Një operacion i sofistikuar i spiunazhit kibernetik i lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës ka ekspozuar, sipas ekspertëve të sigurisë në Serbi, një bashkërendim shqetësues interesash mes Moskës dhe Beogradit në shënjestrimin e aktorëve pro-evropianë, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile.
Në një intervistë për VSquare.org, Srdan Cvijiq, president i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP), ka folur për një sulm kibernetik që goditi organizatën e tij dhe që, sipas analizave forenzike, u krye nga dy grupe hakerësh të lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) dhe Inteligjencën Ushtarake Ruse (GRU).
Sipas tij, sulmuesit kishin arritur të depërtonin në sistemet e organizatës dhe për afro një muaj kishin aksesuar mbi 28 mijë herë kutitë elektronike të punonjësve, duke mbledhur informacione të ndjeshme, dokumente të brendshme dhe të dhëna mbi rrjetet e bashkëpunimit.
Cvijiq tha se rreziku nuk qëndron vetëm te vjedhja e të dhënave, por edhe te përdorimi i tyre përmes inteligjencës artificiale.
“Nëse dikush ka në dispozicion 30 apo 40 mijë email-e, ai nuk ka vetëm dokumente. Ka një hartë të marrëdhënieve, bindjeve politike, dobësive dhe komunikimeve private, të cilat mund të përdoren si armë kundër individëve dhe institucioneve”, tha ai.
Sipas ekspertit serb, Serbia po përballet me një situatë të veçantë krahasuar me vendet e tjera evropiane, pasi presioni ndaj shoqërisë civile vjen njëkohësisht nga aktorë të jashtëm dhe të brendshëm.
Ai argumenton se organizatat e pavarura, gazetarët dhe aktivistët demokratikë në Serbi janë objektiva si të operacioneve ruse të ndikimit, ashtu edhe të fushatave të brendshme të diskreditimit.
“Serbia nuk është vetëm viktimë e ndikimit rus. Ajo shpesh është partnere, përforcuese dhe përfituese e tij. Regjimet në Moskë dhe Beograd shpesh identifikojnë të njëjtët njerëz dhe grupe si armiq: aktorët pro-evropianë, gazetarët e pavarur, shoqërinë civile dhe kundërshtarët e autoritarizmit”, tha Cvijiq.
Ai pretendon se Serbia mund të jetë duke u shndërruar në një “laborator” për operacionet hibride dhe format moderne të presionit autoritar, ndërsa përmendi edhe raportimet për kampe trajnimi në territorin serb që, sipas tij, janë përdorur për përgatitjen e ndërhyrjeve në zgjedhjet e Moldavisë.
Duke folur për situatën politike në Serbi dhe zgjedhjet e ardhshme, Cvijiq parashikoi një rritje të presionit ndaj mediave të pavarura, organizatave joqeveritare dhe opozitës.
Ai vlerësoi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq mund të intensifikojë fushatat e shpifjes, mbikëqyrjen dhe sulmet dixhitale në prag të proceseve zgjedhore, duke shtuar se Serbia po përballet me një betejë të gjerë për ruajtjen e standardeve demokratike.
Sipas tij, pavarësisht presioneve, shoqëria serbe ka treguar se nuk është e gatshme të pranojë një model plotësisht autoritar të qeverisjes, ndërsa protestat e vazhdueshme pas ngjarjeve në Novi Sad dëshmojnë pakënaqësinë në rritje ndaj pushtetit aktual.
The GeoPost

Tensione të reja në Bosnje: Republika Srpska ndalon simbolet e ushtrisë boshnjake, parashikohen deri në 5 vjet burg
Serbia mobilizon pronat shtetërore dhe kishtare për zgjerimin e projekteve ushtarake
Nis gjykimi për sulmin terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc”, tre të akuzuarit dalin para gjykatës
Presidenti kroat kërkon që NATO t’i kushtojë vëmendje Serbisë
Thellimi i lidhjeve midis RS dhe Serbisë: Ku është kufiri i Dejtonit?
BE-ja i mbyll derën Serbisë për kapitullin e ri: Nëntë shtete kundërshtojnë rekomandimin e Komisionit Evropian