Ndërsa Mali i Zi po i hap dyert e Bashkimit Evropian, Beogradi po kthehet te simbolet e viteve ’90. Problemi nuk është më vetëm se Serbia po mbetet prapa, por edhe se pushteti i saj po bën vazhdimisht gjithçka për të shpjeguar pse nuk duhet të arrijë në destinacionin që ua ka premtuar votuesve për plot 14 vjet, me qëllim që ta fitojë lehtësisht besimin e tyre në zgjedhje.
Nga Dragan Shormaz
Ka veprime politike që zbulojnë më shumë sesa qindra konferenca për shtyp, premtime të panumërta dhe kilometra të tëra deklaratash të nënshkruara evropiane. Përkulja e përfaqësuesve të pushtetit serb para Ratko Mladiqit, e shoqëruar me mesazhe politike dhe shfaqje demonstrative të respektit ndaj një krimineli lufte të dënuar, është një prej këtyre momenteve. Veçanërisht kur në këtë ritual politik shfaqen edhe njerëz nga rrethi më i ngushtë familjar i tashmë ish-presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq.
Për vite me radhë, Vuçiqi është përpjekur ta bindë opinionin vendor dhe ndërkombëtar se Serbia po mbetet në rrugën evropiane. Por, sipas interpretimit të tij, kjo rrugë është një lloj devijimi i pafund, në të cilin mund të vazhdosh të vozitësh pa mbërritur kurrë në destinacion. Bashkimi Evropian është i mirë kur duhet të sigurohen para, investime, tregje dhe legjitimitet ndërkombëtar, por bëhet problem kur kërkon drejtësi të pavarur, media të lira, harmonizim të politikës së jashtme ose përballje të qartë me të kaluarën e luftës.
Në këtë llogaritje politike, Ratko Mladiqi nuk është thjesht një emër në aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare. Me vullnetin e regjimit neoradikal të Vuçiqit, ai është shndërruar në simbol të një sistemi vlerash, të cilin pushteti herë pas here e fsheh kur bisedon me Brukselin, ndërsa më pas e nxjerr sërish para publikut vendor kur i nevojitet mobilizimi nacionalist.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Serbia nuk mund të kërkojë një vend në bashkësinë politike evropiane dhe, njëkohësisht, t’u bëjë nderime politike njerëzve, krimet e të cilëve janë vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare. Jo sepse Brukseli kërkon që Serbia të pranojë një ndjenjë kolektive faji të dikujt, por sepse integrimi evropian nënkupton pranimin e rregullave themelore të jetës së qytetëruar politike: krimi nuk bëhet më pak i tmerrshëm për shkak të kombësisë së kryerësit dhe një aktgjykim i formës së prerë nuk pushon së vlejturi kur bëhet politikisht i papëlqyeshëm.
Në momentin kur ranë edhe gjethet e fundit të palmës që mbulonin lakuriqësinë e radikalizmit të Vuçiqit, u bë krejtësisht e qartë se Bashkimi Evropian nuk është problemi që po e pengon Serbinë të përparojë. Problemi është pushteti që integrimin evropian e trajton si mjet për ruajtjen e pushtetit të vet, e jo si zgjedhje strategjike të shtetit.
Ndërsa në Beograd luhet karta e rishikimit të historisë, në Bruksel po ndryshojnë llogaritë gjeopolitike për zgjerimin. Anëtarësimi i shteteve të reja nuk është më vetëm çështje burokratike e mbylljes së kapitujve dhe harmonizimit të ligjeve. Lufta në Ukrainë, presioni rus mbi sigurinë evropiane dhe konkurrenca gjithnjë e më e fortë ndërmjet fuqive të mëdha e kanë rikthyer zgjerimin në qendër të strategjisë evropiane.
Bashkimi Evropian po shqyrton mënyrën se si do të funksionojë me më shumë se tridhjetë anëtarë, si t’u mundësojë vendeve kandidate qasje graduale në tregun e përbashkët dhe në sektorët strategjikë, por edhe si të parandalojë që vendet që po shënojnë regres në reforma të përfitojnë nga avantazhet evropiane pa i pranuar detyrimet që vijnë me to. Me fjalë të tjera, dyert evropiane për Serbinë nuk janë domosdoshmërisht të mbyllura, por gjithnjë e më pak mund të llogaritet se dikush do të pranohet vetëm pse qëndron mjaft gjatë para tyre dhe përsërit se dëshiron të hyjë.
Pikërisht këtu shihet dallimi ndërmjet propagandës politike dhe politikës së vërtetë. Vuçiqi mund të përsërisë pafundësisht se Serbia nuk ka alternativë ndaj rrugës evropiane, por orientimi evropian nuk matet me numrin e parullave të shqiptuara, por me vendimet konkrete, reformat, detyrimet ndërkombëtare dhe gatishmërinë për të paguar çmimin politik të një zgjedhjeje strategjike. Pikërisht këtë çmim Vuçiqi vazhdimisht përpiqet ta shmangë.
Refuzimi për t’u harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përkatësisht vazhdimi i politikës së balancimit të rremë ndërmjet Brukselit, Moskës dhe Pekinit — një politikë e luhatjes strategjike — është vetëm një pjesë e problemit. Pjesa e dytë lidhet me gjendjen e sistemit të drejtësisë, lirinë e mediave, konkurrencën politike dhe raportin ndaj institucioneve të pavarura. Pjesa e tretë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, pa përparimin e të cilit, përkatësisht pa nënshkrimin dhe zbatimin e një marrëveshjeje juridikisht të detyrueshme, nuk ka përparim serioz në integrimin evropian.
Në një kontekst të tillë, nderimi ndaj Mladiqit nuk është një incident i izoluar që mund të hidhet poshtë si gjest privat apo shprehje e bindjeve personale të Vuçiqit, familjes së tij ose klanit të interesave që ai ka mbledhur rreth vetes. Kur mesazhe të tilla vijnë nga rrethi politik i presidentit të shtetit, ato bëhen sinjal për të kaluarën që pushteti dëshiron ta legjitimojë dhe për të ardhmen që përpiqet të na imponojë.
Natyrisht, askush serioz nuk pret që Serbia ta ndryshojë brenda natës kujtesën kolektive ose që të gjithë qytetarët e saj të kenë pikëpamje identike për vitet ’90. Megjithatë, ekziston një dallim i madh ndërmjet së drejtës për mendim politik dhe normalizimit shtetëror të kriminelëve të dënuar të luftës dhe krimeve të tyre të viteve ’90. Edhe më i madh është dallimi ndërmjet mbrojtjes së dinjitetit të popullit të vet dhe përpjekjes për ta ndërtuar këtë dinjitet mbi mohimin e viktimave të të tjerëve dhe viktimizimin e sforcuar të palës së vet. Kjo nuk është mbrojtje e dinjitetit dhe as kërkim i drejtësisë historike, por përgatitje e hapur për hakmarrje dhe vuajtje të reja në rajon.
Dinjiteti kombëtar nuk qëndron te shpallja e një krimineli hero, por te aftësia e shoqërisë për t’u përballur me faktet, pa frikën se e vërteta do ta zhbëjë identitetin e saj. Një shtet që nuk e kupton këtë mbetet i robëruar nga e kaluara, ndërsa qytetarët e tij paguajnë çmimin e iluzioneve politike që pushteti ua shet, si në kuptimin figurativ, ashtu edhe në atë të drejtpërdrejtë, si patriotizëm.
Dëshmia më e mirë se për ngecjen e Serbisë nuk është fajtore ndonjë pengesë e pakapërcyeshme evropiane, por politika e regjimit të Vuçiqit, është vetë Mali i Zi. Kjo është edhe arsyeja kryesore e përpjekjes obsesive të regjimit të Partisë Përparimtare Serbe për ta penguar ose shtyrë, me çdo kusht, anëtarësimin e Podgoricës zyrtare në BE.
Të dyja vendet i nisën negociatat me Bashkimin Evropian në një periudhë relativisht të afërt: Serbia në vitin 2014, ndërsa Mali i Zi në vitin 2012. Sot, dallimi ndërmjet tyre është dramatik. Podgorica i ka hapur të gjithë kapitujt negociues, ka mbyllur përkohësisht një numër të konsiderueshëm të tyre dhe ka marrë vlerësim pozitiv në fushën e sundimit të ligjit, gjë që i ka mundësuar përshpejtimin e procesit. Mali i Zi është pozicionuar si kandidati më serioz për valën e ardhshme të zgjerimit, me synimin për t’u bërë anëtar deri në vitin 2028.
Përkundrazi, Serbia mbetet e bllokuar ndërmjet premtimeve formale dhe regresit thelbësor politik. Hapja e fushave të reja të negociatave është ngadalësuar, reformat kryesore nuk po japin rezultatet e pritshme, ndërsa çështja e marrëdhënieve me Kosovën vazhdon ta rëndojë të gjithë procesin.
Natyrisht, Mali i Zi nuk është shndërruar brenda natës në një demokraci të përsosur, as nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet apo eliminuar çdo dobësi politike dhe institucionale. Por ai ka dëshmuar se përparimi është i mundur kur ekziston një vendim politik mjaftueshëm i qartë për t’i vendosur integrimet evropiane si përparësi, duke pranuar detyrimet që rrjedhin prej tyre.
Beogradi, ndërkaq, përpiqet t’i marrë përfitimet evropiane pa u përcaktuar përfundimisht në aspektin strategjik. Një politikë e tillë mund ta zgjasë jetën politike të një pushteti, por nuk mund të sigurojë perspektivë afatgjatë për shtetin. Serbia e Vuçiqit dëshiron paratë evropiane, por jo kontrollin evropian dhe as institucionet që do ta kufizonin arbitraritetin e pushtetit. Vuçiqi dëshiron të pranohet si partner i besueshëm dhe i pazëvendësueshëm i Perëndimit, por njëkohësisht dëshiron ta ruajë marrëdhënien e privilegjuar me Moskën dhe Pekinin, së bashku me kontrollin autokratik mbi proceset politike në Serbi. Ai vazhdimisht përsërit se dëshiron të flasë për të ardhmen, ndërsa në praktikë dëshmon se nuk dëshiron të heqë dorë nga modelet politike që e kthejnë vazhdimisht Serbinë në vitet ’90.
Një politikë e tillë nuk është balancim, por shtyrje e vendimit, me rrezikun gjithnjë e më të madh që, në fund, vendimin ta marrin rrethanat dhe jo Serbia. Ndërkohë, treni evropian nuk do të presë përgjithmonë në peron. Nëse Mali i Zi dhe vendet e tjera kandidate vazhdojnë të përparojnë, Serbia nuk do të humbasë vetëm disa vite në negociata, por rrezikon të mbetet jashtë rrethit të shteteve që do të përfitojnë të parat nga qasja në tregun e përbashkët, mundësitë e reja për investime dhe bashkëpunimi më i thellë evropian në fushën e sigurisë. Kjo do të thotë më pak ndikim politik, perspektivë më të dobët ekonomike dhe nxitje shtesë për largimin e njerëzve që të ardhmen e tyre tashmë e kërkojnë në vendet e BE-së.
Për një shtet me treg të madh, potencial të konsiderueshëm njerëzor dhe pozitë gjeostrategjike në Ballkan, kjo është një llogari veçanërisht e keqe. Serbia mund të ishte pjesë e rëndësishme e përgjigjes evropiane ndaj sfidave të sigurisë, ekonomisë dhe politikës në rajon. Në vend të kësaj, falë kalkulimeve të Vuçiqit, ajo rrezikon të bëhet një hapësirë e pasigurisë së përhershme dhe e vetëizolimit, ku perspektiva evropiane përdoret si slogan elektoral dhe jo si projekt shtetëror.
Megjithatë, përgjegjësia për një rezultat të tillë nuk mund t’i hidhet vetëm Brukselit. Bashkimi Evropian ka dobësitë, kundërthëniet dhe interesat e veta të brendshme; shtetet anëtare nuk janë gjithmonë të qëndrueshme në qëndrimet e tyre, ndërsa politika e zgjerimit shpesh ka qenë peng i mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre. Por këto fakte nuk mund të shërbejnë si alibi për një regjim vendor që prej vitesh nuk ka arritur të dëshmojë në mënyrë bindëse se dëshiron t’i përmbushë kushtet që vetë i ka pranuar.
Pavarësisht interpretimeve të ndryshme për drejtësinë dhe arsyeshmërinë e kritereve që Brukseli ka përcaktuar për anëtarët e ardhshëm, një shtet që dëshiron anëtarësimin duhet të jetë i gatshëm të negociojë për rregullat, e jo të sillet sikur ato nuk vlejnë për të. Politika sovrane nuk do të thotë shmangie e pafundme e detyrimeve, por gatishmëri dhe aftësi për ta vlerësuar drejt interesin kombëtar dhe për të marrë vendime që u sjellin dobi qytetarëve në planin afatgjatë.
Pikërisht për këtë arsye, qëndrimi ndaj Ratko Mladiqit është shumë më tepër sesa çështje historie. Është çështje e drejtimit politik të Serbisë, e institucioneve të saj dhe e vlerave shoqërore që promovon pushteti. Nëse kriminelët e luftës paraqiten si simbole kombëtare, nëse vlerat evropiane pranohen vetëm kur janë të përshtatshme dhe refuzohen kur e rrezikojnë pushtetin, atëherë problemi nuk është se Evropa nuk e kupton Serbinë. Problemi është se udhëheqja e saj nuk dëshiron t’i pranojë rregullat e botës së qytetëruar dhe pasojat e zgjedhjeve që, në deklarata, i paraqet si synim të vetin.
Vuçiqi ndoshta ka arritur ta mbajë një sistem politik në të cilin pothuajse çdo çështje mund të shndërrohet në mjet për manipulimin e masave, mobilizimin e përkrahësve dhe disiplinimin e kundërshtarëve. Por shteti nuk është një fushatë politike me kohëzgjatje të pakufizuar. Zgjedhjet e tij strategjike kanë pasoja që nuk mund të anulohen me një fjalim të ri, një paraqitje televizive apo një premtim tjetër për përshpejtimin e reformave. Serbia sot nuk përballet vetëm me rrezikun se do të vonohet në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por edhe me rrezikun që të mësohet me ngecjen e vet dhe të fillojë ta paraqesë atë si dëshmi të pavarësisë kombëtare.
Prandaj, skena e përkuljes politike para Ratko Mladiqit është kaq e dëmshme. Ndërsa vendet e tjera të rajonit përpiqen të sigurojnë një vend në tryezën evropiane, pushteti serb dërgon mesazhe që e largojnë nga ajo tryezë. Ndërsa Evropa përgatitet për një zgjerim të ri, Beogradi dëshmon se ende nuk e ka sqaruar raportin e tij me trashëgiminë politike të shekullit të kaluar. Ndërsa qytetarëve u premton zhvillim dhe një të ardhme të ndritur, regjimi, në mënyrë simbolike e gjithnjë e më shumë edhe përmes metodave të tij, po kthehet në kohën, pasojat e së cilës integrimi evropian duhej të ndihmonte për t’i kapërcyer.
Marta Kos, komisionerja evropiane për zgjerim, ka paralajmëruar në mënyrë figurative se është e kotë të shtyhet një veturë që qëndron në vend dhe nuk dëshiron të niset vetë. Është e vështirë të gjendet një metaforë më e përshtatshme për Serbinë e sotme. Megjithatë, problemi nuk është vetëm se vetura nuk po përparon, por edhe se nga brenda saj vazhdimisht përpiqen t’i bindin të tjerët se udhëtimi është duke vazhduar.
Vuçiqi mund të vazhdojë të flasë për Evropën. Por, pas gjithë këtyre zhvillimeve, është gjithnjë e më e vështirë të besohet se ai po flet për vendin ku duhet të jetë Serbia. Përshtypja shumë më bindëse është se ai flet për Evropën si një destinacion që dëshiron ta mbajë mjaftueshëm afër për të përfituar prej saj, por mjaftueshëm larg që të mos detyrohet kurrë t’i pranojë të gjitha rregullat që ajo nënkupton.
Bashkimi Evropian nuk mund t’i zbatojë në vend të Serbisë reformat demokratike, t’ua sigurojë lirinë mediave të saj, të ndërtojë një sistem të pavarur të drejtësisë apo të ndryshojë qëndrimin politik ndaj së kaluarës së luftës. Këto duhet t’i bëjnë institucionet vendore dhe aktorët politikë, me mbështetjen e qytetarëve që dëshirojnë një shtet të organizuar sipas standardeve evropiane.
Derisa kjo të ndodhë, Serbia do të mbetet e parkuar pranë rrugës evropiane, ndërsa pjesa më e kushtueshme e kësaj ngecjeje nuk do të jenë grupkapitujt e humbur në negociata, fondet e pashfrytëzuara apo kritikat diplomatike. Do të jenë vitet e humbura të qytetarëve, të cilët meritojnë të jetojnë në një shtet me drejtim të qartë, institucione funksionale dhe një të ardhme që nuk varet nga kalkulimet politike të një njeriu të vetëm.
The GeoPost

Makthi i Putinit: Riorganizimi i ardhshëm i Kongresit
Irani emëron shefin e raketave të sanksionuara nga OKB-ja si ministër të Mbrojtjes
Tragjedia e shqiptarëve të vrarë përdoret në përplasjet politike në Serbi
A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?
“Njeriu i fortë i Putinit që kapet pas pushtetit”, “The Times”: Vuçiqi po lufton për të ruajtur kontrollin
Si po ndryshon peizazhi mediatik në Serbi: Ndikimi i Vuçiqit dhe lufta për kontrollin e mediave