Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • News

Skandal financiar në Serbi, mbyllet banka e afërt me Vuçiqin – dyshime për 50 milionë euro jashtë vendit përfshirë Moskën

The Geopost October 31, 2026 4 min read
Share the news

Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) ia ka revokuar licencën e operimit ALTA Bankës në Beograd, në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Vendimi është marrë të shtunën nga Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Serbisë, pas konstatimit të përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare të bankës dhe rrezikut për interesat e depozituesve.

Sipas njoftimit të NBS-së, kontrollet e zhvilluara paraprakisht kishin për qëllim përmirësimin e likuiditetit të institucionit financiar, por gjatë tyre është vërejtur se gjendja financiare ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se ekzistonte rreziku i përkeqësimit të mëtejshëm.

Për këtë arsye, Banka Qendrore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për revokimin e licencës, me qëllim mbrojtjen e depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

Ndërkohë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave pritet të emërohet administratore e falimentimit me vendim gjykate. NBS ka bërë të ditur se kompensimi i depozitave të siguruara dhe qasja në fondet e klientëve do të mundësohen brenda shtatë ditëve të punës.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, llogaritë e ALTA Bankës janë të bllokuara që nga 30 tetori 2026.

Dyshime për transferimin e 50 milionë eurove jashtë Serbisë

Revokimi i licencës vjen në një kohë kur ndaj ALTA Bankës janë ngritur edhe pretendime serioze për transaksione të mëdha financiare dhe përpjekje për transferimin e parave jashtë vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, ka ngritur padi penale, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të ndaluar një transferim prej 50 milionë eurosh nga ALTA Banka drejt një banke korrespondente jashtë Serbisë.

Sipas pretendimeve të tij, më 27 tetor banka kishte paraqitur kërkesë për konvertimin e një shume të madhe parash nga dinarë në euro, ndërsa guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë e kishte miratuar këtë veprim pa ndjekur, sipas Milivojeviqit, procedurën e zakonshme dhe pa dhënë arsyetimin e nevojshëm.

Ai thekson se pas konvertimit ishte përgatitur edhe transferimi i 50 milionë eurove në një llogari të ALTA Bankës në një institucion financiar jashtë vendit.

“Ka arsye të mjaftueshme për të ngritur një padi penale për ta ndaluar urgjentisht këtë”, ka deklaruar Milivojeviq para gazetarëve.

Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërhyjnë për të parandaluar transaksionin dhe për të hetuar rrethanat e rastit.

Ndërkohë, zëvendësprokurorja e Shtetit për Krimin e Organizuar, Jasmina Milanoviq-Ganiq, është njoftuar për pretendimet, ndërsa sipas raportimeve janë ndërmarrë masa për verifikimin e tyre dhe identifikimin e personave përgjegjës në rast se konstatohen shkelje.

Opozita maqedonase ngriti shqetësime për transferimin e parave drejt Moskës

Zhvillimet rreth ALTA Bankës kanë nxitur reagime edhe në Maqedoninë e Veriut.

Zyrtari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (SDSM), Andrej Zhernovski, kishte kërkuar më herët përgjigje urgjente nga kryeministri dhe guvernatori i Bankës Qendrore lidhur me informacionet për transferimin e parave nga Serbia në Maqedoni përmes ALTA Bankës.

Sipas agjencisë Beta, Zhernovski kishte ngritur shqetësimin nëse Maqedonia e Veriut po shndërrohej në një pikë tranziti për transferimin e parave drejt Moskës.

Dyshimet u shtuan pas raportimeve për zhvillime të pazakonta në aktivitetin financiar të kompanive të Grupit ALTA, ku përfshihet edhe ALTA Pay.

Mediumi serb “Vreme” raportoi se pak para njoftimit për revokimin e licencës së bankës, ALTA Pay i kishte informuar partnerët e saj se pagesat do të realizoheshin përmes llogarive në dy banka të tjera, Postanska Stedionica dhe OTP.

Ky veprim u vlerësua si i pazakontë, pasi kompania kishte kryer më parë transaksione edhe përmes ALTA Bankës.

Lidhjet me institucionet shtetërore dhe Milorad Dodikun

ALTA Banka kishte krijuar një pozicion të rëndësishëm në sektorin financiar serb, duke ofruar shërbime për një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh të mëdha shtetërore.

Në mesin e klientëve të përmendur në raportime janë Elektroprivreda Srbije (EPS), përmes së cilës kryhen edhe pagesat e faturave të energjisë elektrike, Shoqata Serbe e Automobilave dhe Shërbimi i Parkimit të Beogradit.

Sipas raportimeve, një numër kompanish kishin kaluar pagesat e tyre nga Banka Shtetërore e Kursimeve Postare në ALTA Bankë.

Në raportimet për këtë institucion financiar përmenden edhe lidhjet me Milorad Dodikun, kreun e SNSD-së në pushtet në Republika Srpska.

Sipas dëshmive të publikuara, ALTA Banka i kishte dhënë një hua prej 22 milionë eurosh Dodikut, ose më saktësisht Qeverisë së Republika Srpskas, shumë e cila më pas ishte paguar në llogarinë e Srdan Kljeçanin Rufi.

Edhe mediumi “Zhurnal” kishte raportuar më herët për lidhjet ndërmjet Dodikut dhe drejtuesve të ALTA Bankës, në pronësi të biznesmenit Davor Macura.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Milorad Dodik Serbia

Continue Reading

Previous: Besnikët e Vuçiqit paralajmërojnë bllokada, kërcënojnë me ushtri

Besnikët e Vuçiqit paralajmërojnë bllokada, kërcënojnë me ushtri 3 min read
  • Ballkan
  • News

Besnikët e Vuçiqit paralajmërojnë bllokada, kërcënojnë me ushtri

The Geopost October 31, 2026
Pamje të pazakonta nga Rusia, të paktën 11 kolona tymi ngrihen mbi rafinerinë e naftës 2 min read
  • Botë
  • News

Pamje të pazakonta nga Rusia, të paktën 11 kolona tymi ngrihen mbi rafinerinë e naftës

The Geopost October 31, 2026
Përfundon evakuimi nga Oleshky, autobusët nisen për në Ukrainë dhe Rusi 5 min read
  • Botë
  • News

Përfundon evakuimi nga Oleshky, autobusët nisen për në Ukrainë dhe Rusi

The Geopost October 31, 2026
Një tjetër rekord në humbjet ruse në Ukrainë 2 min read
  • Botë
  • News

Një tjetër rekord në humbjet ruse në Ukrainë

The Geopost October 31, 2026
Kaja Kallas zbulon tri taktikat sovjetike që Rusia e Putinit vazhdon t’i përdorë edhe sot 2 min read
  • News

Kaja Kallas zbulon tri taktikat sovjetike që Rusia e Putinit vazhdon t’i përdorë edhe sot

The Geopost October 31, 2026
“Na vranë” – Novaya Gazeta njofton mbylljen pas presionit të autoriteteve ruse 3 min read
  • Botë
  • News

“Na vranë” – Novaya Gazeta njofton mbylljen pas presionit të autoriteteve ruse

The Geopost October 31, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.