Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan

Samiti i BE-së në Bruksel: Ukraina, sanksionet ndaj Rusisë dhe zgjerimi në qendër të diskutimeve

The Geopost October 14, 2026 10 min read

FILE PHOTO: Plastic letters arranged to read "Sanctions" are placed in front the flag colors of EU and Russia in this illustration taken February 28, 2022. REUTERS/Dado Ruvic/Illustration

Share the news

Ndërsa liderët e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 15-16 tetor, vëmendja kryesore e mediave ka të ngjarë të përqendrohet te beteja e ashpër për buxhetin e BE-së, pasi 27 kryeministrat dhe presidentët do të bëjnë përpjekjen e parë serioze për të arritur një konsensus mbi buxhetin afatgjatë të BE-së për periudhën 2028-2034.

Ata nuk do t’ia dalin, pasi tashmë janë planifikuar samite për në nëntor dhe dhjetor, ku mund të arrihet marrëveshja përfundimtare. Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se një marrëveshje do të arrihet as atëherë, pasi projektpropozimi prej 1.6 trilion eurosh (1.78 trilion dollarë) ka nxitur përçarje mes vendeve veriore të njohura si “kursimtare”, të cilat kërkojnë shkurtime më të mëdha, dhe pjesës tjetër, që kërkon rritjen e buxhetit ose, të paktën, ruajtjen e tij në nivelin aktual.

Përplasjet për paratë në Bruksel priren të jenë më të ashpra dhe të zgjasin më shumë, duke e larguar vëmendjen e BE-së nga çështjet më të mëdha ndërkombëtare me të cilat përballet blloku, si lufta në Ukrainë, madje edhe procesi i vetë BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.

Megjithatë, projektpërfundimet e samitit të BE-së, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë (REL), ofrojnë disa të dhëna se çfarë synon të bëjë blloku në muajt e ardhshëm për një sërë çështjesh të politikës së jashtme.

Financimi i Ukrainës

Në fillim të shtatorit, në Bruksel dhe në Kiev shpërtheu papritur një stuhi politike, pasi zyrtarët ukrainas nisën të paralajmëronin për një mungesë financimi ushtarak që mund të arrinte deri në 27 miliardë dollarë.

Pasuan shumë paqartësi, ndërsa qarkullonin shifra të ndryshme dhe zyrtarët ukrainas e evropianë nisën të shqyrtonin se cili ishte problemi dhe nëse huaja prej 90 miliardë eurosh (100 miliardë dollarë), të cilën BE-ja kishte rënë dakord t’ia jepte Kievit në fillim të vitit për vitet 2026 dhe 2027, me nga 45 miliardë euro të parashikuara për secilin vit, duhej të ristrukturohej. Një nga mundësitë ishte që një pjesë e parave të parashikuara për vitin 2027 të jepej më herët.

Burime në BE, të njohura me diskutimet, i thanë REL-it se ndryshimet në vlerësimet për nevojat e Ukrainës pasqyrojnë situatën që po evoluon me shpejtësi. Ato shpjeguan se kostoja e pajisjeve ushtarake që Ukraina synon të blejë po rritet, ashtu si edhe shpenzimet për pagat e personelit ushtarak dhe pagesat e kompensimit për familjet e ushtarëve të rënë.

Megjithatë, përmes rishpërndarjes së fondeve në buxhetet kombëtare dhe mbështetjes financiare nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, Kievi ka gjetur mënyra për të mbuluar nevojat e tij më urgjente.

Kjo konfirmohet edhe në projektpërfundimet e samitit, ku thuhet se Këshilli Evropian “mirëpret disbursimet në vijim për Ukrainën nga Huaja për Mbështetjen e Ukrainës prej 90 miliardë eurosh për vitet 2026 dhe 2027, përfshirë disbursimet e fundit prej 5.34 miliardë eurosh. Ai mirëpret faktin se janë identifikuar burimet për të mbuluar nevojat buxhetore dhe të mbrojtjes së Ukrainës për vitin 2026”.

Por, ky nuk është fundi i historisë.

Edhe pse financimi për vitin 2026 është siguruar për momentin, diplomatët e BE-së besojnë se Ukraina do t’i shpenzojë 45 miliardë eurot e mbetura gjatë gjysmës së parë të vitit 2027. Kjo do të thotë se hendeku financiar, që u shmang këtë dimër, ka të ngjarë të rishfaqet një vit më vonë.

Prandaj, BE-ja do të duhet të gjejë më shumë para, pasi buxheti i ri afatgjatë i bllokut, i cili pritet të përfshijë më shumë fonde për Ukrainën, nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2028.

Për këtë arsye, është shumë e mundshme që diskutimi për përdorimin e miliarda eurove në asetet e ngrira ruse të mbajtura në BE të rikthehet në një moment. Kjo sigurisht që nuk do të ndodhë në samitin e kësaj jave, por çështja mund të rikthehet në rendin e ditës në samitet e planifikuara për nëntor dhe dhjetor, dhe pothuajse me siguri do të rishfaqet në fillim të vitit të ardhshëm.

Sanksione simbolike dhe sikleti i Estonisë

Në projektpërfundimet e samitit thuhet se “Bashkimi Evropian mbetet i vendosur të rrisë më tej presionin ndaj Rusisë, në mënyrë që ajo t’i japë fund luftës së saj brutale të agresionit dhe të angazhohet në negociata kuptimplota drejt paqes. Këshilli Evropian mirëpret miratimin e fundit të paketës së 21-të të sanksioneve dhe të një numri të konsiderueshëm masash të tjera për përfshirjen e individëve dhe subjekteve në listat e sanksioneve”.

Pavarësisht se në pamje të parë kjo duket si një thirrje e drejtpërdrejtë për sanksione të tjera ndaj Moskës, ekziston një dallim i vogël, por i rëndësishëm.

Në vitet e mëparshme dhe në samitet e mëparshme, liderët e BE-së kanë bërë vazhdimisht thirrje për masa të mëtejshme, duke nënkuptuar paketa të reja sanksionesh. Por, pas vështirësive që shoqëruan paketën e 21-të të sanksioneve, e cila u miratua vetëm pas shumë përplasjesh në korrik, është e qartë se blloku po largohet gradualisht nga miratimi i sanksioneve të reja ekonomike. Në vend të tyre, tani po përqendrohet kryesisht te shtimi i emrave në listën e zezë të sanksioneve.

Dhe ndërsa shifra prej afro 1.600 emrash të rinj në listë, e miratuar zyrtarisht më 12 tetor, duket mbresëlënëse, duke shënuar shtimin më të madh ndonjëherë në listën e sanksioneve të BE-së, personat dhe subjektet e përfshira nuk janë emra të njohur për publikun e gjerë. Në fakt, të gjithë i përkasin kompleksit ushtarako-industrial rus, i cili, që në fillim, ka shumë pak asete në BE.

Megjithatë, edhe këto përfshirje në listë, që duken relativisht të thjeshta, nuk kanë kaluar pa probleme.

Në një situatë të sikletshme, Estonia, një nga mbështetëset më të vendosura të sanksioneve, kërkoi që një kompani dhe një person të hiqeshin nga lista e propozuar fillimisht, të cilën e kishte parë REL-i. Subjekti ishte uzina Solikamsk, e cila eksporton materiale të rralla, ndërsa personi ishte drejtori i saj ekzekutiv, Ruslan Dimukhamedov.

Meqë pjesa më e madhe e eksporteve të kompanisë drejt BE-së shkon në Estoni, shteti baltik konfirmoi se kishte kërkuar që ajo të mos sanksionohej.

Në një deklaratë për REL-in, përfaqësia e Estonisë në BE vuri në dukje se “kompania furnizon NPM Silmet, me seli në Estoni, me materiale me rëndësi strategjike për Evropën. Industritë evropiane që varen nga NPM Silmet përfshijnë prodhuesit e automjeteve elektrike, prodhuesit e turbinave me erë, si dhe sektorët e elektronikës, automobilave dhe aviacionit në të gjithë Bashkimin Evropian”.

Deklarata theksonte gjithashtu se “NPM Silmet po kërkon aktivisht burime alternative për materialet që importon nga Rusia. Estonia do ta rishqyrtojë vitin e ardhshëm përfshirjen në listë të kompanisë ruse dhe të personit në fjalë”.

E gjithë kjo tregon se edhe mbështetësit më të vendosur të Ukrainës në BE kanë interesa ekonomike kombëtare të lidhura me Rusinë, të cilat thjesht nuk janë të gatshëm t’i sakrifikojnë. Kjo e bën të duket absurde përpjekjen e bllokut për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Kremlinit.

Vizat për rusët

Ndërsa politika tradicionale e sanksioneve duket se po kalon në plan të dytë për momentin, çështja e kufizimit të hyrjes së më shumë shtetasve rusë në BE po fiton terren në Bruksel.

BE-ja po punon ende për ndalimin e hyrjes në bllok të rusëve që kanë luftuar në Ukrainë me viza turistike Schengen. Projektpërfundimet e samitit bëjnë thirrje për “zbatimin e shpejtë të masave që lidhen me ish-luftëtarët rusë”.

Ky është treguesi më i qartë se edhe vende mesdhetare si Franca, Italia dhe Spanja, të cilat varen shumë nga turizmi, po i afrohen një marrëveshjeje për masa që mund t’u kërkojnë aplikantëve rusë të paraqesin dokumente për shërbimin ushtarak kur të aplikojnë për viza turistike Schengen në të ardhmen.

Është interesante se teksti përmend gjithashtu nevojën për “rishikimin dhe shtrëngimin e kërkesave dhe politikës së vizave në lidhje me shtetasit rusë”.

Sipas zyrtarëve të BE-së, kjo do të thotë se po punohet edhe për kufizimin e vlefshmërisë territoriale të vizave turistike ruse, në mënyrë që mbajtësit e tyre të mos mund të udhëtojnë më lirisht në të gjithë zonën Shengen, por të detyrohen të qëndrojnë në vendin që ua ka lëshuar vizën.

Gjithashtu, po shtyhet përpara një propozim për të mos njohur më dokumentet ruse të udhëtimit që nuk janë biometrike, përfshirë pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit.

Sa u përket diplomatëve rusë që ndodhen tashmë në BE, po shqyrtohen edhe masa për kufizimin e lëvizjes së tyre. Aktualisht, personeli diplomatik dhe konsullor rus në vendet e BE-së, në përgjithësi, duhet vetëm të njoftojë autoritetet kur udhëton në një shtet tjetër anëtar. Propozimi i ri do të kërkonte marrjen e autorizimit paraprak nga vendi që synojnë të vizitojnë.

Gjithashtu, po shqyrtohet mundësia e kufizimit të kohëzgjatjes së qëndrimit të personelit diplomatik rus në vendet ku është i akredituar. Shërbimet evropiane të kundërzbulimit kërkojnë të frenojnë rrjetet e spiunazhit të krijuara prej kohësh, ku diplomatët e vendosur për periudha të gjata në një vend luajnë shpesh një rol kyç.

Ora po troket për Malin e Zi

Kjo javë do të cilësohet si një tjetër moment i rëndësishëm për zgjerimin e BE-së. Shqipëria mbylli një tjetër kapitull të negociatave të anëtarësimit, në të njëjtën ditë kur Moldavia dhe Ukraina hapën negociatat për disa kapituj tjerë, pasi kapërcyen edhe një herë kundërshtimin fillestar të Hungarisë.

Megjithatë, vendi më interesant për t’u ndjekur tani është Mali i Zi, favorit i padiskutueshëm në procesin e zgjerimit, i cili po hyn në një periudhë vendimtare në përpjekjen për t’u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028.

Në projektpërfundimet e samitit thuhet se “Këshilli Evropian mirëpret punën në vijim për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi dhe vëren synimin e Presidencës së Këshillit për të arritur një marrëveshje mbi mbylljen e përkohshme të të gjithë kapitujve negociues deri në fund të këtij viti, bazuar në zbatimin e reformave përkatëse nga Mali i Zi”.

Kjo tingëllon premtuese, por jo gjithçka po ecën sipas planit.

Hartimi i traktatit të anëtarësimit, të cilin Komisioni Evropian dhe Podgorica shpresojnë ta negociojnë plotësisht deri në pranverë dhe ta nënshkruajnë gjatë verës, deri më tani nuk po përparon me ritmin e duhur.

Grupi i punës që merret me hartimin e traktatit vazhdon të mblidhet vetëm një herë në javë në Bruksel. Në këtë fazë, takimet duhej të zhvilloheshin më shpesh, gjë që sugjeron se jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë njësoj të interesuara për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi.

Edhe objektivi për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit duket se është në fije të perit.

Është e vërtetë se Mali i Zi mbylli negociatat për tre kapituj më 12 tetor, duke e çuar numrin e kapitujve të mbyllur në 21 nga 33. Por, këta kapituj ishte parashikuar të mbylleshin që në shtator.

Kishte gjithashtu shpresa për mbylljen e katër kapitujve të tjerë gjatë këtij muaji, por tani kjo duket e pamundur para nëntorit.

Kroacia është përgjegjëse për shumicën e këtyre vonesave, pasi ende ka shumë çështje dypalëshe të pazgjidhura me fqinjin e saj më të vogël.

Për shembull, në fushën e transportit, Zagrebi ngriti fillimisht shqetësime për “kabotazhin”, pra të drejtën e një kompanie transporti nga një shtet i BE-së për të ofruar shërbime në një shtet tjetër anëtar. Shqetësimi lidhej me mundësinë që transportuesit malazezë, me çmime më të ulëta, të dëmtonin konkurrencën e kompanive kroate. Kjo çështje është zgjidhur tashmë, por Zagrebi po ngre tani shqetësime për mënyrën se si funksionon agjencia detare e Malit të Zi.

Megjithatë, shumica e mosmarrëveshjeve lidhen me çështje historike, të cilat normalisht do të trajtoheshin në kuadër të Kapitullit 31, që mbulon politikën e jashtme. Por, meqë Mali i Zi ende nuk e ka mbyllur këtë kapitull, këto mosmarrëveshje rrezikojnë të përhapen edhe në negociatat për kapitujt e tjerë. Shqetësues është fakti se negociatat për mbylljen e Kapitullit 31 as që kanë filluar.

Kërkesat e Kroacisë përfshijnë disa çështje që burojnë nga luftërat jugosllave të viteve 1990.

Merrni, për shembull, pishinën “Zoran Gopçeviq” në qytetin malazez të Kotorit. Zagrebi kërkon që objekti të riemërtohet, pasi Gopçeviq ka shërbyer si roje në kampin e Morinjit gjatë konfliktit, ku qindra të burgosur kroatë u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe iu nënshtruan edhe torturave.

Pastaj është çështja e anijes “Jadran”, një anije me tre vela e ndërtuar në vitin 1933, e cila historikisht kishte si port bazë qytetin bregdetar kroat të Splitit dhe të cilën Zagrebi kërkon ta kthejë nën kontrollin kroat. Kur shpërthyen luftërat jugosllave në vitin 1991, “Jadran” ndodhej në Mal të Zi, ku ka mbetur që atëherë. Podgorica pretendon se prania e anijes në territorin e saj në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë i jep të drejtën ligjore të pronësisë.

Përveç këtyre, ekzistojnë edhe mosmarrëveshje për kufijtë tokësorë dhe detarë mes dy vendeve, si dhe diskutime mbi miliarda dollarë dëmshpërblime lufte, të cilat mund t’i ngadalësojnë edhe më tej negociatat e anëtarësimit.

Tags: BE Rusia Ukraina

Continue Reading

Previous: Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete 5 min read
  • Ballkan
  • Lajme

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete

The Geopost October 14, 2026
Mujanoviq: Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë kundër interesave të Kosovës dhe Bosnjës 2 min read
  • Ballkan

Mujanoviq: Serbia bashkëpunon ngushtë me Rusinë kundër interesave të Kosovës dhe Bosnjës

The Geopost October 14, 2026
BE-ja e shqetësuar për praninë e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së, kërkon drejtësi për Banjskën 3 min read
  • Ballkan

BE-ja e shqetësuar për praninë e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së, kërkon drejtësi për Banjskën

The Geopost October 13, 2026
Instituti Boshnjak në Sarajevë anulon koncertin e muzikantëve rusë për shkak të organizatorëve kontroversë 2 min read
  • Ballkan

Instituti Boshnjak në Sarajevë anulon koncertin e muzikantëve rusë për shkak të organizatorëve kontroversë

The Geopost October 13, 2026
Ish-aktivisti i SNS-së së Vuçiqit: Banditë të paguar, blerje votash dhe para në dorë për operacione politike në Serbi 6 min read
  • Ballkan

Ish-aktivisti i SNS-së së Vuçiqit: Banditë të paguar, blerje votash dhe para në dorë për operacione politike në Serbi

The Geopost October 13, 2026
Stefanoviq: Opozita duhej t’i hapte rrugë Listës së Studentëve përballë regjimit të Vuçiqit 3 min read
  • Ballkan

Stefanoviq: Opozita duhej t’i hapte rrugë Listës së Studentëve përballë regjimit të Vuçiqit

The Geopost October 13, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.