Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza

Dosjet e Epstein përfshijnë ish-sekretarin e KiE-së dhe ish-emisarin e BE-së për Kosovën

The Geopost February 2, 2026 4 min read
Share the news

Emri i ish-sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra dhe shpesh akuzuese ndaj Kosovës, është përfshirë në dokumentet e deklasifikuara që lidhen me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale ndaj të miturve.

Jagland, gjatë mandatit të tij, kishte bërë deklarata të forta për Kosovën. Në vitin 2004, ai kishte pohuar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të qeverisjes së vendit, duke deklaruar se Kosova prodhonte pak gjëra të tjera përveç krimit. Ai kishte shtuar se një pjesë e madhe e opiumit botëror kalonte përmes Kosovës, duke kërkuar alarm ndërkombëtar.

Më vonë, në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar hetime të thelluara ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke u mbështetur në raportin e Dick Marty-t për akuza të rënda, përfshirë trafikimin e organeve njerëzore. Ai kishte deklaruar se këto akuza nuk mund të mbeteshin pa përgjigje dhe kishte shprehur frikë për pasojat e tyre.

Ndërkohë, dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se Jagland dhe familja e tij kishin planifikuar një udhëtim në ishullin privat të Jeffrey Epsteinit në Karaibe, gjashtë vjet pasi Epstein ishte dënuar për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur. E-mailet e publikuara zbulojnë detaje për organizimin e udhëtimit, përfshirë transportin dhe pritjen në ishull, ku më vonë u raportua se kishin ndodhur abuzime seksuale.

Udhëtimi, sipas dokumenteve, ishte anuluar. Në një email të datës 11 prill, Jagland kishte shkruar se nuk mund të udhëtonte për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, ka raportuar media norvegjeze Dagbladet.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se komunikimi i Jaglandit me Epsteinin ishte i vazhdueshëm. Në një email të datës 25 maj 2012, pas një vizite zyrtare në Shqipëri, Jagland i kishte shkruar Epsteinit se kishte qenë në Tiranë, duke përmendur “vajza të mrekullueshme”.

Përfshirja e Jaglandit në këto dokumente ka rikthyer vëmendjen mbi figurat ndërkombëtare që kanë pasur rol kyç në raport me Kosovën, por pa u vënë kurrë nën një proces të thellë verifikimi publik.

Në të njëjtën kohë, edhe emri i ish-emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, është përfshirë në dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein. Pas publikimit të këtyre dokumenteve, Lajçak dha dorëheqje nga posti i këshilltarit për siguri të kryeministrit sllovak Robert Fico.

Dokumentet e deklasifikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe të raportuara nga media ndërkombëtare përfshijnë emrin e Lajçak në korrespondencë dhe kontakte që datojnë vite më parë. Edhe pse Lajçak ka mohuar çdo akuzë penale ndaj tij, dorëheqja e menjëhershme e tij tregon për peshën e rëndë politike të ekspozimit publik.

Rasti Lajçak ka ngritur pikëpyetje serioze për Bashkimin Evropian dhe mënyrën se si është menaxhuar dialogu Kosovë–Serbi. Gjatë mandatit të tij si ndërmjetës, Serbia, pavarësisht refuzimit për t’u përafruar me politikën e jashtme të BE-së dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë, arriti të shmangë pasoja serioze politike edhe pas episodeve të rënda destabilizuese në Kosovë, përfshirë krizën në veri dhe sulme të armatosura të lidhura me struktura nga Beogradi.

Në të kundërt, Kosova u përball vazhdimisht me presion diplomatik për lëshime politike, shpesh pa reciprocitet të qartë. Kjo qasje u perceptua gjerësisht në Prishtinë si tolerancë ndaj Serbisë, e cila mbetet aleati më i afërt i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Marrëdhëniet e Lajçak me Moskën janë të dokumentuara që nga koha e tij si ministër i Jashtëm i Sllovakisë, përfshirë kontakte të shpeshta me ministrin rus të Jashtëm, Sergey Lavrov. Kjo u bë veçanërisht problematike pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, kur ndikimi rus në Ballkan u intensifikua përmes Serbisë, dezinformimit dhe presionit politik.

Në këtë kontekst, përfshirja e dy figurave të rëndësishme evropiane në dosje që lidhen me Jeffrey Epstein ka hapur debate më të gjera mbi transparencën, integritetin dhe procesin e përzgjedhjes së ndërmjetësve ndërkombëtarë në çështje të ndjeshme gjeopolitike.

Çështja nuk qëndron vetëm në përgjegjësinë ligjore individuale, por në faktin nëse profile të tilla diplomatike dhe rrjete kontakti kanë qenë të përshtatshme për procese ku Kosova dhe rajoni janë ndikuar drejtpërdrejt nga rivalitetet globale.

Për Kosovën, ky zhvillim shërben si një kujtesë se dialogu me Serbinë nuk ka qenë kurrë i izoluar nga interesat më të gjera gjeopolitike dhe se roli i aktorëve ndërkombëtarë duhet të vlerësohet me po aq kritikë sa edhe veprimet e vetë palëve në konflikt.

The Geo Post

Tags: Kosova Miroslav Lajçak Rusia Serbia

Continue Reading

Previous: Çfarë mësoi Kremlini nga protestat në Iran: Inflacioni, shtypja dhe frika nga sanksionet
Next: A është lista studentore një alternativë apo thjesht një zëvendësim për Vuçiqin?

“Shteti mafioz”: Pse Serbia e sotme ngjan me Palermon e viteve ’70 9 min read
  • Analiza
  • News

“Shteti mafioz”: Pse Serbia e sotme ngjan me Palermon e viteve ’70

The Geopost June 23, 2026
Studentët serbë pas vizitës në Kosovë rrëzojnë propagandën e Beogradit: Na kanë gënjyer, serbët nuk janë të shtypur 3 min read
  • Analiza

Studentët serbë pas vizitës në Kosovë rrëzojnë propagandën e Beogradit: Na kanë gënjyer, serbët nuk janë të shtypur

The Geopost June 21, 2026
Katër kryeqytete, një problem: Shembja e kullës prej letrash të Vuçiqit! 7 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Katër kryeqytete, një problem: Shembja e kullës prej letrash të Vuçiqit!

The Geopost June 17, 2026
Njëzet e shtatë vjet nga Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i spastrimit etnik të Millosheviqit kundër shqiptarëve 3 min read
  • Analiza

Njëzet e shtatë vjet nga Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i spastrimit etnik të Millosheviqit kundër shqiptarëve

The Geopost June 12, 2026
MPJ ruse dezinformon se Britania po e shtyn Evropën në luftë me Rusinë 3 min read
  • Analiza
  • Fact Checking

MPJ ruse dezinformon se Britania po e shtyn Evropën në luftë me Rusinë

The Geopost June 3, 2026
Nga kritikat ndaj SHBA-së te elozhet për Trumpin: Transformimi i Vuçiqit në një servil të rafinuar 5 min read
  • Analiza

Nga kritikat ndaj SHBA-së te elozhet për Trumpin: Transformimi i Vuçiqit në një servil të rafinuar

The Geopost June 2, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.