Ivan Maroviq, ish-anëtar i lëvizjes serbe “Otpor”, ka paralajmëruar se pushteti i Aleksandar Vuçiqit mund të kundërpërgjigjet më shpejt se sa pritet, pavarësisht humbjes në zgjedhje.
Sipas tij, Vuçiqi mund të shfrytëzojë krizat politike dhe temat kombëtare për të dobësuar kundërshtarët dhe për të thelluar ndarjet në shoqërinë serbe.
Në një seri postimesh në rrjetin social X, Maroviq u ndal te fjalimi i Vuçiqit pas humbjes zgjedhore, duke vlerësuar se ai shfaqi sfidë, por jo domosdoshmërisht forcë. Megjithatë, ai paralajmëroi se pakënaqësia e shprehur publikisht nga presidenti serb nuk duhet interpretuar si shenjë dobësie.
“A jeni gati për kundërgoditjen? Ajo po vjen, kjo është e sigurt, dhe duke gjykuar nga fjalimi i Vuçiqit të dielën, do të vijë më shpejt se zakonisht”, shkroi Maroviq.
Ai theksoi se Vuçiqi i njeh pikat e dobëta të lëvizjes studentore dhe mund të përpiqet t’i shfrytëzojë ato për të përmbysur situatën politike në favor të tij.
“Ky fjalim është sfidues, por jo i fuqishëm. Vuçiqi vazhdon të ankohet, ashtu siç ankohej edhe kur ishte në pushtet. Por ankimi nuk është shenjë e dobësisë së tij, ashtu siç nuk ishte as gjatë gjithë këtyre viteve. Vuçiqi e di me kë ka të bëjë dhe i njeh pikat e dobëta të lëvizjes studentore”, deklaroi ai.
Sipas Maroviqit, fillimisht Vuçiqi do të përpiqet të zbusë pasojat e rënies politike dhe të shmangë përgjegjësinë penale, përpara se të synojë dobësimin e ekipit të ri qeverisës dhe, potencialisht, të shkaktojë përçarje brenda tij.
Ai vlerësoi se dobësitë që mund të shfrytëzohen janë të njëjtat që, sipas tij, kanë ekzistuar edhe para çerek shekulli: legalizmi dhe interesi kombëtar.
“Përmes këtyre dobësive do të përpiqet t’i përmbysë gjërat. Fillimisht, të zbusë rënien dhe të shmangë përgjegjësinë penale, e më pas të dobësojë dhe ndoshta të shkaktojë përçarje në ekipin e ri qeverisës”, shkroi Maroviq.
Ai paralajmëroi se mund të krijohet një krizë ose të ndodhë një incident që do të tërhiqte vëmendjen e të gjithë publikut, duke e zhvendosur përkohësisht fokusin nga dallimet politike.
“Do të ketë ndonjë krizë, ndonjë incident, diçka që do të kërkojë vëmendjen jo vetëm të pushtetit, por të gjithë publikut”, theksoi ai, duke shtuar se në një situatë të tillë mund të argumentohet se “Serbia është e kërcënuar”.
Sipas tij, nëse kundërshtarët politikë e kalojnë këtë provë në mënyrën që synon Vuçiqi, më pas mund të pasojnë thellimi i ndarjeve dhe nxitja e zhgënjimit në shoqëri.
Maroviq e krahasoi këtë skenar me zhvillimet politike të së kaluarës në Serbi. Ai kujtoi se radikalëve, sipas vlerësimit të tij, iu deshën tre vjet që në vitin 2003 të bëheshin partia individualisht më e madhe në vend, ndërsa dhjetë vjet të tjera për të fituar zgjedhjet në vitin 2012.
“Vuçiqi shpreson që kjo të ndodhë më shpejt”, përfundoi Maroviq.
The GeoPost

Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH
A do të bisedojë me Kurtin dhe a do ta ekstradojë Radoiçiqin? Përgjigjet bartësi i Listës Studentore
Kandiq: Vuçiq e pranoi humbjen, por nuk hoqi dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën
Avokati serb kërkon përgjegjësi nga mediat që i shërbyen për 14 vjet Vuçiqit: Tjetër është kapitali, tjetër krijimi i opinionit publik
Mediat gjermane dhe zvicerane: Fitore historike e studentëve, por qëndrimi ndaj Kosovës dhe Rusisë mbetet shqetësim
Kush janë figurat kryesore të Listës Studentore që mposhti Vuçiqin në Serbi dhe kush mund të bëhet kryeministër?