Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Rusia, Serbia dhe Turqia në krye të investimeve të huaja në Mal të Zi

The Geopost January 26, 2026 5 min read
Share the news

Edhe pse Mali i Zi është i orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe është anëtar i NATO-s, profili i investitorëve të huaj mbetet i dominuar nga vendet jashtë bllokut perëndimor, me theks të veçantë te Serbia, Rusia dhe Turqia.

Mali i Zi, nga viti 2006 deri në vitin 2025, ka tërhequr mbi 14.8 miliardë euro investime të huaja direkte (IHD). Pavarësisht deklarimeve zyrtare për përparim në integrimin evropian dhe anëtarësimit në NATO që nga viti 2017, të dhënat tregojnë se investimet kryesore vazhdojnë të vijnë nga vende që nuk i përkasin bllokut perëndimor.

Sipas statistikave, Rusia është investitori më i madh i huaj në Mal të Zi, me rreth 2.1 miliardë euro, e ndjekur nga Zvicra, Italia, Serbia dhe Austria. Investimet janë përqendruar kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, veçanërisht gjatë vitit 2024, kur Serbia, Rusia dhe Turqia ishin ndër investitorët kryesorë.

Mbi një e treta e investimeve nga Serbia, Rusia dhe Turqia

Të dhënat e Bankës Qendrore të Malit të Zi (BQMMZ) tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024, nga Serbia, Rusia dhe Turqia janë investuar mbi 318 milionë euro, nga një total prej 889 milionë eurosh investime të huaja direkte, që përbën më shumë se një të tretën e gjithë fluksit vjetor.

Në të njëjtën periudhë, investimet nga vendet e Bashkimit Evropian kanë qenë dukshëm më të ulëta dhe kanë arritur vetëm 250.5 milionë euro, duke përforcuar hendekun mes orientimit politik të vendit dhe realitetit ekonomik të investimeve.

Parajsa fiskale në mesin e investitorëve më të mëdhenj

Në mesin e 20 investitorëve më të mëdhenj në Mal të Zi që nga pavarësia, figurojnë edhe parajsa fiskale, përfshirë Ishujt e Virgjër me 184 milionë euro dhe Panamanë me 173 milionë euro. Kur këtyre shifrave u shtohen investimet nga vende të tjera të njohura për regjim tatimor jotransparent, si Barbadosi, Bahamat, Belize, Jersey, Mauritius, Seychelles, Gjibraltari, Bahreini, Ishujt Kajman dhe Ishujt Marshall, shuma totale tejkalon 600 milionë euro.

Sipas analizës së Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) Mali i Zi nga viti 2024, ky kapital shpesh vjen nga burime jotransparente dhe kanalizohet përmes kompanive off-shore me strukturë të paqartë pronësie.

Profesoresha e Ekonomisë dhe ish-ministrja për integrime evropiane, Gordana Gjuroviq, vlerëson se procesi i integrimit evropian nuk është reflektuar në ndryshimin e profilit të investitorëve.

Ajo thekson se thellësia e integrimeve nuk ka ndikuar në dominimin e vendeve të BE-së në listën e investitorëve dhe se statistikat aktuale lënë hapësirë të madhe për hulumtime të mëtejshme.

Investimet nga BE-ja mbeten në prapavijë

Nga viti 2006 deri më sot, mbi 14.6 miliardë euro investime të huaja direkte janë derdhur në Mal të Zi. Dhjetë vendet kryesore investuese përbëjnë rreth 9 miliardë euro, ndërsa vetëm katër prej tyre janë njëkohësisht anëtare të BE-së dhe NATO-s, përjashtuar Turqinë që është anëtare e NATO-s.

Në mesin e dhjetë investitorëve më të mëdhenj nga BE-ja janë Italia, Austria, Qiproja dhe Gjermania, me investime totale pak mbi 3 miliardë euro. Ndërkohë, Rusia vazhdon të mbajë vendin e parë, duke qenë çdo vit që nga pavarësia ndër pesë investitorët kryesorë.

Pas Rusisë renditen Zvicra, Italia dhe Serbia, secila me mbi një miliard euro investime, ndërsa në dhjetëshen e parë hyjnë edhe Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Azerbajxhani, secila me mbi gjysmë miliardi euro.

Qeveria kundërshton, statistikat flasin ndryshe

Nga kabineti i kryeministrit Milojko Spajiq theksohet se disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore janë realizuar nga kompani të Bashkimit Evropian, siç është kablli nënujor energjetik mes Malit të Zi dhe Italisë, i ndërtuar nga kompania italiane Terna.

Po ashtu, theksohet se një numër i madh kompanish me seli në Serbi investojnë indirekt në Mal të Zi përmes degëve dhe përfaqësive të tyre, ndërsa në të ardhmen pritet rritje e investimeve nga Evropa Perëndimore, në përputhje me rrugën drejt BE-së.

Qeveria pohon gjithashtu se, për shkak të zhvillimeve globale dhe luftës në Ukrainë, ka pasur rënie të interesimit nga investitorët rusë dhe rritje të interesimit nga vendet e BE-së. Megjithatë, të dhënat e Bankës Qendrore të Malit të Zi i kundërshtojnë këto deklarime, duke treguar se Serbia, Rusia dhe Turqia vazhdojnë të jenë investitorët kryesorë të huaj.

Kapital jotransparent dhe sfida për mbikëqyrjen

Analisti ekonomik Zarija Pejoviq vlerëson se investimet përmes kompanive off-shore shpesh tregojnë përpjekje për fshehjen e pronarëve realë të kapitalit ose të origjinës së tij.

Sipas tij, kapitali vendas shpesh themelon kompani në parajsa fiskale dhe më pas investon në Mal të Zi për të përfituar norma më të ulëta tatimore, duke e bërë mbikëqyrjen e Administratës Tatimore vendimtare në këto raste. Ai shton se këto mekanizma janë përdorur edhe nga qytetarë malazezë për të legalizuar kapital të dyshimtë brenda vendit.

Investime të pakta në sektorin real

Përveç origjinës së kapitalit, problem mbetet edhe struktura e investimeve. Gordana Gjuroviq thekson se investimet nuk janë të orientuara mjaftueshëm drejt sektorit real dhe zhvillimit afatgjatë të ekonomisë.

Sipas saj, neto prurja e IHD-ve ka qenë mesatarisht rreth 14 për qind e BPV-së në vit, duke treguar një model zhvillimi të bazuar kryesisht në investime të huaja, ndërsa mungon orientimi eksportues, veçanërisht në eksportin e mallrave.

Struktura e investimeve që nga pavarësia tregon se 32.9 për qind e kapitalit ka shkuar në pasuri të paluajtshme, 31.6 për qind në sektorin real, ndërsa 30.6 për qind në borxh ndërkompanish, që nuk rrit kapitalin bazë dhe nuk krijon vlerë të qëndrueshme.

Pas rritjes së ndjeshme në vitet pas pandemisë dhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës, investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie. Në vitin 2021 ato iu afruan një miliard eurove, në vitin 2022 e tejkaluan këtë shifër, ndërsa në vitet 2023 dhe 2024 ranë nën 900 milionë euro.

Gjuroviq thekson se Malit të Zi i nevojiten më shumë investime në kompani dhe më pak në pasuri të paluajtshme, pasi vetëm investimet produktive kanë efekt të qëndrueshëm dhe të matshëm në zhvillimin ekonomik.

Rritje e popullsisë së huaj, pa efekt ekonomik

Sipas të dhënave nga burime të ndryshme, rreth 100 mijë shtetas të huaj jetojnë përkohësisht në Mal të Zi. Megjithatë, rritja e konsumit dhe prania e tyre nuk kanë sjellë investime të konsiderueshme në sektorin real, as hapje të reja të vendeve të punës.

Këshilli i Investitorëve të Huaj në Mal të Zi vlerëson se problemet strukturore vazhdojnë të mbeten, pavarësisht përmirësimeve të dukshme pas pandemisë, siç theksohet në publikimin “Libri i Bardhë 2024”.

Sipas këtij raporti, hapat reformues të ndërmarrë nga Qeveria e Malit të Zi janë të pamjaftueshëm dhe jo adekuatë për përballimin e sfidave serioze që rrezikojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit.

The Geo Post

Tags: Mali i Zi Rusia Serbia Turqia

Continue Reading

Previous: Vuçiq me tone përçmuese ndaj Trumpit: Publiku nuk reagoi ndaj “akrobacive” të tij në Davos
Next: Rutte kërkon përgjegjësi nga Serbia për incidentin e Banjskës dhe sulmin ndaj KFOR-it

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska 4 min read
  • Ballkan

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin Banjska

The Geopost April 15, 2026
Në Prishtinë u mbajt konferenca “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit” 2 min read
  • Ballkan

Në Prishtinë u mbajt konferenca “Demokracitë rezistente në epokën e informacionit”

The Geopost April 15, 2026
Konjufca: Dezinformimi kërcënon stabilitetin demokratik, Kosova përballet me fushata nga Rusia dhe Serbia 2 min read
  • Ballkan

Konjufca: Dezinformimi kërcënon stabilitetin demokratik, Kosova përballet me fushata nga Rusia dhe Serbia

The Geopost April 15, 2026
Arrestohet një serb për krime lufte në Skenderaj, dyshohet për vrasje e tortura të dhjetra civilëve shqiptarë në ’99-ën 2 min read
  • Ballkan

Arrestohet një serb për krime lufte në Skenderaj, dyshohet për vrasje e tortura të dhjetra civilëve shqiptarë në ’99-ën

The Geopost April 15, 2026
Mesazh i dyfishtë nga Beogradi: Pushteti forcon lidhjet me Moskën ndërsa flet për paqe dhe stabilitet 2 min read
  • Ballkan
  • News

Mesazh i dyfishtë nga Beogradi: Pushteti forcon lidhjet me Moskën ndërsa flet për paqe dhe stabilitet

The Geopost April 15, 2026
Çka e lidh Vuçiqin me kompaninë e shtetasit serb i cili është nën hetim në SHBA? 3 min read
  • Ballkan

Çka e lidh Vuçiqin me kompaninë e shtetasit serb i cili është nën hetim në SHBA?

The Geopost April 14, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.