Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

BIA nën hijen e Vuçiqit: Paralajmërohet për rrezikun e rikthimit të autokracisë në Serbi

The Geopost November 24, 2026 4 min read
Share the news

Reformimi i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA) në Serbi nuk duhet të kufizohet vetëm në largimin e zyrtarëve të përfshirë në abuzime gjatë pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, por duhet të shoqërohet me ndryshime të thella institucionale dhe politike. Kështu vlerëson analisti serb, i cili propozon që BIA të ndahet në tri shërbime të veçanta: inteligjencë, kundërzbulim dhe shërbim teknik.

Në një analizë për sistemin e sigurisë në Serbi, analisti Mladen Mrdalj argumenton se shpërbërja e BIA-s dhe krijimi i një shërbimi të ri nuk do ta zgjidhnin domosdoshmërisht problemin, nëse nuk ndryshon mënyra se si funksionojnë institucionet dhe kontrollohen shërbimet e sigurisë.

Duke iu referuar debatit të zhvilluar në Serbi për të ardhmen e BIA-s, ai përmend dy qasje kryesore: shpërbërjen e plotë të institucionit dhe krijimin e një shërbimi të ri, ose pastrimin e strukturave ekzistuese nga zyrtarët e përfshirë në abuzime.

Sipas tij, qasja e dytë është më e përshtatshme, por vetëm si hap drejt një reforme më të gjerë, e cila do të ndryshonte strukturën e shërbimeve dhe do të krijonte mekanizma më të fortë të kontrollit demokratik.

Mrdalj vë në pikëpyetje edhe arsyen pse përgjegjësia për keqpërdorimin e institucioneve duhet të përqendrohet vetëm te BIA, kur gjatë pushtetit të Vuçiqit, sipas tij, janë keqpërdorur edhe Xhandarmëria, njësitë policore e ushtarake, Gjykata Kushtetuese, prokuroria dhe transmetuesi publik RTS.

Në analizë përmendet edhe rasti “Jovanjica”, në të cilin inspektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Slobodan Milenkoviq, zbuloi përfshirjen e pjesëtarëve të BIA-s dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, pas arrestimit të Predrag Koluvijas.

Sipas analistit, ky rast dëshmon se konkurrenca ndërmjet institucioneve dhe strukturave të ndryshme mund të ndihmojë në zbulimin e keqpërdorimeve. Megjithatë, ai thekson se dështimi kryesor ndodhi në sistemin politik dhe gjyqësor, të cilat nuk arritën të siguronin përgjegjësi institucionale.

Një nga problemet kryesore, sipas tij, është mungesa e mekanizmave që do t’u mundësonin punonjësve të institucioneve të sigurisë të kundërshtonin urdhrat e paligjshëm të eprorëve pa rrezikuar karrierën dhe sigurinë e tyre.

Në këtë kontekst, ai përmend rastet e informatorëve dhe zyrtarëve Aleksandar Obradoviq, Tomislav Veljkoviq, policëve Dumanoviq dhe Trboviq, si dhe koleges së tyre Katarina Petroviq, duke argumentuar se pasojat politike dhe gjyqësore të veprimeve të tyre nuk e dëmtuan sistemin e ndërtuar gjatë qeverisjes së Vuçiqit.

Mrdalj vlerëson se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm përmes ligjeve të reja apo largimit të disa individëve, pasi sistemi politik, shumica parlamentare, qeveria, gjykatat dhe mediat ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë institucionet e sigurisë.

Ai paralajmëron se përqendrimi i pushtetit në duart e një partie, kontrolli mbi shumicën parlamentare dhe dominimi i hapësirës mediatike krijojnë kushte që institucionet e sigurisë të mos kenë mundësi reale për të kundërshtuar veprimet e paligjshme të autoriteteve.

Si shembull të këtij problemi, ai përmend edhe rolin e transmetuesit publik RTS, të cilin e konsideron pjesë të sistemit mediatik që ka ndihmuar në konsolidimin e dominimit të pushtetit.

Në mesin e propozimeve konkrete për reformë, analisti kërkon që shumica parlamentare të mos jetë plotësisht e varur nga qeveria, në mënyrë që deputetët të kenë mundësi të kundërshtojnë vendimet e saj, veçanërisht kur dalin informacione për afera dhe keqpërdorime.

Tutje kërkon gjithashtu reformimin e sistemit mediatik, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në kritikat e opozitës dhe në raportimet investigative, si dhe ndryshime në strukturën e shërbimeve të sigurisë.

Propozimi kryesor është ndarja e BIA-s në tri struktura të veçanta: shërbimin e inteligjencës, atë të kundërzbulimit dhe shërbimin teknik. Gjithashtu, ai kërkon që shërbimet e sigurisë të mos kenë mundësi të dinë identitetin e gjyqtarëve që vendosin për kërkesat për përgjime dhe që të reformohet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Në fund, ai propozon krijimin nga Kuvendi të një komisioni të posaçëm për reformimin e sistemit të sigurisë, i cili do të dëgjonte pjesëtarët e institucioneve për problemet e brendshme, mangësitë organizative dhe ndryshimet e nevojshme.

Sipas Mrdalj, qëllimi i reformës nuk duhet të jetë vetëm çmontimi i strukturave të keqpërdorura gjatë qeverisjes së Vuçiqit, por krijimi i një sistemi që mund të parandalojë përqendrimin e pushtetit dhe rikthimin e një autokracie të re në Serbi.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq BIA Serbia

Continue Reading

Previous: Eurodeputetët kroatë i bëjnë thirrje Serbisë të hapë arkivat e luftës

Eurodeputetët kroatë i bëjnë thirrje Serbisë të hapë arkivat e luftës 5 min read
  • Ballkan

Eurodeputetët kroatë i bëjnë thirrje Serbisë të hapë arkivat e luftës

The Geopost November 24, 2026
Rrjetet brenda BIA-s dhe MUP-it po zhvillojnë fushatë kundër ish-inspektorit të “Jovanjicës” 5 min read
  • Ballkan

Rrjetet brenda BIA-s dhe MUP-it po zhvillojnë fushatë kundër ish-inspektorit të “Jovanjicës”

The Geopost November 24, 2026
Dodikët i kthejnë shpinën Vuçiqit pas humbjes së zgjedhjeve, tani i vardisen Listës Studentore në Serbi 5 min read
  • Ballkan

Dodikët i kthejnë shpinën Vuçiqit pas humbjes së zgjedhjeve, tani i vardisen Listës Studentore në Serbi

The Geopost November 23, 2026
Bakiqi në Kuvendin e Serbisë akuzon ish-pushtetin për lidhje me krimin e organizuar, përmend Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Belivukun 5 min read
  • Ballkan
  • News

Bakiqi në Kuvendin e Serbisë akuzon ish-pushtetin për lidhje me krimin e organizuar, përmend Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe Belivukun

The Geopost November 22, 2026
Lista e Studentëve vazhdon narrativën e Vuçiqit për Kosovën, kundërshton projektligjin për trashëgiminë kulturore 3 min read
  • Ballkan
  • News

Lista e Studentëve vazhdon narrativën e Vuçiqit për Kosovën, kundërshton projektligjin për trashëgiminë kulturore

The Geopost November 22, 2026
Shqipëria rikthen rezervistët 2 min read
  • Ballkan
  • News

Shqipëria rikthen rezervistët

The Geopost November 22, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.