Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Biljana Pllavshiq, gruaja që pas masakrës e puthi Arkanin dhe boshnjakët i quajti “material gjenetik të prishur”

The Geopost October 5, 2026 4 min read
Share the news

Biljana Pllavshiq, ish-presidente e “Republika Srpskas” dhe një nga figurat kryesore të udhëheqjes serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1990, ka vdekur të enjten në Beograd, në moshën 96-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u raportua nga mediat serbe. Pllavshiq ishte e vetmja grua e dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit. Në vitin 2003, ajo u dënua me 11 vjet burgim pasi u deklarua fajtore për përndjekjen e popullsisë joserbe në Bosnjë-Hercegovinë.

Në një shkrim të tij, gazetari Enver Robelli rikthen në vëmendje rrugëtimin e Pllavshiqit – nga profesoresha e biologjisë në Universitetin e Sarajevës, te një nga figurat e rëndësishme politike të udhëheqjes serbe të Bosnjës dhe më pas e dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Pllavshiq kishte lindur në vitin 1930 në Tuzëll. Ajo studioi biologji në Universitetin e Zagrebit dhe vazhdoi specializimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes një burse Fulbright. Para hyrjes në politikë, ishte profesoreshë dhe dekane në Universitetin e Sarajevës.

Në politikë u përfshi në vitin 1990, kur u bë një nga themelueset e Partisë Demokratike Serbe (SDS), të udhëhequr nga Radovan Karaxhiq. Më pas u bë pjesë e udhëheqjes politike të serbëve të Bosnjës dhe, në vitin 1996, mori postin e presidentes së “Republika Srpskas”.

Gjatë luftës në Bosnjë, Pllavshiq ishte pjesë e udhëheqjes që mbështeti politikën e ndarjes etnike. Vetë Tribunali i Hagës konstatoi se ajo kishte mbështetur objektivin e ndarjes me forcë të popullsive dhe kishte kontribuar në realizimin e tij, përfshirë përmes deklaratave publike dhe mbështetjes së forcave paramilitare nga Serbia. Fushata e përndjekjes përfshinte vrasje, dëbime, transferime të dhunshme, ndalime, tortura, shkatërrim të pronës dhe objekteve fetare.

Një nga episodet që lidhet me emrin e saj është vizita në Bijelinë në prill të vitit 1992, pak pasi forcat paramilitare të Zhelko Razhnjatoviqit, i njohur si Arkan, kishin kryer vrasje të civilëve në qytet.

Në mesin e viktimave të Bijelinës ishte edhe shqiptari Hajrush Ziberi, nga rrethina e Shkupit, i cili punonte si kamerier. Fotografitë e fotoreporterit Ron Haviv, të bëra gjatë masakrës, dokumentuan edhe momentet para vrasjes së tij.

Robelli, duke iu referuar dëshmive dhe shkrimeve të publikuara ndër vite, rikthen edhe momentin kur Pllavshiq u shfaq në Bijelinë dhe përshëndeti Arkanin, ndërsa qyteti sapo ishte përballur me vrasjet e civilëve.

Gjatë luftës, Pllavshiq ishte bashkëpunëtore e afërt e Radovan Karaxhiqit, Ratko Mlladiqit dhe Momçillo Krajishnikut. Ajo kishte bërë edhe deklarata të ashpra nacionaliste ndaj boshnjakëve myslimanë.

Në vitin 2000, Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë ndaj saj. Pllavshiq u dorëzua vullnetarisht në janar të vitit 2001.

Fillimisht, ndaj saj ishin ngritur akuza shumë më të rënda, përfshirë gjenocidin. Por në tetor të vitit 2002 ajo u deklarua fajtore për një akuzë – përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare, e klasifikuar si krim kundër njerëzimit – ndërsa akuzat e tjera u tërhoqën në kuadër të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Më 27 shkurt 2003, Gjykata e Hagës e dënoi me 11 vjet burgim. Në aktgjykim, gjykata e cilësoi fushatën e përndjekjes si një krim të “peshës më të madhe”, që kishte shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve dhe dëbimin e mijëra të tjerëve.

Tribunali theksoi se Pllavshiq, ndonëse nuk kishte hartuar vetë planin e fushatës dhe kishte rol më të vogël në ekzekutimin e saj sesa disa prej liderëve të tjerë, e kishte mbështetur dhe inkurajuar objektivin e ndarjes etnike me forcë.

Në përcaktimin e dënimit, gjykata mori parasysh edhe pranimin e fajësisë, dorëzimin vullnetar dhe kontributin e saj pas luftës në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Përfundimisht, ajo u dënua me 11 vjet burgim.

Pllavshiq e vuajti dënimin në Suedi dhe u lirua në tetor të vitit 2009, pasi kishte kryer rreth dy të tretat e dënimit. Pas lirimit, ajo u kthye në Beograd dhe jetoi larg jetës aktive politike.

Vitet pas lirimit sollën edhe deklarata të saj që vunë në pikëpyetje pendesën e shfaqur gjatë procesit në Hagë. Ajo kishte thënë se pranimi i fajësisë ishte pjesë e një strategjie për të shmangur një proces më të gjatë dhe një dënim potencialisht më të rëndë.

Vdekja e saj ka nxitur reagime nga udhëheqësit politikë të serbëve të Bosnjës.

Milorad Dodik, ish-udhëheqës i “Republika Srpskas”, e përshkroi Pllavshiqin si një person që i kishte bërë shërbim entitetit serb të Bosnjës dhe deklaroi se ajo meritonte të gjitha nderimet si ish-presidente. Dodik kritikoi gjithashtu dënimin e saj nga Tribunali i Hagës, duke thënë se ajo ishte mbajtur përgjegjëse “pa justifikim”.

Pllavshiq vdiq në Beograd më 1 tetor 2026, në moshën 96-vjeçare. Ceremonia mortore është paralajmëruar të mbahet në Banja Llukë më 6 tetor.

Rasti i saj mbetet një nga shembujt më të veçantë të rolit të udhëheqjes politike serbe të Bosnjës në luftën e viteve 1992–1995: një profesoreshë universitare dhe biologe që u shndërrua në figurë të lartë politike të kohës së luftës dhe që më pas u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

The GeoPost

Tags: Arkani Biljana Pllavshiq Serbia Tribunali i Hagës

Continue Reading

Previous: YouTuberët austriakë depërtojnë në Batajnicë, publikojnë pamje të bazës ku Serbia operon avionë dhe dronë
Next: Wilson: Regjimi i Vuçiqit po përpiqet të pengojë votimin e diasporës serbe, njësoj si Georgian Dream në Gjeorgji

Raporti i Gallupit për 2025-ën: Kosova, ndër vendet më të sigurta në Evropë 1 min read
  • Ballkan

Raporti i Gallupit për 2025-ën: Kosova, ndër vendet më të sigurta në Evropë

The Geopost November 19, 2026
Stojkoviq reagon ndaj drejtësisë serbe për Radoiçiqin: E lanë të lirë terroristin, gjyqtarët dhe prokurorët shkelën ligjin për ta mbrojtur atë 3 min read
  • Ballkan

Stojkoviq reagon ndaj drejtësisë serbe për Radoiçiqin: E lanë të lirë terroristin, gjyqtarët dhe prokurorët shkelën ligjin për ta mbrojtur atë

The Geopost November 19, 2026
Partia Popullore Evropiane do të propozojë pezullimin e partisë së Vuçiqit 3 min read
  • Ballkan

Partia Popullore Evropiane do të propozojë pezullimin e partisë së Vuçiqit

The Geopost November 19, 2026
Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, eurodeputeti belg ia kujton Marta Kos-it krimet e Millosheviqit në Kosovë 3 min read
  • Ballkan

Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, eurodeputeti belg ia kujton Marta Kos-it krimet e Millosheviqit në Kosovë

The Geopost November 19, 2026
“Serbia nuk i sanksionon rusët dhe vazhdon linjën nacionaliste ndaj Kosovës”, Martens kërkon distancim nga Beogradi 3 min read
  • Ballkan

“Serbia nuk i sanksionon rusët dhe vazhdon linjën nacionaliste ndaj Kosovës”, Martens kërkon distancim nga Beogradi

The Geopost November 19, 2026
SHBA-ja miraton shitjen e dy sistemeve HIMARS për Shqipërinë 2 min read
  • Ballkan

SHBA-ja miraton shitjen e dy sistemeve HIMARS për Shqipërinë

The Geopost November 18, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.