Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Analiza
  • Lajme

Bosnja dhe Hercegovina i ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit: Shpallet kërcënim për sigurinë kombëtare për shkak të sulmit terrorist në Banjskë

The Geopost November 19, 2026 4 min read
Share the news

Milan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës, i është ndaluar hyrja në Bosnjë dhe Hercegovinë, pasi është shpallur kërcënim për sigurinë kombëtare. Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga burime të sigurisë.

Sipas të njëjtave burime, vendimi për ndalimin e hyrjes në Bosnjë dhe Hercegovinë është marrë më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të merrte vendimin për caktimin e paraburgimit dhe shpalljen e fletarrestimit për Radoiçiqin, pasi ai nuk ishte paraqitur në polici më 15 nëntor.

Paraqitja e detyrueshme në polici ishte një nga masat e mbikëqyrjes të shqiptuara në procedurën që po zhvillohet ndaj tij lidhur me rastin e Banjskës.

Institucionet përgjegjëse të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk kanë publikuar detaje të vendimit dhe as arsyetimin se përse Radoiçiqi është cilësuar si kërcënim për sigurinë. Ndalimi nënkupton se, nëse ai tenton të hyjë në BiH, do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në pikën kufitare apo në një pikë tjetër hyrëse në vend.

Ky vendim vjen në një kohë kur ende nuk dihet se ku ndodhet Radoiçiqi, i cili ditët e fundit është i paarritshëm për organet e drejtësisë në Serbi.

Radoiçiqit më herët i ishte konfiskuar pasaporta, ndërsa ndaj tij ishin shqiptuar edhe masa që e ndalonin largimin nga vendbanimi pa miratimin e autoriteteve përkatëse, si dhe udhëtimin drejt Kosovës.

Zhdukja e tij ndodhi pas humbjes së Partisë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet në Serbi, në fund të tetorit. Disa ditë para shpalljes së fletarrestimit, u shfaqën informacione të pakonfirmuara se ai ishte larguar nga Serbia dhe kishte shkuar në Rusi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë (BIA) dhe ambasada ruse në Beograd deri më tani nuk i kanë konfirmuar këto pretendime.

MPB-ja e RS-së: Nuk kemi informacione se Radoiçiqi ka qëndruar në Republikën Sërpska

Lidhur me pretendimet e disa mediave se Milan Radoiçiqi ndodhet në Republikën Sërpska dhe se gëzon mbrojtjen e strukturave të caktuara të pushtetit, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska kanë deklaruar se nuk kanë informacione se ai ka qëndruar apo qëndron në territorin e këtij entiteti.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska nuk ka informacione se personi në fjalë ka qëndruar apo qëndron në territorin e Republikës, ndërsa në veçanti i hedhim poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe pretendimet se ai mbrohet nga pjesëtarët e MPB-së së Republikës Sërpska”, thuhet në përgjigjen e MPB-së së RS-së.

Ata shtuan se për kontrollin e kalimit të kufirit shtetëror është përgjegjëse Policia Kufitare e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila disponon të dhënat për hyrjet dhe daljet nga vendi.

Nga MPB-ja e RS-së theksuan gjithashtu se veprojnë në bazë të të gjitha fletarrestimeve ndërkombëtare dhe se kanë bashkëpunim të mirë dhe profesional me shërbimet policore në rajon dhe më gjerë.

Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që më 24 shtator 2023 kreu sulmin terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës. Gjatë përleshjes u vra një polic i Kosovës, ndërsa humbën jetën edhe tre sulmues.

Megjithëse në Serbi ndaj tij është nisur hetim për disa vepra penale që lidhen me furnizimin me armë dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, aktakuzë nuk është ngritur as pas tre vjetësh.

Autoritetet e Kosovës, të cilat për sulmin ngarkojnë gjithsej 45 persona, kanë lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për Radoiçiqin përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Ai është gjithashtu në mesin e të akuzuarve ndaj të cilëve në Kosovë po zhvillohet gjykimi në mungesë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar më herët kanë vendosur sanksione ndaj Radoiçiqit për shkak të përfshirjes së dyshuar në krimin e organizuar dhe korrupsion.

Vendimi i Bosnjë dhe Hercegovinës për ndalimin e hyrjes së Radoiçiqit u mor vetëm pak ditë pasi këtë vend e kishte larguar edhe partneri i tij i kahershëm i biznesit, Zvonko Veselinoviq.

Burime të sigurisë në BiH më herët i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se Veselinoviqi më 11 nëntor kishte udhëtuar drejt Turqisë përmes Sarajevës, duke përdorur pasaportën e Serbisë.

Continue Reading

Previous: Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin

Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin 5 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Gjykata në Beograd lëshon fletarrestim për Milan Radoiçiqin

The Geopost November 17, 2026
Selimi: Ndikimi i mediave ruse në Ballkan, më i madh se kurrë 1 min read
  • Intervista
  • Lajme

Selimi: Ndikimi i mediave ruse në Ballkan, më i madh se kurrë

The Geopost November 17, 2026
Lista Studentore, e re në emër por me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës 8 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Lista Studentore, e re në emër por me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

The Geopost November 17, 2026
Melodia nacionaliste serbe në Bruksel kundër Kosovës, Marta Kos dhe hija e UDB-së 6 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Melodia nacionaliste serbe në Bruksel kundër Kosovës, Marta Kos dhe hija e UDB-së

The Geopost November 17, 2026
Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit 3 min read
  • Analiza
  • Ballkan

Fetoshi: Dëshpërimi ‘paralajmërues’ i Vuçiqit

The Geopost November 17, 2026
Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik 1 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Ministri serb në Moskë: Nuk heqim dorë nga Kosova, partneriteti me Rusinë dhe Kinën mbetet strategjik

The Geopost November 17, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.