Sipas një hulumtimi të publikuar nga mediumi serb Radar, Goran Kovaçeviq, i dënuar më parë për organizim të një grupi kriminal të përfshirë në kultivimin dhe shitjen e marihuanës, kishte luajtur rol në mobilizimin e votuesve për SNS-në në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale të mbajtura më 21 qershor 2020.
Publikimi i këtij hulumtimi vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një paraqitjeje në Parlamentin serb, e përmendi Kovačevićin duke pretenduar se ai kishte kontakte me Listën e Studentëve. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Radar paraqesin një tablo tjetër, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me strukturat e SNS-së dhe zyrtarë të kësaj partie.
Sipas raportit konfidencial të Departamentit të Policisë Kriminale të Novi Sadit, të datës 23 shtator 2020, Kovaçeviq, së bashku me persona të tjerë, përfshirë Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin, ishte angazhuar në organizimin e aktiviteteve zgjedhore në favor të progresistëve.
Dokumenti, i cili mbulon periudhën nga 26 dhjetori 2019 deri më 23 shtator 2020, përshkruan organizimin e shtabeve zgjedhore, mbledhjen e votave dhe mobilizimin e votuesve në disa zona të Serbisë.
Në veçanti, raporti përmend aktivitetet e Kovaçeviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë muajve maj dhe qershor 2020. Sipas dokumentit, ata kishin organizuar shtabe zgjedhore në disa lokacione në Novi Sad dhe kishin siguruar rreth 40 automjete për transportimin e votuesve.
Në një prej takimeve të dokumentuara, më 18 qershor 2020, Kovačević ishte takuar me persona të tjerë, përfshirë Veselinovićin dhe Radoiçiqin, për të diskutuar organizimin e shtabeve zgjedhore në zonën e Novi Sadit.
Raporti përmend gjithashtu se Kovačević kishte komunikuar drejtpërdrejt me Millosh Vuçeviqin, kryetarin e atëhershëm të Novi Sadit dhe presidentin aktual të SNS-së, për çështje që lidheshin me zgjedhjet.
Komunikimet zbulojnë organizimin e votuesve
Një pjesë tjetër e hulumtimit mbështetet në komunikimet e zhvilluara përmes aplikacionit të koduar Sky, të cilat, sipas Radarit, i ishin dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Në këto komunikime, Kovačević dhe djali i tij diskutojnë për listat e votuesve, dokumentet e identifikimit dhe organizimin e aktiviteteve zgjedhore.
Një ditë para zgjedhjeve të 21 qershorit 2020, djali i tij i kishte dërguar fotografi dhe informacione lidhur me kartat e identitetit dhe numrin e personave të përfshirë në lista.
Në një prej mesazheve përmenden rreth 2.000 karta identiteti, ndërsa më pas diskutohet për sigurimin e fotografive të rreth 11 mijë personave të tjerë.
Dokumentet e publikuara përmbajnë gjithashtu komunikime që lidhen me organizimin e votave dhe bashkëpunimin me përfaqësues të SNS-së gjatë procesit zgjedhor.
Afërsia mes Kovaçeviqit dhe Vuçeviqit dëshmohet edhe nga një komunikim i publikuar, në të cilin ky i fundit e falënderon për mbështetjen dhe angazhimin në fushatë.
Një ditë pas zgjedhjeve, më 22 qershor 2020, Kovaçeviq i kishte shkruar një bashkëpunëtori se po e kontaktonin për ta falënderuar për angazhimin në SNS, duke përmendur kryetarin e atëhershëm të Novi Sadit dhe Andrej Vuçiqin, vëllain e presidentit serb.
Lidhjet me tenderët dhe projektet shtetërore
Hulumtimi i Radarit nuk ndalet vetëm te aktivitetet zgjedhore, por përshkruan edhe lidhjet e Kovaçeviqit me projekte dhe tenderë të financuar nga shteti serb.
Sipas raportit policor, ai kishte kontakte të vazhdueshme me Zvonko Veselinoviqin lidhur me sigurimin e punëve në tenderë publikë. Dokumenti përmend edhe përfshirjen e tyre në projektin e ndërtimit të Bllokut 12 në Beogradin e Ri, me vlerë rreth 50 milionë euro.
Po ashtu, raporti përmend kontakte dhe marrëveshje të mundshme që lidhen me ndërtimin e spitaleve për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Batajnicë dhe Krushevc, si dhe projekte të tjera infrastrukturore.
Në komunikimet e Sky-t, Kovaçeviq diskuton për punët që lidhen me ndërtimin e spitaleve dhe pagesat që, sipas tij, shteti nuk i kishte kryer në kohën e duhur.
Në një mesazh të nëntorit 2020, ai pretendonte se kishte paguar punëtorët dhe se rreth tre milionë euro i kishin mbetur pa u paguar nga shteti.
Raporti përmend gjithashtu kontakte të Kovačevićit me persona të tjerë nga biznesi dhe politika serbe, si dhe me individë të lidhur me botën kriminale.
I dënuar me shtatë vjet e gjysmë burgim
Sipas hulumtimit, Kovaçeviq ishte arrestuar në vitin 2010 dhe më pas ishte dënuar me shtatë vjet e gjysmë burgim për organizimin e një grupi kriminal me nëntë persona të tjerë, i cili kishte drejtuar disa laboratorë për kultivimin e marihuanës së modifikuar.
Ai ishte liruar para kohe nga burgu në Sremska Mitrovicë më 24 dhjetor 2015.
Radar thekson se raporti policor dhe komunikimet e Sky-t dokumentojnë marrëdhëniet e tij me strukturat e SNS-së, përfshirë organizimin e aktiviteteve zgjedhore dhe kontaktet me zyrtarë të lartë të partisë.
Hulumtimi ngre pikëpyetje për pretendimet e fundit të Vuçiqit lidhur me raportet e Kovačevićit me Listën e Studentëve, duke sjellë në vëmendje dokumente që e lidhin atë me bashkëpunimin e mëhershëm me partinë në pushtet.
The GeoPost

Komisioni Evropian propozon sanksione ndaj një banke dhe tri kompanive nga Serbia
Cvetkoviq: Serbia duhet ta pranojë realitetin, Kosova nuk mund të mbetet peng i pretendimeve të Beogradit
Eksperti gjerman: BE-ja i injoroi paralajmërimet për Vuçiqin, ushtria serbe u ndal vetëm nga SHBA-ja
BIA nën hijen e Vuçiqit: Paralajmërohet për rrezikun e rikthimit të autokracisë në Serbi
Eurodeputetët kroatë i bëjnë thirrje Serbisë të hapë arkivat e luftës
Rrjetet brenda BIA-s dhe MUP-it po zhvillojnë fushatë kundër ish-inspektorit të “Jovanjicës”