Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Vuçiq nën hijen e fantazmës së rrethimit

The Geopost April 26, 2026 8 min read
Share the news

Bashkëpunimi ushtarak mes shteteve është normë në arkitekturën moderne të sigurisë, por në Ballkan, ai vazhdon të shihet si problem – të paktën nga Serbia kur përfshin Kosovën dhe dy aleatet e NATO-s, Shqipërinë dhe Kroacinë.

Narrativi shkon deri në perceptim të rrezikut, që jo domosdoshmërisht reflekton gjendjen reale të sigurisë në terren.

Pikënisje e gjithë kësaj dinamike ishte një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, e nënshkruar më shumë se një vit më parë.

Nënshkruesit e paraqitën atë si angazhim për forcimin e bashkëpunimit, mbrojtjen e territoreve dhe kontributin në paqe e siguri ndërkombëtare, duke theksuar se nuk është e drejtuar kundër askujt.

Megjithatë, Serbia e interpretoi si provokim të hapur, që rrezikon integritetin e saj territorial dhe sigurinë e qytetarëve – deri në atë pikë sa presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi, muajin e kaluar, se këto vende po përgatiten për sulm.

“Në mes të asgjësë shfaqet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Jo një bashkëpunim ushtarak-teknik, jo një bashkëpunim ushtarak-ekonomik, por një aleancë ushtarake. Dhe, natyrisht, jam i frikësuar për çdo qytetar të këtij vendi”, tha Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Për ta forcuar këtë narrativ, ai paralajmëroi javën e kaluar investime të reja në ushtri dhe rritje të mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar se Serbia duhet të jetë e përgatitur për çdo zhvillim në një “situatë komplekse” sigurie, të shkaktuar nga aktivitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.

“Në ditët në vijim, do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim bërjen e porosive të mëdha për ushtrinë tonë”, shkroi Vuçiq në Facebook.

Në një rajon, ku kujtesa e konflikteve të viteve ’90 ndikon ende mënyrën se si lexohet siguria, edhe zhvillimet që në thelb duken bashkëpunuese, shpesh marrin kuptime politike.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua NATO-s për koment lidhur me deklaratën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë dhe reagimet që ajo nxit në Serbi. Një zyrtar i aleancës tha se bëhet fjalë për një marrëveshje trepalëshe mes këtyre vendeve dhe institucioneve në Kosovë, për të cilën NATO-ja është në dijeni, por nuk është palë.

Sipas tij, anëtarësia në NATO “nuk i pengon” shtetet aleate të zhvillojnë bashkëpunime shtesë në fushën e mbrojtjes.

Serbia e paraqet veten si ushtarakisht neutrale, ka buxhetin më të madh të mbrojtjes në rajon dhe bashkëpunon paralelisht me NATO-n, Rusinë dhe Kinën.

Përse atëherë një marrëveshje mes tri vendeve, që nuk kanë as pretendime territoriale dhe as kërcënime të shpallura ndaj saj, nxit reagime të forta në Beograd? Për ekspertët e çështjeve të sigurisë, përgjigjja qëndron më shumë në interpretim politik sesa në një kërcënim real.

Aleksandar Radiq, analist ushtarak dhe publicist, thotë se një pjesë e shoqërisë në Serbi i sheh zhvillimet rajonale përmes prizmit të kërcënimeve të jashtme – çka e bën më të lehtë për Vuçiqin të krijojë imazhin e një vendi “nën rrethim” dhe të mobilizojë mbështetjen përmes retorikës së sigurisë.

Në kushtet e protestave antiqeveritare që zgjasin prej më shumë se një viti, Radiq vlerëson se pretendimet për rreziqe nga jashtë shërbejnë edhe për të zhvendosur vëmendjen nga krizat e brendshme.

“Kur analizohet mendësia e njerëzve që e mbështesin Vuçiqin, vërehet se ata janë të prirë të besojnë se faktorë të jashtëm ndikojnë negativisht në Serbi. Ata mendojnë se shërbimet e huaja të inteligjencës po e prishin rendin dhe po veprojnë kundër interesave serbe. Në këtë kontekst, marrëveshja mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës i shërben Vuçiqit si një mjet i dobishëm për të forcuar narrativin se ai ‘po e mbron Serbinë’ dhe ‘po e fuqizon ushtrinë’, sepse është e nevojshme”, thotë analisti serb për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në këtë mjegullim të opinionit publik lihet anash fakti se vetë Serbia ka një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Kroacinë. Ajo është nënshkruar në vitin 2010 nga ministrat e atëhershëm të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac dhe Branko Vukelliq, dhe mbetet ende në fuqi.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, foli së voni për të, teksa kritikoi narrativin e Vuçiqit si të ndërtuar, qartazi, për qëllime të brendshme politike.

“Kur shihet nga përmbajtja, marrëveshja që ekziston mes Kroacisë dhe Serbisë është e ngjashme, e madje më e plotë në disa aspekte sesa ajo që Kroacia ka me Kosovën dhe me Shqipërinë”, u tha Pllenkoviq gazetarëve.

Analisti kroat i çështjeve ushtarake, Marinko Ogorec, thotë për Exposenë se është për keqardhje që Vuçiq e interpreton në atë mënyrë një bashkëpunim që synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Sipas tij, një retorikë e tillë rrezikon të nxisë tensione të panevojshme dhe të çojë edhe në garë armatimi.

“Kjo në teorinë politike quhet ‘dilemë e sigurisë’. Nëse shihni se fqinji juaj armatoset shumë, natyrshëm edhe ju filloni të reagoni në të njëjtën mënyrë. Kjo çon në garë armatimi. Ne po e shohim se Serbia, realisht, po armatoset dhe po blen sisteme armësh përtej nevojave të arsyeshme”, thotë Ogorec.

Serbia ka në arsenalin e saj armë si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Rusia dhe Kina. Muajin e kaluar u bë e ditur se nga Kina ka blerë edhe raketa balistike supersonike CM-400, me fuqi të madhe shkatërruese.

Për ekspertin e sigurisë në Shqipëri, Xhavit Shala, kjo nxjerr në pah asimetrinë e armatimit në rajon.

“Serbia, së fundmi, mori raketa kineze hipersonike të prodhimit të fundit. Çfarë mori Kosova? Kosova mori nga SHBA-ja reketa antitank. Ato janë për mbrojtje, kurse raketat hipersonike nuk janë të tilla – ato janë për sulm, për të cenuar të tjerët. Me rreze veprimi që kapin territore të vendeve të tjera – përfshirë edhe anëtarë të NATO-s”, thotë Shala për Exposenë.

Ai vlerëson se retorika e Vuçiqit për kërcënime ndaj Serbisë është shndërruar në një “refren të ditës”, i drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm të polarizuar, por edhe si mesazh politik për Perëndimin.

“Duke e paraqitur këtë si aleancë të rrezikshme për Serbinë, ai përpiqet të justifikojë vazhdimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën, si dhe blerjen e armatimit prej tyre. Pra, gjoja si pasojë e kërcënimit, jemi të detyruar të veprojmë kështu”, thotë Shala.

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Burim Ramadani, pajtohet se argumentet e Vuçiqit për kërcënime nga fqinjët janë të paqëndrueshme, apo, siç i quan ai, kamuflim për qëllime të tjera politike dhe gjeostrategjike.

“Qartazi, propaganda e Serbisë ka një qëllim prapa saj dhe ai ka të bëjë me forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe Kinën, të cilat, po ashtu, kanë interes që Ballkani Perëndimor të jetë i destabiluzuar, shtetet e tij të jenë nën kërcënim dhe nën presion dhe NATO-ja të jetë në situatë më të ndjeshme”, thotë Ramadani për Exposenë.

Serbia, që nga viti 2006, është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe ka planifikuar stërvitje të përbashkëta me Aleancën muajin e ardhshëm.

Një zyrtar i NATO-s konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ata respektojnë neutralitetin ushtarak të Serbisë, duke theksuar nevojën për besim dhe angazhim për stabilitetin rajonal.

“Për të ecur përpara, partneriteti NATO-Serbi duhet të jetë një rrugë me dy kahe, i bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe në një përkushtim të sinqertë për stabilitetin rajonal. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të angazhohet me NATO-n dhe me fqinjët e saj në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive”, tha zyrtari i NATO-s.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, gjatë një vizite në Serbi këtë javë, i bëri thirrje Beogradit që të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në dhe NATO-n në fushën e sigurisë.

Në një shkrim për gazetën serbe Politika, Whitaker tha se “blerja e teknologjisë së mbrojtjes që nuk është në përputhje operacionale me sistemet evropiane ose amerikane, e ndërlikon bashkëpunimin e ardhshëm dhe krijon pengesa të panevojshme”.

Shala, në anën tjetër, vlerëson se vetë propozimi i Shtëpisë së Bardhë për emërimin e një ushtaraku në pozitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri tregon se SHBA-ja e trajton me seriozitet çështjen e sigurisë në Ballkan dhe e sheh rajonin si pjesë të rëndësishme të interesave të saj strategjike.

Për Radiqin, tani është koha që Serbia ta definojë pozicionin e saj – “neutraliteti ushtarak nuk është as i njohur ndërkombëtarisht dhe as funksional”.

“Në Serbi duhet të pozicionohemi ndaj NATO-s në një mënyrë tjetër – ose të bëhemi anëtar me të drejta të plota, ose ta definojmë ndryshe neutralitetin dhe të ecim përpara. Jo të krijohet përshtypja se të gjithë rreth nesh janë armiq. Fatkeqësisht, kjo e çon Serbinë në një situatë të ngjashme me vitin 1999, kur të gjithë ishin kundër saj”.

“Atëkohë, NATO-ja e bombardoi Serbinë, dhe hapësirat ajrore të të gjitha vendeve përreth Serbisë u përdorën për veprimet e forcave të NATO-s. Kjo duhej të ishte një mesazh historik, se një vend nuk duhet të krijojë një mjedis tërërsisht pa aleatë. Fatkeqësisht, historia, në njëfarë mënyre, po përsëritet”, thotë Radiq.

Serbia tashmë duket se ka pak kontroll mbi dinamikat që po formësohen në rajon.

Sipas Ogorecit, Kroacia dhe Shqipëria si anëtare të NATO-s, dhe Kosova si vend që synon anëtarësimin, po i përshtatin kapacitetet e tyre ushtarake me standardet e Aleancës – një proces që ai e përshkruan si të kushtueshëm, por krejtësisht të natyrshëm për shtetet anëtare.

Nëse kjo në Serbi lexohet si garë armatimi apo kërcënim, atëherë bëhet fjalë për mënyrën e perceptimit të realitetit dhe jo për vetë realitetin, përfundon Ogorec.

Tags: Aleksandar Vuçiq Kosovë Kroacia NATO Shqiperi

Continue Reading

Previous: Deklarata nxitëse e Vuçeviqit: Serbia “nuk do të qetësohet” derisa të lirohen serbët e dënuar në Kosovë

Deklarata nxitëse e Vuçeviqit: Serbia “nuk do të qetësohet” derisa të lirohen serbët e dënuar në Kosovë 3 min read
  • Ballkan
  • News

Deklarata nxitëse e Vuçeviqit: Serbia “nuk do të qetësohet” derisa të lirohen serbët e dënuar në Kosovë

The Geopost April 26, 2026
FSK dërgon ekip në Gaza për vlerësim paraprak të misionit paqeruajtës 1 min read
  • Ballkan
  • News

FSK dërgon ekip në Gaza për vlerësim paraprak të misionit paqeruajtës

The Geopost April 26, 2026
Të shtëna në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë: Trump evakuohet, i dyshuari arrestohet 2 min read
  • Botë
  • News

Të shtëna në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë: Trump evakuohet, i dyshuari arrestohet

The Geopost April 26, 2026
Shkatërrues të rinj dronësh në frontin e luftës në Ukrainë 5 min read
  • Botë
  • News

Shkatërrues të rinj dronësh në frontin e luftës në Ukrainë

The Geopost April 26, 2026
Ekspertët në Serbi: Vuçiq e përdor marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci për rikthimin e shërbimit ushtarak 2 min read
  • Ballkan
  • News

Ekspertët në Serbi: Vuçiq e përdor marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci për rikthimin e shërbimit ushtarak

The Geopost April 26, 2026
Von der Leyen propozon një korridor strategjik energjetik për të anashkaluar ngushticën e Hormuzit 2 min read
  • Botë
  • News

Von der Leyen propozon një korridor strategjik energjetik për të anashkaluar ngushticën e Hormuzit

The Geopost April 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.