Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili është nën sanksione amerikane për shkak të akuzave për krim të organizuar, ka udhëtuar drejt Turqisë përmes Bosnje e Hercegovinës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë në Bosnje.
Sipas burimeve të REL-it, ai u largua nga Bosnje e Hercegovina në orët e hershme të mëngjesit të 11 nëntorit, duke përdorur pasaportë serbe.
Ai fluturoi nga Sarajeva drejt Stambollit.
Arsyet e largimit të tij nga Serbia dhe udhëtimit drejt Turqisë nuk dihen.
Me aq sa dihet, aktualisht ndaj tij nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale në Serbi.
Largimi i Vesellinoviqit vjen rreth dy javë pas ndryshimit të pushtetit në Serbi, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Megjithëse qeveria e re ende nuk është formuar, policia dhe prokuroria kanë nisur një valë arrestimesh për vepra të ndryshme penale.
Kush është Zvonko Vesellinoviq?
Zvonko Vesellinoviq njihet si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner afarist i Millan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Të dy janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara prej gati pesë vjetësh, për shkak të dyshimeve për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.
Megjithatë, autoritetet e deritanishme në Serbi nuk i kanë marrë parasysh sanksionet amerikane dhe kanë vazhduar t’u japin kontrata fitimprurëse kompanive të Vesellinoviqit, të cilat po ashtu janë nën sanksione. Këto kontrata përfshijnë edhe pjesëmarrjen në ndërtimin e rrugëve.
Për çfarë akuzohet Zvonko Vesellinoviq?
Në dokumentin e vitit 2021, me të cilin Shtetet e Bashkuara arsyetuan vendosjen e sanksioneve, Vesellinoviq përshkruhet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Millan Radoiçiq si zëvendës i tij.
Sipas autoriteteve amerikane, ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë ryshfeti.
Në dokument thuhet se grupi kriminal është i përfshirë në kontrabandën e drogës, armëve dhe mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në skemën e korrupsionit përmenden edhe politikanë, të cilët, sipas autoriteteve amerikane, Vesellinoviq i ndihmonte gjatë fushatave zgjedhore. Në këmbim, ata e shpërblenin me kontratat më të mira për projekte infrastrukturore.
Nuk është specifikuar se për cilët politikanë bëhet fjalë.
Përveç Shteteve të Bashkuara, Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2022, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Ndërsa në Serbi këto sanksione nuk kanë sjellë pasoja të dukshme, ato janë ligjërisht të detyrueshme për qytetarët dhe kompanitë amerikane dhe britanike, të cilëve u ndalohet të bëjnë biznes me personat e sanksionuar.
Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, i kanë lidhur Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Autoritetet në Prishtinë e kanë lidhur Vesellinoviqin edhe me organizimin e barrikadave dhe trazirave në veri të Kosovës, si dhe me kontrabandën e naftës, drogës dhe armëve. Megjithatë, autoritetet në Beograd nuk i kanë hetuar këto akuza.
Në Serbi, Vesellinoviqi është gjykuar dy herë për keqpërdorime financiare dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, por në të dyja rastet është shpallur i pafajshëm.

Çanak: Vuçiqi do të vazhdojë të ketë ndikim në Serbi edhe pas largimit nga pushteti
Aksion i madh policor në aeroportin e Beogradit, arrestohet ish-ministri i Vuçiqit
Mikhail Bogachek propozohet për ambasador të ri amerikan në Kosovë
Kompania serbe furnizoi industrinë ushtarake ruse me makineri prej 27.5 milionë eurosh, përmes ndërmjetësve të sanksionuar
Serbia nis hetimet ndaj zyrtarëve të ish-pushtetit, por a do të hapen edhe dosjet e Banjskës dhe të Radoiçiqit?
Serbia hap sirtarët e drejtësisë pas humbjes së Vuçiqit