Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Aleksiq: Me një front kundër regjimit të Vuçiqit

The Geopost February 1, 2026 4 min read
Share the news

Kryetari i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë (NPS), Miroslav Aleksiq, deklaroi se beson se zgjedhjet në Serbi do të mbahen vitin e ardhshëm, duke vlerësuar se vendin e pret një betejë e vështirë politike, në të cilën opozita duhet të hyjë e bashkuar, “me një front”.

“Ka pasur kohë edhe më të këqija dhe asnjë qeveri nuk u rrëzua me pranga, përfshirë edhe këtë. Jam i sigurt se në Serbi ka shumë më tepër njerëz që nuk e mbështesin këtë pushtet dhe pikërisht për këtë arsye duhet të jemi të gjithë së bashku, në një front, sepse askush nuk mund ta luftojë i vetëm regjimin e Vuçiqit, tha Aleksiq gjatë një takimi me qytetarët në Leskovac, në kuadër të fushatës në terren të partisë, njoftoi NPS përmes një deklarate.

Ai theksoi se korrupsioni është shndërruar në “pjesë integrale të jetës sonë” dhe se pushteti aktual e ka “legalizuar” atë. Sipas Aleksiqit, korrupsioni në Serbi i kushton vendit më shumë se katër miliardë euro në vit, përfshirë rreth një miliard euro përmes mosrespektimit të procedurave të prokurimit publik.

“Kjo e lë shtetin pa mjete për arsim, shëndetësi dhe zhvillim. Qeveritë lokale, në vend që t’u shërbejnë qytetarëve, janë shndërruar në instrument të pushtetit për sigurimin e votave të sigurta dhe sistemi në çdo hap tregon shenja shpërbërjeje”, tha Aleksiq, raporton Danas.

Sipas tij, Serbia ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të sistemit. Ai bëri të ditur se NPS po avokon për ndryshime ligjore dhe për themelimin e një Prokurorie të Posaçme Publike për luftimin e korrupsionit, me fokus të veçantë në korrupsionin e zyrtarëve publikë, në mënyrë që të mos ketë persona të mbrojtur dhe që askush të mos jetë mbi ligjin.

“Shteti pushoi së funksionuari ditën kur u shembën objektet në Savamala, sepse atëherë ata e kuptuan se mund të bënin çfarë të donin”, tha Aleksiq.

Kreu i NPS-së theksoi gjithashtu se partia e tij mbështet krijimin e një sistemi zgjedhor proporcional të personalizuar, në të cilin qytetarët do t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre me emër dhe mbiemër, si në nivel republikan ashtu edhe në atë komunal.

“Një sistem i tillë do t’ua heqë pushtetin kryetarëve të partive politike. Më pas do të pasojë decentralizimi, në mënyrë që të ardhurat të mbeten aty ku edhe mblidhen”, shtoi ai.

Aleksiq iu referua edhe gjendjes së bujqësisë në Serbi, duke deklaruar se, ndonëse sot një numër i madh i qytetarëve jetojnë nga bujqësia, kjo degë nuk është në listën e prioriteteve të shtetit.

Ai tha se fermerët përballen me subvencione të vonuara dhe të pamjaftueshme, se nevojat e tyre reale nuk merren parasysh dhe se, për pasojë, fshatrat po zbrazen, ndërsa “disa aventurierë nga bota e bardhë” vijnë për të hapur miniera.

“Bujqësia në Serbi ka qenë në stanjacion për vite me radhë dhe fshatrat po boshatisen. Që kjo degë të mbijetojë dhe të zhvillohet, është e nevojshme të zbatohen masa agresive dhe të ndahen të paktën 10 për qind e buxhetit të shtetit për bujqësinë, e jo pesë apo gjashtë për qind si deri më tani, pasi bujqësia merr pjesë me më shumë se 10 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto”, theksoi Aleksiq, duke shtuar se për krahasim, në Bashkimin Evropian rreth 30 për qind e buxhetit ndahet për këtë sektor.

Sipas tij, ndërrimi i shtatë ministrave të bujqësisë në 14 vitet e fundit, si dhe mungesa e një strategjie mjaftueshëm ambicioze, kanë bërë që në vend të rritjes së planifikuar prej gjashtë deri në nëntë për qind në vit, bujqësia të shënojë rritje kumulative prej vetëm 1.7 për qind në dhjetë vjet.

“Bujqësia ngec nga viti në vit, fshatrat po zbrazen dhe njerëzit po largohen, edhe pse Serbia ka gjithçka – lumenj, tokë pjellore, xehe dhe pasuri minerale. Vendit po i ikën gara me Evropën dhe botën, prandaj ka ardhur koha për masa vendimtare dhe investime strategjike që do ta bëjnë bujqësinë tonë konkurruese dhe fshatrat tona sërish të gjalla”, përfundoi Aleksiq.

The Geo Post

Tags: Aleksandar Vuçiq Miroslav Aleksiq Serbia

Continue Reading

Previous: Janiq: SHBA-të pritet të paraqesin dokument për njohje të ndërsjellë Kosovë–Serbi
Next: Çfarë po ndodh në fabrikën kineze në Serbi – Dëshmi të reja për abuzim të punëtorëve

Kompanitë serbe të sanksionuara nga SHBA vazhdojnë të eksportojnë në Rusi 18 min read
  • Ballkan

Kompanitë serbe të sanksionuara nga SHBA vazhdojnë të eksportojnë në Rusi

The Geopost April 4, 2026
Dy aleatët e ngushtë të Rusisë – Pse Vuçiq ka frikë nga humbja e Orban në zgjedhje 6 min read
  • Ballkan

Dy aleatët e ngushtë të Rusisë – Pse Vuçiq ka frikë nga humbja e Orban në zgjedhje

The Geopost April 4, 2026
Beogradi në sinkron me Moskën, vazhdon narrativën kundër realitetit të Kosovës 2 min read
  • Ballkan
  • News

Beogradi në sinkron me Moskën, vazhdon narrativën kundër realitetit të Kosovës

The Geopost April 3, 2026
Vulin vazhdon narrativën kundër NATO-s dhe Perëndimit, thekson afërsinë me Rusinë 2 min read
  • Ballkan

Vulin vazhdon narrativën kundër NATO-s dhe Perëndimit, thekson afërsinë me Rusinë

The Geopost April 3, 2026
Aleatët përfshirë Kosovën paralajmërojnë sanksione ndaj Iranit në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit 3 min read
  • Ballkan

Aleatët përfshirë Kosovën paralajmërojnë sanksione ndaj Iranit në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit

The Geopost April 3, 2026
Alarmi amerikan për sigurinë nxit masa të reja dhe përplasje politike në Shqipëri 3 min read
  • Ballkan

Alarmi amerikan për sigurinë nxit masa të reja dhe përplasje politike në Shqipëri

The Geopost April 3, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.