Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Lajme

Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin

The Geopost October 30, 2026 3 min read
Share the news

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka deklaruar se i pranon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, e cila për vite me radhë e ka mbështetur politikisht këtë subjekt në Kosovë.

Në reagimin e parë publik pas zgjedhjeve, Lista Serbe ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj institucioneve në Beograd dhe politikës së ruajtjes së paqes, sigurisë dhe lidhjeve institucionale me Serbinë.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj politikës së ruajtjes së paqes, sigurisë, lidhjeve institucionale me Beogradin dhe mbrojtjes së secilit prej njerëzve tanë në Kosovë e Metohi”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e SNS-së dhe të Aleksandar Vuçiqit. Gjatë qëndrimit të tij shumëvjeçar në pushtet, kjo parti ka vepruar në Kosovë me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Beogradit. Aktualisht, ajo i ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq të gjitha komunat me shumicë serbe.

Në reagimin e saj, Lista Serbe ka vënë theks të veçantë te vazhdimi i mbështetjes financiare dhe ekonomike nga Serbia, duke paralajmëruar se do të angazhohet për ruajtjen e vendeve të punës, të ardhurave të punonjësve, investimeve dhe përfitimeve sociale për serbët në Kosovë.

“Në këtë drejtim, theksojmë qartë se do të luftojmë që në asnjë mënyrë të mos vihen në pikëpyetje vendet ekzistuese të punës, të ardhurat e rregullta të punonjësve, vazhdimi i investimeve dhe punësimeve të reja, si dhe përfitimet sociale dhe të gjitha format e tjera të mbështetjes financiare për popullin tonë nga buxheti i Republikës së Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Zyrtarët e Listës Serbe kryesisht kanë udhëhequr institucionet paralele të financuara nga Serbia në Kosovë. Pas mbylljes së shumicës së tyre nga autoritetet kosovare, me arsyetimin se funksiononin në mënyrë të paligjshme, në Kosovë vazhdojnë të veprojnë kryesisht institucionet arsimore dhe shëndetësore të financuara nga Beogradi.

Përveç kësaj, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë përfitojnë nga skema të ndryshme financiare të Serbisë, përfshirë pensionet, shtesat për fëmijë dhe lehona, si dhe ndihmën sociale.

Ndërkohë, pas fitores së Listës Studentore në Serbi, nga radhët e saj kanë ardhur qëndrime të ndryshme për raportet e ardhshme me Listën Serbe.

Më 28 tetor, Vladan Kuzmanoviq, kandidat i Listës Studentore, deklaroi se Lista Serbe duhet të fillojë të punojë në interes të komunitetit serb në Kosovë dhe jo të SNS-së.

“Fillimisht, do t’i ndihmojmë ata të jetojnë me dinjitet, e më pas do të vazhdojmë edhe negociatat që kanë nisur, të cilat kanë hyrë në një qorrsokak për shkak të politikës hipokrite të këtij pushteti. Do të punojmë që qytetarët të fillojnë të jetojnë me dinjitet dhe që askush të mos i shtypë, përfshirë edhe njerëzit e fuqishëm në nivel lokal”, tha Kuzmanoviq për televizionin N1 në Beograd.

Një ditë më vonë, më 29 tetor, kandidati tjetër i Listës Studentore, Jugosllav Gashiq, mbajti qëndrim të kundërt, duke përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit politik me Listën Serbe.

“Lista Serbe ka qenë zbatuesja e punëve të SNS-së në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me rezultate absolutisht katastrofike. Nuk duam asnjë kontakt dhe asnjë bashkëpunim me ta”, deklaroi Gashiq për radion lokale Kim në Kosovë.

Ndërkaq, Illija Sërdanoviq, i pari në listën e studentëve, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte përsëritur se çështjes së Kosovës do t’i qasen në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë atë pjesë të territorit të vet.

The GeoPost

Tags: Aleksandar Vuçiq Lista Serbe Serbia

Continue Reading

Previous: Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë

Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë 1 min read
  • Lajme

Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë

The Geopost October 30, 2026
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE 3 min read
  • Lajme

Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE

The Geopost October 30, 2026
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi 5 min read
  • Botë
  • Lajme

Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi

The Geopost October 29, 2026
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH

The Geopost October 28, 2026
Mediat ruse e paraqesin humbjen e Vuçiqit si pasojë të ndikimit perëndimor 3 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Mediat ruse e paraqesin humbjen e Vuçiqit si pasojë të ndikimit perëndimor

The Geopost October 26, 2026
Vuçiqi pësoi humbje pas 14 vitesh: Studentët fituan 139 mandate, lista e tij mbeti në 104 2 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Vuçiqi pësoi humbje pas 14 vitesh: Studentët fituan 139 mandate, lista e tij mbeti në 104

The Geopost October 25, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.