Lista Studentore do të vazhdojë dialogun për Kosovën dhe do të shqyrtojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kështu ka deklaruar Ilija Srdanoviq, bartës i kësaj liste në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Në një intervistë për programin “Uvid” të Radio Evropës së Lirë, ai tha se qeveria e re do t’i respektojë marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit.
I pyetur nëse kjo nënkupton vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, Srdanoviqi u përgjigj se lëvizja e tij “do të mbetet e hapur për bisedime”, me synimin për të zgjidhur çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, ai theksoi se marrëveshjet e arritura nga zyrtarët serbë mund të rishqyrtohen për të vlerësuar përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën e Serbisë.
Sa i përket mundësisë së zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Srdanoviqi tha se “vendimet për këtë çështje do të merren pas formimit të qeverisë së re”.
Ai nuk dha një përgjigje përfundimtare nëse qeveria e re do të ishte e gatshme ta ekstradonte në Kosovë Milan Radoiçiqin, duke theksuar se “çështje të tilla do të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore të Serbisë”.
Srdanoviqi është bartës i Listës Studentore, e cila u formua në bazë të vendimeve të plenumeve të fakulteteve në Serbi. Lëvizja doli nga protestat dyvjeçare kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, duke synuar fillimisht të funksiononte si organizim pa një lider të vetëm.
Ai e cilësoi vazhdimin e dialogut për Kosovën si pjesë thelbësore të planit të studentëve, por nënvizoi se qëndrimet e tyre për këtë çështje do të bazohen në Kushtetutën e Serbisë.
The GeoPost

Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH
“Kundërgoditja po vjen”: Ish-aktivisti serb paralajmëron për planet e Vuçiqit pas humbjes
Kandiq: Vuçiq e pranoi humbjen, por nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën
Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik
Mediat gjermane dhe zvicerane: Fitore historike e studentëve, por qëndrimi ndaj Kosovës dhe Rusisë mbetet shqetësim
Kush janë figurat kryesore të Listës Studentore që mposhti Vuçiqin në Serbi dhe kush mund të bëhet kryeministër?