dhe i paarmatosur, hyri në shtëpi dhe u përpoq të ndalonte grabitjen. Ai fillimisht u godit me armë, u rrëzua në shtrat dhe më pas u qëllua me 16 plumba.
Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa dy vëllezërit Shala mbijetuan.
Rasti u raportua autoriteteve dhe u hetua nga Departamenti për Krime Lufte. Dëshmitarët, përfshirë vëllezërit Shala, dhanë dëshmi përmes video-lidhjes nga frika për të ardhur në Beograd.
Të dyshuarit u identifikuan si Zorana V. dhe Radoja R.
Megjithatë, në vitin 2015, Zyra e Prokurorit për Krime Lufte vendosi se rasti nuk ishte në kompetencën e saj dhe e transferoi atë në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, e cila më pas e përcolli në Prokurorinë e Kosovës në Mitrovicë.
Institucioni i fundit nuk ndërmori veprime konkrete dhe më pas u shfuqizua.
Nga Prokuroria për Krime Lufte kanë konfirmuar për Nova.rs se lënda iu dorëzua Prokurorisë në Nish, ndërsa kjo e fundit ka sqaruar se dokumentacioni është transferuar në Mitrovicë në vitin 2016.
Familjarët e viktimës thonë se rasti është shembull i dështimit të drejtësisë dhe se autorët e dyshuar vazhdojnë të jetojnë të lirë, pavarësisht dëshmive dhe identifikimit të tyre.
Vlashkoviqi, ish-mësues dhe më pas funksionar në strukturat analitike të policisë krahinore, nuk kishte marrë pjesë aktive në luftime dhe njihej si fqinj i respektuar.
Sipas familjes, ai u vra pikërisht sepse tentoi të mbronte fqinjët e tij shqiptarë nga grabitja dhe dhuna.
The Geo Post

“Situata është vërtet serioze”, eurodeputeti Stir pasi vizitoi Serbinë
Rutte kërkon përgjegjësi nga Serbia për incidentin e Banjskës dhe sulmin ndaj KFOR-it
Rusia, Serbia dhe Turqia në krye të investimeve të huaja në Mal të Zi
Vuçiq me tone përçmuese ndaj Trumpit: Publiku nuk reagoi ndaj “akrobacive” të tij në Davos
Agjente e dyshuar pranë liderëve evropianë, Gjermania godet spiunazhin rus
“Sulm masiv në Rusi” – Ukraina godet termocentralin e Belgorodit (VIDEO)