Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Botë

Reuters zbardh synimet e Putinit para se të pranojë negociatat e paqes me Ukrainën

The Geopost October 14, 2026 3 min read
Share the news

Presidenti rus, Vladimir Putin, do të rikthehet në tryezën e negociatave vetëm pasi të marrë 11 për qind të territorit të Donbasit që ende kontrollohet nga Ukraina. Këtë mund ta paraqesë si fitore para opinionit të brendshëm, ka thënë për Reuters një burim pranë Kremlinit.

Ukraina ka deklaruar më herët se nuk do t’i dorëzojë Rusisë territore të tjera, por ka lënë të kuptohet se ngrirja e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje paqeje.

Ky vlerësim vjen në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet ta rikthejë Moskën në negociata përmes lëshimeve të reja. Sipas Reuters, të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u kanë thënë zyrtarëve ukrainas gjatë një takimi në Miami të premten se marrëveshja për lejimin e eksporteve ruse të naftës dizel është pjesë e përpjekjeve për rifillimin e negociatave.

Sipas dy burimeve të njohura me takimin, Witkoff dhe Kushner u kanë thënë përfaqësuesve ukrainas se Putini aktualisht nuk është i gatshëm të negociojë për përfundimin e luftës, e cila po vazhdon prej katër vjetësh e gjysmë. Megjithatë, marrëveshja për naftën dizel mund të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve trepalëshe.

Një burim tjetër tha se pala amerikane beson se kjo marrëveshje mund ta zbusë qëndrimin e Moskës, pasi i dërgon sinjalin se Trump është i hapur për bashkëpunim me Rusinë.

Sipas marrëveshjes, Rusia do të furnizojë tregjet amerikane dhe ato ndërkombëtare me më shumë se 2.25 milionë fuçi naftë dizel. Disa ligjvënës amerikanë e kanë kritikuar këtë vendim, duke argumentuar se ai i siguron Moskës të ardhura për vazhdimin e luftës, pa e detyruar Putinin të bëjë lëshime.

Trump e ka mbrojtur marrëveshjen, duke thënë se ajo do të ndihmojë në uljen e çmimeve të energjisë në SHBA. Megjithatë, disa ekspertë vlerësojnë se sasia shtesë e naftës është më e vogël se konsumi njëditor i sektorit amerikan të transportit.

Gjatë takimit në Miami, Kushner përsëriti kërkesën e Trumpit që Ukraina t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse. Sipas njërit prej burimeve, ideja ishte që Uashingtoni t’i tregonte Moskës se Ukraina i kishte ndalur sulmet dhe se SHBA-ja kishte bërë një lëshim ekonomik, duke pritur që Rusia të ndërmerrte një hap në këmbim.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas ishin skeptikë ndaj kësaj qasjeje, të cilën e shohin si përpjekje për ta kënaqur Rusinë përmes marrëveshjeve ekonomike.

Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje zyrtare. Ukraina, megjithatë, ka shprehur gatishmërinë për një armëpushim në sektorin energjetik, nëse Rusia vepron në të njëjtën mënyrë.

Trump njoftoi të dielën për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, por palët ndërluftuese nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht atë. Të hënën, Rusia sulmoi objektiva energjetike në Ukrainë, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim të plotë 60-ditor.

Zelensky e cilësoi marrëveshjen për naftën dizel si një vendim të dobët të SHBA-së dhe si një dhuratë për Putinin. Ndërkohë, Trump deklaroi se Zelensky kishte pasur shumë mundësi për t’i dhënë fund luftës dhe se Ukrainës i nevojitet një president i ri.

Tags: Rusia SHBA Ukraina

Continue Reading

Previous: Intelegjenca britanike: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës

Intelegjenca britanike: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës 3 min read
  • Botë

Intelegjenca britanike: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës

The Geopost October 14, 2026
Një plan rus për një dimër të ftohtë dhe të errët në Ukrainë 8 min read
  • Botë

Një plan rus për një dimër të ftohtë dhe të errët në Ukrainë

The Geopost October 14, 2026
Në BE, por nën mbikëqyrje: Rregullat e reja për anëtarët e ardhshëm 9 min read
  • Botë

Në BE, por nën mbikëqyrje: Rregullat e reja për anëtarët e ardhshëm

The Geopost October 14, 2026
Si të justifikohen krimet kundër njerëzimit: Metoda e Kremlinit 6 min read
  • Botë

Si të justifikohen krimet kundër njerëzimit: Metoda e Kremlinit

The Geopost October 12, 2026
Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës 2 min read
  • Botë
  • Lajme

Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës

The Geopost October 12, 2026
Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën 3 min read
  • Botë
  • News

Shërbimet e inteligjencës evropiane paralajmërojnë: Rusët po përgatisin atentate në të gjithë Evropën

The Geopost October 11, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.