Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Nga aktakuza te dëshmitë e fundit – historia e gjykimit të UÇK-së në Hagë

The Geopost February 9, 2026 4 min read
Share the news

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po hy në fazën përfundimtare, ndërsa pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, kanë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si dhe për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë burgosje, aktet e tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet, sipas aktakuzës, pretendohet të jenë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Çfarë përmban aktakuza?

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë për ish-krerët e UÇK-së përmban gjithsej dhjetë akuza: katër për krime lufte dhe gjashtë për krime të supozuara kundër njerëzimit.

Sipas Prokurorisë, krimet janë kryer në periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme, pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ekipeve të mbrojtjes së viktimave dhe ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të Gjykatës Speciale që nga nëntori i vitit 2020.

Historia e gjykimit deri më tani

Aktakuza u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërsa më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Procedura paraprake përfshiu një sërë konferencash statusore dhe prezantimin e materialeve dhe provave të ndryshme, por gjykimi i plotë nuk nisi deri më 3 prill 2023.

Për tre ditë rresht, palët mbajtën deklaratat hyrëse. Prokurorët e specializuar deklaruan se të akuzuarit ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Sipas tyre, kjo “luftë speciale” synonte të eliminojë ata që konsideroheshin “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Prokurori Alex Whiting theksoi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës” dhe se politikat e të akuzuarve shpesh viktimizonin edhe vetë bashkëluftëtarët e tyre.

Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja nuk kishte një komandë të centralizuar dhe hedhën poshtë pretendimin e Prokurorisë për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Vetë Thaçi deklaroi se UÇK-ja nuk ka kryer trafikim të organeve, duke përmendur raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, i cili në 2011 ngriti akuza për trafik organesh që më pas u bënë baza për krijimin e Dhomave të Specializuara.

“Bota tani e di, se nuk kishte trafikim organesh dhe Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr,” deklaroi Thaçi.

Dëshmitarët dhe provat

Nga prilli 2023 deri në dhjetor 2025, palët prezantuan prova dhe dëshmitarë në gjykatë. Sipas Prokurorisë, u vlerësua se ishin 155 viktima të përfshira në rast, ndërsa 125 dëshmitarë u ftuan të dëshmonin në gjykatë dhe 117 të tjerë dorëzuan dëshmi me shkrim.

Një nga dëshmitarët, Fadil Geci, deklaroi se “Thaçi ka menduar të na shfarosë me krejt familjen”.

Ekipet mbrojtëse, nga ana tjetër, prezantuan dëshmitarë të tillë si James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, dhe Wesley Clark, ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s.

Ata argumentuan se Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake dhe se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional që të lejonte krime të tilla pa dijeninë e SHBA-së dhe NATO-s.

Faza përfundimtare dhe vendimi i pritshëm

Pas përmbylljes së dëshmive, gjykimi ka kaluar në fazën e dorëzimit të dosjeve përfundimtare, i cili përfundoi në fund të janarit 2026.

Deklaratat përmbyllëse do të zhvillohen nga 9 deri më 18 shkurt, fillimisht nga Prokuroria, më pas ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe nga 11 shkurti radhën e kanë ekipet mbrojtëse të të pandehurve.

Pas përfundimit të deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendim, me mundësi zgjatjeje deri në dy muaj dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Ndërkohë, Thaçi do të përballet edhe me një proces tjetër për një rast të ndarë që lidhet me administrimin e drejtësisë.

Roli dhe funksionimi i Dhomave të Specializuara

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por operojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ato hetojnë pretendimet për krime të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë që nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

The Geo Post

Tags: Gjykata Speciale Hagë Hashim Thaçi Jakup Krasniqi Kadri Veseli Rexhep Selimi Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Continue Reading

Previous: Senatorja amerikane Shaheen: Duhet të rivendosen sanksionet ndaj Milorad Dodik
Next: Largimi i Rusisë nga NIS dhe hyrja e ADNOC, marrëveshja varet nga miratimi i SHBA-së

Milanoviq: Pretendimet e Vuçiqit se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do ta sulmojnë Serbinë janë budallallëk 2 min read
  • Ballkan

Milanoviq: Pretendimet e Vuçiqit se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do ta sulmojnë Serbinë janë budallallëk

The Geopost March 16, 2026
Pas një viti pa përgjigje, autoritetet serbe, me ndihmën e inteligjencës ruse, pretendojnë se ‘topi sonik nuk ndodhi’ 8 min read
  • Ballkan

Pas një viti pa përgjigje, autoritetet serbe, me ndihmën e inteligjencës ruse, pretendojnë se ‘topi sonik nuk ndodhi’

The Geopost March 15, 2026
Blerja e raketave nga Kina, BE-ja paralajmëron Serbinë 3 min read
  • Ballkan

Blerja e raketave nga Kina, BE-ja paralajmëron Serbinë

The Geopost March 14, 2026
Fantazmat e masakrës në “Panda” mbi Aleksandar Vuçiqin 2 min read
  • Ballkan

Fantazmat e masakrës në “Panda” mbi Aleksandar Vuçiqin

The Geopost March 13, 2026
Serbia blen raketa kineze, Kroacia paralajmëron diskutim në NATO 3 min read
  • Ballkan

Serbia blen raketa kineze, Kroacia paralajmëron diskutim në NATO

The Geopost March 13, 2026
Parlamenti Evropian kërkon nga Serbia ta ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë 3 min read
  • Ballkan

Parlamenti Evropian kërkon nga Serbia ta ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë

The Geopost March 12, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.