Në Bruksel po shqyrtohet gjithnjë e më hapur mundësia që Bashkimi Evropian të vendosë masa financiare dhe politike ndaj Serbisë, pas këmbënguljes shumëvjeçare të Beogradit për ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, pavarësisht pritjeve të qarta të politikës së jashtme të BE-së.
Sipas gazetës Politico, në institucionet e Bashkimit Evropian po diskutohet mundësia e pezullimit të një pjese të mbështetjes financiare për Serbinë në vlerë rreth 1.5 miliardë euro.
Bëhet fjalë për fonde të dedikuara për proceset e reformave, forcimin e institucioneve dhe përafrimin me standardet evropiane, të cilat tani mund të vihen në pikëpyetje për shkak të, siç thuhet në Bruksel, mospërshtatjes së mjaftueshme të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Edhe pse Serbia formalisht vazhdon të ketë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi i negociatave që nga viti 2014 përfshin edhe përafrimin gradual me qëndrimet e politikës së jashtme të Unionit. Pikërisht ky segment, sipas vlerësimeve të disa zyrtarëve evropianë, përbën problemin kryesor në marrëdhëniet me Beogradin.
Sipas katër zyrtarëve të përfshirë në proceset e zgjerimit, brenda Komisionit Evropian po shqyrtohet gjithnjë e më seriozisht opsioni i pezullimit ose ngrirjes së mbështetjes financiare, e cila nuk do të shihej më vetëm si instrument teknik ndihme, por si mekanizëm kushtëzimi për përafrim politik.
Në Bruksel theksohen veçanërisht lidhjet e vazhdueshme politike, ekonomike dhe të sigurisë të Serbisë me Rusinë, të cilat vlerësohen si të papajtueshme me drejtimin strategjik të Bashkimit Evropian, veçanërisht në kontekstin e tensioneve aktuale gjeopolitike.
Kritika shtesë lidhen edhe me reformat në sistemin e drejtësisë në Serbi, të cilat një pjesë e institucioneve evropiane i konsideron si të pamjaftueshme për t’u përafruar me standardet e sundimit të ligjit. Për këtë arsye, gjithnjë e më shpesh theksohet se nga vendet kandidate, përfshirë Serbinë, BE-ja pret një orientim të qartë dhe të padiskutueshëm në politikën e jashtme.
Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se nga Serbia pritet përafrim i qëndrueshëm me politikën e përbashkët të jashtme të Unionit, duke theksuar se hapësira për “balancim midis Brukselit dhe partnerëve të tjerë globalë” po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.
/The Geopost/

Çerimagiq: Përmes Vulinit, Serbia promovon mbështetjen ruse për Vuçiqin dhe projektin e “Botës Serbe”
Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Kah cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?
Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën
Nga Banjska deri te “Bota Serbe”, zbulohet plani i Vuçiqit dhe Vulinit për destabilizimin e Ballkanit!
Bosnje dhe Hercegovina pas zgjedhjeve: Mes Rusisë dhe Perëndimit
Ish-ministri gjerman për deklaratën e Daçiç-it: Kjo rrugë çon drejt luftës, jo BE-së