Një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është shfrytëzuar nga mediat e kontrolluara nga Kremlini për të shpërndarë narrativat dezinformuese të tyre për ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Një artikull i publikuar në Sputnik Serbia e ka paraqitur rezolutën e Kuvendit të Kosovës si dëshmi e “ringjalljes së idesë për shkëmbim territoresh” apo si hap drejt të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.
Çfarë raporton Sputnik Serbia?
Në raportimin e Sputnik Serbia ndërlidhet rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës drejtpërdrejt me një projekt për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë artikull citohet politologu Nikola Perishiq, i cili pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka riaktivizuar këtë ide para zgjedhjeve të mundshme në Kosovë.
Sipas tij, përmes kësaj Rezolute po krijohet bazë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, duke e zgjeruar narrativën deri te pretendimet për një projekt më të gjerë kombëtar shqiptar.
“Kur u pyet nëse Prishtina po përgatitet të aktivizojë një pikë tjetër presioni ndaj Beogradit, Nikola Perišić, një shkencëtar politik nga Qendra për Analiza Sociale, thotë se është e qartë se kjo është një tjetër në një seri përpjekjesh për të ushtruar forma të ndryshme presioni ndaj Serbisë dhe popullsisë serbe në Kosovë dhe Metohi.”- thuhet në artikullin e Sputnik.
Tutje, pretendohet pa fakte se “idetë e një Shqipërie të madhe po promovohen gjithnjë e më shumë, përkatësisht aneksimit të disa territoreve dhe komunave të tjera, në mënyrë që për shkak të të gjitha këtyre, të ndodhin disa turbulenca të mëtejshme në Ballkan dhe në marrëdhëniet që po zhvillohen këtu”. I njëjti arikull u shpërnda edhe në portalin Naslovi.net.
Çfarë thotë realisht Rezoluta e Kuvendit?
Por, çfarë thotë Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 24.04.2026. Rezoluta ka të bëjë për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në përputhje me standardet europiane.
Rezoluta i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zhvillojë dhe të zbatojë politika të strukturuara mbështetëse për shqiptarë në Luginën e Preshevë, duke përfshirë dimensionin politik, zbatimin e të drejtave, atë financiar, socio-ekonomik, arsimor dhe institucional.
Në fillim të rezolurës ceket se e njëjta bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës inkurajon forcimin e angazhimit politik dhe diplomatik të Republikës së Kosovës për çështjet që lidhen me të drejtat dhe me pozitën e komunitetit shqiptar në Preshevë, në Medvegjë e në Bujanoc, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe në komunikimin me institucionet europiane dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.”- thuhet në pikën e tretë të Rezolutës.
Tutje, Rezoluta kërkon që respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e në Bujanoc, të trajtohet si pjesë integrale e kritereve për përparimin e Serbisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Rezoluta po ashtu zotohet për angazhim diplomatik e financiar për të mbështetur qytetarët e këtyre tri komunave.
Arbërie Nagavci, kryetare grupit parlamentar të LVV-së, në emër deputetëve propozues prezantoi tekstin e rezolutës, duke theksuar se propozim-rezoluta është edhe iniciativë e deputetit shqiptar (në Kuvendin e Serbisë), Shaip Kamberi.
Nagavci tha se rezoluta inkurajon gjithashtu forcimin e angazhimit politik dhe diplomatik të Kosovës për çështje që lidhen më të drejta dhe pozitën e komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe në komunikim me institucionet evropiane dhe institucionet tjera ndërkombëtare.
Rezoluta e propozuar nga deputeti Shaip Kamberi, e cila u miratua në Kuvend, përmban nëntë pika, përmes të cilave kërkohet riafirmim për angazhimin e Republikës së Kosovës për përkujdesje institucionale të qëndrueshme ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Në këtë rezolutë nuk ekziston asnjë referencë për shkëmbim territoresh.
Historiku i idesë së shkëmbimit të tërritorit
Ideja e shkëmbimit të territorit ishte folur në kohën kur president i Kosovës ishte Hashim Thaçi. Ai kishte folur për këtë ide në Forumin Europian 2018 në Alpbach të Austrisë, kur ishte pjesëmarrës në një panel diskutimi me homologët e tij nga Ballkani Perëndimor. I pyetur nga moderatori i panelit nëse ai ishte i gatshëm të hiqte dorë nga territori i Kosovës në këmbim të një zgjidhjeje finale me Serbinë, Thaçi ishte përgjigjur “po, unë jam në favor të korrigjimit të kufijve” (shih këtu nga min 1:22:00).
Thaçi ishte pyetur nga Frankfurter Allgemeine Zeitung-FAZ në mënyrë të drejtëpërdrejtë për idenë e shkëmbimit të territoreve, por ai nuk e kishte përmendur këtë në përgjigjen e tij.
Thaçi në përgjigjen e tij kishte thënë se ishte angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje përmes të cilës të dy vendet do të njihnin njëra-tjetrën.
“Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë – një paqe që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës t’i hapet rruga për integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen çështje të pazgjidhura për brezat e ardhshëm. Angazhimi im ka qenë gjithmonë për zgjidhje diplomatike, në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë. Marrëdhëniet e mira me BE-në, SHBA-në dhe Perëndimin janë në interesin kombëtar të Kosovës.”- ka thënë Thaçi në një intervistë të publikuar më 13.04.2026.
Ramush Haradinaj, në atë kohë kryeministër i Kosovës kishte mospajtime me ish-presidentin Thaçi, duke shprehur kundërshtimin e tij kategorik ndaj ndryshimit të kufijve.
Haradinaj në vitin 2019 pati pohuar se informacionet e plasuara në media rreth një plani të detajuar lidhur me shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, fatin e Ujmanit dhe Trepçës, deri tek arritja finale, janë pa rëndësi dhe nuk duhet t’iu kushtohet vëmendje.
Sipas tij, nuk do të ketë eksperimente me territor e as me kufijtë, dhe siç është shprehur ai, kushdo që guxon ta iniciojë një gjë të tillë bie ndesh me Kushtetutën.
Ndërkaq, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por si ide ende ekziston.
Ai në një intervistë për Al Jazeera, më 07.01.2023, ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë, duke shtuar se është një formulë për luftë.
Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar./Kallxo.

A po rreshtohet Serbia me naftën ruse përmes Druzhbës?
Shqipëria nënshkruan me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh
Frankfurter Rundschau: Zgjedhjet mund të sfidojnë seriozisht pushtetin e Vuçiqit
BE i bën thirrje Serbisë të zbatojë plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venedikut
Teksa ankohet për marrëveshjen ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Serbia avancon blerjet e armëve nga Kina
Jelena Gjukanoviq dënohet me gjashtë vjet burgim për spiunazh kundër Kosovës