Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Rrjeti i Radoiçiqit dhe Veselinoviqit në qendër të borxhit kinez dhe projekteve të dyshimta në Serbi

The Geopost December 8, 2025 5 min read
Share the news

Historia e investimeve kineze në Serbi është zakonisht e shitur si tregim suksesi, por sa më shumë analizohen marrëveshjet e mbyllura pas dyerve, aq më qartë shfaqet një model ku fuqi politike, interesa të ngushta ekonomike dhe rrjete kriminale takohen në të njëjtin vend.

Në këtë rreth vicioz, figura të tjera të errëta si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq luajnë rol kyç në projektet strategjike të qeverisë serbe, duke i kthyer investimet e huaja në platformë për ndikim politik dhe pasurim personal.

Për vite me radhë, Beogradi ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me kompanitë shtetërore kineze. Kjo lidhet me projekte gjigante të infrastrukturës, autostrada, hekurudha dhe marrëveshje energjetike që paraqiten si investime, por praktikisht janë kredi që Serbia duhet t’i shlyejë me interesa të ndjeshme. Shuma totale e borxhit të lidhur me projekte kineze tashmë është në nivele që analistët i konsiderojnë alarmante. Megjithatë, çështja nuk është vetëm borxhi, por mënyra si përzgjidhen projektet, kompanitë dhe ndërmjetësit.

Kjo është pika ku hyn Radoiçiqi, si një ndër figurat më të afërta me presidentin Aleksandar Vuçiq, ai del në skenë sa herë ka projekte të mëdha që prekin zonat strategjike ose rrjedhin nga marrëveshje të drejtpërdrejta mes Beogradit dhe kompanive kineze. Sipas dokumenteve dhe burimeve të cituara shpesh në media serbe, Radoiçiqi është i përfshirë në operacione që lidhin bizneset lokale me kontraktorët kinezë, duke kontrolluar zinxhirin e furnizimit dhe rrjedhën e parave.

Ndërkohë, Zvonko Veselinoviq, partneri i tij i hershëm, shfaqet në prapaskenë si njeriu që menaxhon strukturat komerciale, ndërsa Radoiçiqi ruan ndikimin politik dhe siguron mbrojtjen e marrëdhënieve me qeverinë. Dyshja është përmendur nga SHBA-ja në listën e sanksioneve për korrupsion, kontrabandë dhe përfshirje në rrjete kriminale që operojnë në Serbi dhe Kosovë. Megjithatë, pavarësisht akuzave të rënda, pozitat e tyre në projektet me kompanitë kineze nuk janë dobësuar.

Përkundrazi, shumë procese duket se janë ndërtuar pikërisht për të përfituar rrjeti i tyre. Kontratat me vlerë qindra milionëshe kalojnë pa gara publike, ndërsa kompanitë e lidhura me ta përfitojnë nëntenderime, kontrollin e transportit të materialeve, logjistikës apo punëve ndihmëse. Këto nuk duken si detaje teknike, bëhet fjalë për një mjet për të ricikluar influencën politike në pasuri dhe pastaj pasuria të kthehet në ndikim politik.

Përgjatë kohës, shumë analistë kanë vërejtur se përfshirja e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit nuk është rastësi, por pjesë e një modeli ku pushteti politik në Serbi mbështetet në figura të padukshme, që operojnë në zona gri mes politikës dhe krimit të organizuar. Marrëveshjet me Kinën, të cilat zhvillohen pa transparencë dhe shpesh nën termin “interes shtetëror”, krijojnë terren ideal për këtë lloj operimi.

Pyetja që shtrohet tani është nëse borxhi ndaj Kinës dhe varësia nga kontraktorët e saj janë vetëm një problem ekonomik, apo edhe një mekanizëm që forcon pozitat e grupeve të lidhura me Radoiçiqin dhe Veselinoviqin. Çfarë rezulton qartë është se sa më të mëdha të jenë projektet, aq më shumë zgjerohet hapësira e tyre e ndikimit.

Serbia ka më shumë se 22 miliardë euro projekte të reja në proces, ndërsa 8 miliardë të tjerë janë veçse në funksion. Pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë kontrata me kompani shtetërore kineze, të financuara me kredi nga Exim Bank e Kinës. Struktura është e thjeshtë: Kina jep kredinë, kompania kineze merr projektin, ndërsa Serbia merr borxhin. Por pjesa kritike është kjo: kontratat lidhën si “marrëveshje dypalëshe shtetërore”, që nënkuptojnë zero konkurrencë, zero transparencë dhe një rrugë të hapur për rrjete të fuqishme lokale.

Në shumë raste, edhe pse punimet kryesore i merr kompania kineze, një pjesë e madhe e punëve ndihmëse, transportit, furnizimit me materiale, shpronësimeve dhe logjistikës i delegohet kompanive vendore, të zgjedhura nga qeveria. Në praktikë, shpesh këto kompani lidhen me të njëjtat emra që tashmë janë nën sanksione amerikane, Radoiçiq dhe Veselinoviq.

Rrjeti i tyre siguron tokat, kontrollon lëvizjen e materialeve, përfshihet në nënkontraktime dhe ka qasje direkte tek zyrtarët lokalë dhe qendrorë. Në projektet infrastrukturore, roli i tyre është thuajse i padiskutueshëm. Shpesh, kompanitë e lidhura me ta marrin punë që lidhen me zhvendosje të terrenit, siguri në zonë, shërbime të transportit, apo furnizime që kompanitë kineze nuk i mbulojnë vetë.

Sipas burimeve nga mediet serbe, njerëz të afërt me Veselinoviqin kanë marrë pjesë në negociata lokale për sigurimin e tokave ose zgjidhjen e rezistencës së komuniteteve për projektet e mëdha kineze. Ndërkohë, reputacioni i Radoiçiqit si figurë e “paprekur” e ka bërë atë pikë lidhëse për çdo kompani që kërkon të operojë në zona të tensionuara, sidomos kur projekti është i ndjeshëm për qeverinë serbe.

Nëse qeveria ndryshon, borxhi mbetet dhe nëse ndryshojnë kompanitë kineze, projektet bllokohen, por rrjeti i Radoiçiqit dhe Veselinoviqit mbetet në terren. Pikërisht kjo i bën këta kaq të rëndësishëm për të kuptuar prapaskenën e investimeve. Ata janë nyja e interesave të tre akterëve: qeverisë serbe që kërkon projekte të shpejta, kompanive kineze që duan qasje të pakushtëzuar dhe strukturave lokale që kërkojnë fitime të menjëhershme.

Në fund, tregimi i investimeve kineze në Serbi nuk mund të ndahet më nga emrat e tyre. Historia nuk ka të bëjë vetëm me autostrada dhe hekurudha, por me mënyrën se si një rrjet i fuqishëm personash jashtë kontrollit institucional ka kapur pjesë të tëra të ekonomisë. Dhe kjo po ndodh ndërkohë që borxhi rritet, transparenca bie dhe ndikimi i tyre mbetet i paprekur./TheGeopost.

Tags: Kina Milan Radoiçiq Serbia Zvonko Veselinoviq

Continue Reading

Previous: Ukraina po fut robotët tokësorë në luftë: UGV-të po zëvendësojnë ushtarët në vijën e frontit
Next: “Kujdes nga lajmet e rreme!”: Ambasada zvicerane reagon ndaj lajmit se “Zvicra ‘hap dyert’ për 85 mijë vende pune për të huajt”

Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve” 2 min read
  • Analiza
  • Fact Checking

Portal Novosti shpërndan propagandë: Marrëveshja mediatike shpallet “pakt kundër serbëve”

The Geopost April 2, 2026
Zgjedhjet lokale në Serbi: Vuçiq i dobësuar, alternativa ende nuk ekziston 4 min read
  • Analiza
  • News

Zgjedhjet lokale në Serbi: Vuçiq i dobësuar, alternativa ende nuk ekziston

The Geopost April 2, 2026
Analizë: Beteja për Hormuzin dhe “Prosperity Guardian” 6 min read
  • Analiza

Analizë: Beteja për Hormuzin dhe “Prosperity Guardian”

The Geopost March 30, 2026
Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë 2 min read
  • Analiza
  • Fact Checking

Mediumi serb manipulon për ushtarët amerikanë të KFOR-it: Nga interesi për ortodoksinë në pranim të fesë

The Geopost March 28, 2026
Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë 11 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse, strehohet në Moskë

The Geopost March 27, 2026
Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit 3 min read
  • Lajme

Kosova bashkë me vendet e tjera dënon sulmet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

The Geopost March 26, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.