Gazetari britanik Ed Vulliamy, i cili gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë raportoi nga terreni dhe më vonë dëshmoi në Hagë kundër Ratko Mladiqit, thotë se vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska nuk shënon fundin e ideologjisë që ai përfaqësonte.
Në një shkrim autorial për The Guardian, Vulliamy analizon trashëgiminë e Mladiqit dhe reagimet pas vdekjes së tij, duke argumentuar se më shumë se tri dekada pas luftës, Ballkani ende përballet me pasojat e politikave nacionaliste dhe krimeve të kryera gjatë viteve ’90.
“Njerëzit plaken dhe vdesin, por në Ballkan koha duket sikur ka ndalur”, shkruan Vulliamy.
Mladiqi, i cili vdiq në paraburgim në Hagë në moshën 84-vjeçare, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Vendimi ndaj tij u bë i formës së prerë në vitin 2021.
Megjithatë, sipas Vulliamyt, në një pjesë të shoqërisë serbe ai vazhdon të trajtohet si hero.
Gazetari britanik thekson se portretet e Mladiqit vazhdojnë të shfaqen në postera, mure, shtëpi private dhe në simbolet e grupeve të tifozëve.
Si shembull, ai përmend tifozët e Crvena Zvezdës, të cilët gjatë ndeshjes kundër Viktoria Plzen shfaqën një transparent në nderim të Mladiqit me mbishkrimin: “Gjeneral: Lavdi e përjetshme. Faleminderit”.
Edhe Milorad Dodik reagoi pas vdekjes së tij, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke thënë se Republika Srpska “nuk do ta harrojë rolin e tij”. Dodik e përshkroi Mladiqin si komandant që luftoi për lirinë e popullit serb dhe udhëhoqi një “Ushtri të ndershme të Republikës Srpska”.
“Trashëgimia e tij ende jeton”
Vulliamy argumenton se problemi nuk qëndron vetëm te glorifikimi i një individi, por te fakti se krimet e luftës dhe ideologjia që i mundësoi ato ende nuk janë përballur në mënyrë të sinqertë.
Sipas tij, në Republikën Srpska vazhdojnë mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës, ndërsa armiqësia ndaj komuniteteve të tjera mbetet pjesë e diskursit politik.
Ai citon edhe një mik nga Bosnja, sipas të cilit njerëzit atje “ende jetojnë çdo ditë me këtë trashëgimi”, duke dëgjuar “të njëjtat gënjeshtra dhe të njëjtin mohim” nga Republika Srpska, Dodiku dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Vulliamy vë në pah veçanërisht pozitën e boshnjakëve dhe kroatëve që janë kthyer për të jetuar në zonat e Republikës Srpska. Për ta, thotë ai, glorifikimi publik i Mladiqit mund të përjetohet si vazhdim i frikësimit në vendet ku familjarët e tyre janë vrarë ose dëbuar.
Nga Sarajeva te Srebrenica
Gazetari britanik rikthen edhe dëshminë e tij në Hagë në vitin 2012. Ai kujton momentin kur Mladiqi e shikoi teksa po hynte për të dëshmuar dhe më pas, gjatë dëshmisë disaorëshe për krimet e forcave nën komandën e tij, nuk e shikoi më në sy.
Vulliamy e përshkruan Mladiqin si një figurë që “ngjallte frikë te kushdo që i ndodhej pranë”.
Ai e vendos atë në qendër të një “triniteti të pashenjtë”, së bashku me Slobodan Millosheviqin dhe Radovan Karaxhiqin, duke e përshkruar Mladiqin si krahun ushtarak të projektit politik serb gjatë luftës në Bosnje.
Në shkrim, Vulliamy rikujton edhe deklaratën e Mladiqit në vitin 1992, kur ai paralajmëroi udhëheqjen politike serbe të Bosnjës se ndarja e popullsisë dhe krijimi i territoreve homogjene do të nënkuptonte gjenocid.
Tri vjet më vonë, forcat nën komandën e tij kryen gjenocidin e Srebrenicës.
Më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në korrik të vitit 1995.
Por Vulliamy thekson se krimet e Mladiqit nuk kufizohen te Srebrenica. Ai përmend vrasjet, dëbimet, burgosjet, dhunën seksuale dhe spastrimin etnik në një numër qytetesh dhe komunash të Bosnjës, si dhe rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës.
Kritika ndaj Dejtonit
Një pjesë e rëndësishme e analizës së Vulliamyt i kushtohet edhe Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.
Sipas tij, marrëveshja i la strukturave serbe të Bosnjës një pjesë të madhe të territorit për të cilin gjatë luftës ishin kryer dëbime dhe spastrime etnike.
Ai argumenton se, në këtë kuptim, Mladiqi arriti të paktën pjesërisht objektivat territoriale për të cilat luftuan forcat e Republikës Srpska.
Vulliamy kritikon edhe udhëheqjen boshnjake të kohës për pranimin e marrëveshjes në një moment kur, sipas tij, Ushtria e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës po përparonte në terren.
Në fund, gazetari britanik thotë se mënyra se si Serbia dhe shoqëria serbe do të sillen me vdekjen dhe varrimin e Mladiqit mund të jetë më domethënëse sesa vetë vdekja e tij.
Ai përmend thirrjet e disa zyrtarëve serbë që ish-komandanti të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se vendimin për varrimin do t’ia lërë familjes së Mladiqit.
Për Vulliamyn, ky moment do të tregojë nëse Serbia është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj apo nëse glorifikimi i figurave të luftës do të vazhdojë.
Mladiqi vdiq, por sipas Vulliamyt, ideologjia nacionaliste që ai zbatoi në fushëbetejë nuk vdiq bashkë me të.
The GeoPost

“Ata e dëgjuan Vuçiqin dhe humbën gjithçka” – Stojkoviq rikthen rolin e tij në luftërat e viteve ’90
Komiteti i Helsinkit: Vdekja e Mlladiqit nuk i dha fund ideologjisë nacionaliste të Serbisë
“Shpresë dhe frikë”: Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve
Kërcënim i rëndë nga një kanal serb në Telegram: “Novi Pazari do të bëhet Vukovari i ri, Sjenica Srebrenica e dytë”
Përleshje dhe gaz lotsjellës në Serbi, Demokratët Evropianë godasin Vuçiqin: Nuk është gati për zgjedhje të ndershme
Avokati nga Beogradi në shënjestër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë: Arsyeja është lidhja midis Vuçiqit dhe Sarajevo Safari?