Publicisti dhe politikani serb Nenad Çanak ka vlerësuar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të vazhdojë të ketë ndikim të madh në zhvillimet politike të vendit, edhe pas formimit të qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e fituara nga Lista Studentore.
Në një deklaratë për agjencinë boshnjake Fena, gjatë qëndrimit në Sarajevë për promovimin e librit të tij të ri, Çanak foli edhe për mundësinë e ndryshimit të politikës së jashtme dhe rajonale të Serbisë, veçanërisht në raport me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ai tha se deklaratat e para të përfaqësuesve të Listës Studentore nuk japin ende bazë të mjaftueshme për të vlerësuar nëse qeveria e re do të sjellë ndryshim në marrëdhëniet me vendet fqinje.
Sipas tij, duhet të pritet të paktën njëqind ditë nga formimi i qeverisë së re për të kuptuar drejtimin që do të marrë politika e saj.
“Do të jemi në gjendje të nxjerrim shumë përfundime bazuar në atë se kush do të jetë në qeverinë e re dhe si do të shpërndahen portofolet. Për momentin, në Serbi ka ortekë dorëheqjesh dhe ndryshimesh të ndryshme, por e gjithë kjo turbulencë ka ardhur si pasojë e faktit se njerëzit në strukturat shtetërore po përpiqen t’u dëshmojnë veten autoriteteve të reja dhe të qëndrojnë, nëse munden, në pozicionet e tyre aktuale, dhe nëse jo, të paktën t’u ulet dënimi”, deklaroi Çanak.
Ai tërhoqi vëmendjen edhe te ndikimi që, sipas tij, Vuçiqi vazhdon të ketë në nivelin lokal, përkatësisht në komunat dhe qytetet e Serbisë, pavarësisht ndryshimeve në nivelin qendror të pushtetit.
Çanak shprehu gjithashtu bindjen se grupi parlamentar i Listës Studentore do të ndahet në disa fraksione politike pas formimit të qeverisë së re.
Sipas tij, përbërja e re parlamentare mund të sjellë një rishpërndarje të forcave ideologjike dhe politike, duke krijuar edhe mundësi për zhvillime të paparashikueshme.
“Kur të stratifikohet kështu, do të kemi një shpërndarje krejtësisht të ndryshme ideologjike të forcave në parlament, dhe atëherë të gjitha llojet e surprizave janë të mundshme. Nuk besoj në kthimin e qeverisë së Vuçiqit në mënyrën se si ekzistonte, por që përmes njerëzve të caktuar të përfshirë në shtetin e thellë, ai do të ketë një ndikim të madh në atë që do të ndodhë në periudhën e ardhshme, nuk ka asnjë dyshim”, tha ai.
The GeoPost

Aksion i madh policor në aeroportin e Beogradit, arrestohet ish-ministri i Vuçiqit
Mikhail Bogachek propozohet për ambasador të ri amerikan në Kosovë
Kompania serbe furnizoi industrinë ushtarake ruse me makineri prej 27.5 milionë eurosh, përmes ndërmjetësve të sanksionuar
Serbia nis hetimet ndaj zyrtarëve të ish-pushtetit, por a do të hapen edhe dosjet e Banjskës dhe të Radoiçiqit?
Serbia hap sirtarët e drejtësisë pas humbjes së Vuçiqit
Hulumtimi zbulon lidhjet e pronarit të Euronews me Orbanin dhe Vuçiqin, ish-gazetarët flasin për presion politik