Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Kongresistët amerikanë në Ballkan, vizitë edhe në Kosovë

The Geopost May 25, 2026 3 min read
Share the news

Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të qëndrojnë sot në Serbi, ku do të vizitojnë edhe Luginën e Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare.

Ata do të priten nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, prej ku nesër do të shkojnë edhe në Preshevë.

Kryetarja e kësaj komune në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në profilin e saj në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”.

“Një moment historik për Luginën”, sipas saj.

Me iniciativën e kongresistit Self, anëtarët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratuan në janar të këtij viti një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në vitin 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Një ditë më herët, Self dhe Subramanyam qëndruan në Sarajevë, ku takuan përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Atje diskutuan për “mënyrat për të forcuar partneritetin dypalësh dhe për të mbështetur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Përmes një postimi në platformën X, Ambasada amerikane në Sarajevë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.

Në mesazhin e publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë me rastin e vizitës së kongresistëve, u theksua po ashtu rëndësia e angazhimit amerikan ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.

Dy kongresistët u takuan me zëvendëspërfaqësuesin e parë të lartë, Louis Crishock, “për të diskutuar situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë pritet të qëndrojë në Kosovë të martën.

Javën e kaluar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.

Në fund të prillit, Self, bashkë me kolegët e tij, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, propozuan një rezolutë që synon ta shtyjë përpara rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Rezoluta me mbështetje dypartiake thekson, mes tjerash, se “qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa shumetnike përbëjnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO”.

The GeoPost

Tags: Kosova SHBA

Continue Reading

Previous: Fabrika kineze e gomave Linglong në Serbi merr leje pavarësisht kimikateve të rrezikshme
Next: Vrasja e Aleksandar Neshoviqit: Gazetari zbulon deklaratën e ish-shefit të policisë së Beogradit

Hungaria e shpallë Rusinë “kërcënim për Evropën”, kthesë e fortë pas largimit të Orbanit 3 min read
  • News

Hungaria e shpallë Rusinë “kërcënim për Evropën”, kthesë e fortë pas largimit të Orbanit

The Geopost August 27, 2026
Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë 2 min read
  • Ballkan

Margetiq për Vuçiqin: Para 34 vitesh dogji Sarajevën, sot vështron Serbinë në flakë

The Geopost August 27, 2026
Shefi i CIA-s zbarkon në Moskë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin 6 min read
  • News

Shefi i CIA-s zbarkon në Moskë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve me Iranin

The Geopost August 27, 2026
Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë 4 min read
  • Ballkan
  • News

Anatomia e një operacioni të BIA-s: Si u tentua diskreditimi i Albin Kurtit përmes “Masave Aktive” të stilit sovjetik, duke përdorur një vend të tretë

The Geopost August 26, 2026
“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi 8 min read
  • Ballkan

“Topi i zjarrtë nga Kosova” dhe teoritë e tjera: Si u përhap dezinformimi për zjarret në Serbi

The Geopost August 26, 2026
Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën 2 min read
  • Ballkan

Thirrja që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe, reagon Murphy: Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën

The Geopost August 26, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.