Ish-lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka reaguar lidhur me vdekjen e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, duke kritikuar mënyrën se si figura e tij po trajtohet në Serbi.
Në një intervistë për Klix.ba, Çanak tha se Mlladiqi duhet të cilësohet qartë si kriminel i dënuar i luftës, duke kundërshtuar përpjekjet për ta paraqitur atë si hero.
Sipas tij, Mlladiqi, si oficer ushtarak, kishte shkelur betimin dhe nderin që lidhej me funksionin e tij.
Çanak foli edhe për zhvillimet ushtarake gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, duke pretenduar se Ushtria e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës kishte avancuar deri rreth 40 kilometra nga Banja Luka.
“Kur Ushtria e RBiH-së arriti 40 kilometra nga Banja Luka, askush nuk po përgatitej për mbrojtje, të gjithë i kishin bërë valixhet”, deklaroi Çanak.
Ai tha se ndërhyrja amerikane kishte qenë vendimtare për vazhdimin e ekzistencës së Republikës Serbe.
Çanak komentoi gjithashtu raportimet për mundësinë e organizimit të një funerali shtetëror për Mlladiqin në Serbi. Sipas tij, autoritetet në Beograd janë tërhequr pas reagimeve ndërkombëtare dhe mesazheve se një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk mund të glorifikojë persona të dënuar për krime lufte.
Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës. Ai u shpall fajtor, ndër të tjera, për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës.
Vdekja e tij ka rikthyer në Serbi dhe në rajon debatin për mënyrën se si trajtohen figurat e dënuara për krime lufte, veçanërisht në një kohë kur Beogradi synon avancimin drejt anëtarësimit në BE.
The GeoPost

Eksperti gjerman: Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan, Vuçiq përdor nacionalizmin për pushtet
Spiunë kundër popullit: BIA në fushatën zgjedhore si instrument i Vuçiqit
Gazeta gjermane FAZ: Durimit të BE-së me Serbinë i erdhi fundi – Vuçiqi nuk duhet të tolerohet më
Togeri i Kosovës, Jevtiq, i përcolli BIA-s dokumente dhe plane operative të Policisë
Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin
Zyrtari rus i futbollit dhe ish-oficeri i inteligjencës bëhet shtetas i ri serb