Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Largimi i Rusisë nga NIS dhe hyrja e ADNOC, marrëveshja varet nga miratimi i SHBA-së

The Geopost February 9, 2026 2 min read
Share the news

Kompania Kombëtare e Naftës e Abu Dhabit (ADNOC) pritet të marrë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në kompaninë serbe të naftës (NIS), si pjesë e një marrëveshjeje për blerjen e aksioneve që aktualisht zotërohen nga kompania ruse Gazprom Neft.

Ministria e Energjisë e Serbisë njoftoi më 5 shkurt se Gazprom dhe dega e saj e naftës, Gazprom Neft, kanë rënë dakord në janar t’ia shesin kompanisë hungareze MOL 56.15 për qind të aksioneve të tyre të kombinuara në NIS.

Ky veprim mund të hapë rrugën për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj NIS, nëse marrëveshja miratohet nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara.

Sipas strukturës së propozuar, ADNOC do të marrë një pjesëmarrje minoritare në një kompani të përbashkët me MOL, e cila do të bëhej aksionari shumicë dhe menaxhues i NIS.

MOL do të drejtonte kompaninë, ndërsa ADNOC do të merrte pjesë në organet drejtuese.

Ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Dedoviq Handanoviq, zhvilloi më 5 shkurt takime në Abu Dhabi me drejtuesit e ADNOC, ku u diskutua bashkëpunimi i ardhshëm në sektorin e naftës.

Ajo tha se përfshirja e ADNOC është e rëndësishme për Serbinë, duke e cilësuar kompaninë si një partner shtetëror me përvojë të gjerë dhe me kuptim të interesave strategjike të shtetit.

NIS, e cila zotëron të vetmen rafineri nafte në Serbi, në Pançevo, u sanksionua nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit Amerikan të Thesarit në tetor, në kuadër të masave ndaj sektorit energjetik rus për shkak të luftës në Ukrainë. Sanksionet ndërprenë furnizimet me naftë dhe çuan në mbylljen e përkohshme të rafinerisë, duke ngritur shqetësime për mungesë karburanti në tregun serb.

SHBA-ja ka dhënë ndërkohë një përjashtim të përkohshëm nga sanksionet, duke i lejuar NIS të vazhdojë operimin deri më 20 shkurt, pasi Rusia pranoi të heqë dorë nga aksionet e saj shumicë.

Dedoviq Handanoviq tha se ADNOC ka konfirmuar synimin për ta mbajtur rafinerinë e Pançevos në funksionim dhe për të zgjeruar kapacitetet e saj në përputhje me kërkesën e tregut.

Ajo shtoi se analiza e thelluar e transaksionit pritet të përfundojë deri në fund të shkurtit, me synimin që marrëveshja e blerjes të nënshkruhet deri më 24 mars, afat i përcaktuar nga OFAC.

Miratimi i OFAC mbetet kusht kyç për finalizimin e marrëveshjes dhe për heqjen e plotë të sanksioneve ndaj NIS.

Tags: NIS Serbia SHBA

Continue Reading

Previous: Nga aktakuza te dëshmitë e fundit – historia e gjykimit të UÇK-së në Hagë
Next: BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

NATO kërkon nga Serbia përgjegjësi të plotë për sulmin e armatosur në Banjskë 4 min read
  • Ballkan

NATO kërkon nga Serbia përgjegjësi të plotë për sulmin e armatosur në Banjskë

The Geopost February 10, 2026
Gallup: Kosova ndër pesë vendet me opinionin më pozitiv për Trump – Serbia kryeson për vlerësimin e Putinit 2 min read
  • Ballkan

Gallup: Kosova ndër pesë vendet me opinionin më pozitiv për Trump – Serbia kryeson për vlerësimin e Putinit

The Geopost February 10, 2026
Propaganda ruse në Maqedoninë e Veriut 5 min read
  • Ballkan

Propaganda ruse në Maqedoninë e Veriut

The Geopost February 10, 2026
Deri kur Dodik do ta mohojë gjenocidin në Srebrenicë pa u ndëshkuar? 5 min read
  • Ballkan

Deri kur Dodik do ta mohojë gjenocidin në Srebrenicë pa u ndëshkuar?

The Geopost February 10, 2026
Urimi i Lavrovit për Karan – një sinjal i qartë i ndikimit rus në Republikën Sërpska 2 min read
  • Ballkan

Urimi i Lavrovit për Karan – një sinjal i qartë i ndikimit rus në Republikën Sërpska

The Geopost February 10, 2026
Rosatom dhe projekti bërthamor i Serbisë – një kanal i ri i ndikimit rus në Ballkan 4 min read
  • Ballkan

Rosatom dhe projekti bërthamor i Serbisë – një kanal i ri i ndikimit rus në Ballkan

The Geopost February 10, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.